E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vendosim për të shkuar në Europë*

Afrim Krasniqi / Publicist

E mbani mend periudhën komuniste? Sa herë sheshet  e Tiranës u mbushën me urdhër për të mbrojtur e qarë  Titon, Stalinin, Hrushovin, Çu En Lai, Kastron? Sa milionë dollarë u harxhuan nga buxheti i shtetit shqiptar për  të financuar lëvizjet terroriste dhe komuniste? Sa libra,  urime dhe buste u ngritën për politikanë që në vendet  e tyre historia i ka vendosur në pjesën negative të saj?  

Sa shumë lule, telegrame dhe poezi iu kushtuan atyre  që në fakt ishin diktatorë të vendit të tyre ndërkohë  që në Burrel, Qafë Bari, Spaç, deri në Sarandë vdisnin  në burgjet komuniste dhjetëra e mijëra disidentë politikë, familjarë të tyre, kritikë të regjimit, shkrimtarë,  krijues, prelatë fetarë apo pinjollë të firmëtarëve të  Pavarësisë? E mbani mend vitin 1991, kur për herë të  parë u organizua një protestë simbolike në kujtim të  studentëve antikomunistë të sheshit Tienanmen? Në  të parat ishin mijëra vetëm, në këtë të fundit 30 vetë!  Sepse regjimi ishte ndryshuar, nuk kishte më urdhër,  por nisma civile. Sot Shqipëria dhe bota ka ndryshuar.  

Sot ne kemi prioritete të tjera, nuk kemi pse shfaqemi  diçka që nuk jemi, internacionalistë apo të ndjeshëm  ndaj pjesës tjetër të botës. Ajo që nuk ka ndryshuar  është vullneti për t'u keqpërdorur dhe për të shërbyer vullnetarisht apo për shkak të sportit financiar për  modele që nuk ia vlejnë, nuk të nderojnë, nuk kanë justifikim dhe nuk përputhen as me interesat tona madhore,  publike e shtetërore.

Ja p.sh, ngjarjet në Turqi. Atje ka  qeveri, ka shtet, ka edhe protestues kritikë, ka gjithçka që ndodh në një shtet gjysmë demokratik. Ngjarjet  e fundit sollën reagime kudo në botën demokratike.  P.sh, në Europën Perëndimore u shënuan disa dhjetëra  protesta të vetë komunitetit turk, pro lirisë dhe vlerave  të demokracisë në vendin e tyre të lindjes.

Çdo qeveri  europiane u solidarizua me protestën dhe aktet civile  dhe secila bëri thirrje, siç ndodh midis shteteve mike  e partnere, për dialog, zgjidhje përfshirëse dhe garantim të lirive qytetare. E bëri çdo vend tjetër në NATO,  e bëri çdo vend i BE-së dhe brenda tyre edhe SHBA,  aleati ynë kryesor dhe modeli i demokracisë! Po ne  shqiptarët? Qeveritë tona këtej e andej kufirit zyrtar  heshtën. Dhe mirë bënë. 

Një vend që vret 4 qytetarë  live përpara medieve, në një protestë të zakonshme  të vendeve në krizë përfaqësimi e institucionesh, nuk  ka ndonjë epërsi morale të japë leksione demokracie.  Jashtë qeverive, në Tiranë, Shkup e në ndonjë qytet  tjetër shqiptar të Kosovës u gjetën disa që menduan  të dalin në rrugë! Përse? Për të mbrojtur vlerat ku beson çdo shoqëri perëndimore dhe  ku duam të bashkohemi edhe ne?  Për të dëshmuar se shqiptarët nuk  e kanë humbur sensin e reagimit  dhe solidaritetit, kur bëhet fjalë  për demokracinë dhe standardet  e saj?

Jo. Ato grupe dolën në rrugë  për të kundërtën, për të mbrojtur  ata që janë në pushtet në një vend  tjetër, në favor të pushtetit, jo të  qytetarëve!! Ata kanë të drejtë të  bëjnë çfarë të duan, kanë arsyet  dhe bindjet e tyre. Siç bënë më 1914 kundër princit  perëndimor W. Wied. Siç ka ndodhur disa herë të tjera  kritike në botën e trazuar shqiptare, madje deri në foltoren e parlamentit në Prishtinë apo në qytetin e Lid-hjes së Prizrenit! 

Dhe nuk besoj se do jetë akti i fundit,  përkundrazi. Tipike për një shoqëri në krizë, që zgjedh  prioritete të gabuara dhe që edhe pas 100 vitesh vijon  të jetë në dilemë, nëse pushtimi 5 shekullor mund  të quhet pushtim, apo që në shkëmbim të disa favoreve politike pranon që pala tjetër t’ia rishkruajë  historinë, madje t’ia ndryshojë edhe emrin e heroit  kombëtar!

Turqia është vend mik me Shqipërinë  dhe anasjelltas. Jemi vende mike, shtete mike dhe  partnerë politikë në shumë fushata bashkëveprimi.  Siç jemi edhe me disa shtete të tjera, siç prioritet  dhe model për ne mbeten SHBA e BE dhe jo ndonjë  vend tjetër. Problemet në Turqi janë probleme të saj,  të institucioneve, ligjeve, sistemit dhe të qytetarëve  të saj. 

Ne nuk mund, nuk duhet dhe nuk kemi të drejtë  të ndërhymë. Por edhe nëse ia lejojmë vetes, - për  shkak të natyrës globale të problematikave standarde  të sotme, - ne nuk kemi luksin të vijojmë të mbetemi  vendi e kombi i vetëm i identitetit europian, që midis  pushtetarit të radhës dhe qytetarëve, zgjedh të parin.  Pushtetarët votohen, fitojnë, humbin, zëvendësohen,  qytetarët janë dhe mbeten aty sot e përjetë! Dhe një  shoqëri serioze bën sjellje serioze. Gjë që ne nuk e bëmë  as këtë herë.

Duke treguar në disa  detaje të vogla periferike se modeli  ynë politik, idhulli ynë politik vijon  të jetë njeriu i fortë me pushtet,  jo njeriu i lirë në një shoqëri të  lirë. Duke dhuruar solidaritet me  modele të tilla, në fakt dëshmohet luajalitet e mbështetje për  modelet tona politike këtu, indi-vidë që zgjidhen me vota pastaj  na bëhen sundimtarë, që sillen  me qytetarët si pashallarët e dy  shekujve më parë, që përdorin dhunën për mbrojtjen  e pushtetit, dhe qytetarët i duan vetëm atëherë kur  ata janë luajalë, të bindur, numër formal, por turmë  dhe për ditën e zgjedhjeve! 

Më 23 qershor ka 66  parti në garë, por në fakt modelet numërohen më  pak se gishtat e njërës dorë. Shumica kanë modelin  e adhurimit për sunduesin, pushtetin, forcën, arrogancën, refuzimin e kritikave të huaja dhe pakica,  një pakicë shumë e vogël beson ende tek qytetari,  liria, vlerat dhe standardet që mbajnë themelet e  shtetit ligjor dhe funksional demokratik! A nuk kemi  secili prej nesh diçka për të thënë?

A nuk mund ta  ndryshojmë këtë realitet të trishtë? A nuk meritojmë të jemi më shumë sesa një provincë me sjellje  otomane dhe pretendime maksimale oksidentale? A  nuk duam të jemi de facto pjesë e familjes europiane,  e vlerave dhe standardeve të saj? A nuk është koha për  të marrë një vendim? Unë besoj se po.  

*Titulli është redaksional  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›