Era e fortë bllokon lundrimet nga Porti i Vlorës
Era e fortë e mbrëmjes së të martës ka shkaktuar probleme të shumta në Portin e Vlorës, si dhe në furnizimin me energji elektrike të qytetit. Dy trageteve të linjës Vlorë-Brindisi, me marrjen e informacionit për stuhinë që po afrohej, u janë dashur të anulojnë lundrimet për shkak të shpejtësisë së madhe të erës dhe dallgëve të mëdha, duke bërë që rreth 100 pasagjerë ta shtynin udhëtimin e tyre. Sipas burimeve të Kapitanerisë së Portit të Vlorës, rreth orës 17:30 shpejtësia e erës u rrit deri në 40 m për sekondë, ndërkohë që deti në gji shkoi deri në gjashtë ballë, ndërsa në det të hapur tetë ballë. Era e fortë ka shkaktuar jo pak probleme edhe në qytet, ku ka dëmtuar tabela të shumta reklamash, por më problematik ka qenë dëmtimi i rrjetit energjetik. Rreth orës 02:40 të mëngjesit të djeshëm, tri lagje të qytetit janë zhytur në terr. Sipas burimeve nga OSSH e Vlorës, shkak për këtë problem ka qenë një defekt në linjën e furnizimit për këto zona. Janë dashur më shumë se 16 orë që defekti të riparohej dhe të rikthej energjia elektrike. Mungesa e energjisë ka shkaktuar një sërë problemesh te bizneset e zonës, por më madhore kanë qenë mungesa e energjisë elektrike në radarët detarë. Në bulevardin kryesor nga skela deri në Ujin e Ftohtë, era ka shkatërruar disa tabela reklamash, tabela rrugore, ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetrata dyqanesh.