Stuhia anulon operacionet në spitalin e Lushnjës
Stuhia e një dite më parë ka lënë pa energji elektrike spitalin rajonal të Lushnjës, si dhe disa banesa private rreth tij. Spitali i Lushnjës ka qëndruar plot 12 orë pa energji elektrike, duke paralizuar pothuajse krejt punën spitalore. I vetmi operacion i zhvilluar gjatë këtyre 12 orëve ka qenë një apandesit, i ardhur urgjent gjatë paradites, ndërsa janë pezulluar dy operacionet e planifikuara më parë. E paralizuar ka qenë dhe puna diagnostikuese e lidhur ngushtë me aparaturat, si grafitë, skanerët, ekot dhe analiza. Shkak i kësaj gjendjeje ka qenë stuhia e një nate më parë, e cila ka rrëzuar degët e tre pemëve shumëvjeçare në hyrje të Lushnjës, në afërsi të fabrikës së plastmasit. Pikërisht këto degë pemësh kanë dëmtuar telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar dhe defektin që ka zgjatur plot 12 orë. Ndërkohë, burimet nga OSSH-ja e Lushnjës njoftojnë se banesat private që kanë mbetur pa drita, kanë qenë me lidhje të paligjshme, që furnizoheshin padrejtësisht nga linja e spitalit, pasi prej disa kohësh linja e spitalit ka qenë më vete dhe i vetmi problem për ta ka qenë furnizimi në një kohë të shpejtë me energji i spitalit. Edhe pse u morën masat në një kohë të shpejtë nga OSSH-ja, defekti ka qenë i rëndë dhe janë dashur 12 orë për të rifurnizuar spitalin me energji. Energjia spitalit të Lushnjës i është ndërprerë rreth orës 24:00 të së martës dhe i është rikthyer në mesditën e së mërkurës. Stuhia ka lënë pa energji edhe disa lagje në qytetin e Fierit. Era e fortë i ka dëmtuar linjat ajrore të furnizimit me energji në disa vende, duke lënë kështu për afro 10 orë pa drita tri lagje të qytetit. Energjia është shkëputur rreth orës 22:00 të së martës dhe është rikthyer paraditen e djeshme.