E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli në Berat: Kontrolloni guroret

Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka qenë dje për një vizitë pune në qytetin e Beratit. Gjatë një takimi të zhvilluar në mesditë në Prefekturën e Beratit, ministri Xhuveli ka tërhequr vëmendjen për të shtuar më shumë kontrollet në aktivitetet që ndotin mjedisin, siç janë guroret, zona përreth uzinës së baterive, zona naftëmbajtëse në Kuçovë, zona e nxjerrjes së gurit dekorativ në Skrapar dhe shfrytëzimi racional i lumenjve për inerte. Në fjalën e tij, ministri është shprehur se nga ana e strukturave përkatëse, siç është Drejtoria Rajonale e Mjedisit, duhet të veprohet për marrjen e masave nga ana e firmave që kanë efekte ndotëse nga puna e tyre, siç janë guroret, furrat e gëlqeres etj. Ai ka kërkuar që nga Agjencia Rajonale e Mjedisit të veprohet konkretisht duke i ndëshkuar në bazë të ligjit firmat që veprojnë dhe nuk zbatojnë aktmarrëveshjet dhe detyrimet ndaj mjedisit. Ndër të tjera, ministri është ndalur dhe në shfrytëzimin e pyjeve nëpërmjet prerjeve dhe mosrinovimin e tyre me mbjellje të fidanëve të rinj, duke paralajmëruar për një katastrofë ekologjike. Pas inspektimeve të bëra në disa prej zonave problematike, Xhuveli ka pohuar se procesi më i fundit i qeverisë, për transferimin e sipërfaqeve të pyllëzuara në bashki e komuna në Qarkun e Beratit, po ecën me hapa shumë të ngadaltë, për shkak se nuk është plotësuar ende kuadri i nevojshëm me specialistët përkatës dhe inspektorë të policisë pyjore në bashki e komuna. Në lidhje me aktivitetin e guroreve që ndotin mjedisin, duke mos përdorur impiantet e pastrimit, ministri ka bërë përgjegjës Agjencinë Rajonale të Mjedisit, e cila, sipas Xhuvelit, ka të gjitha kompetencat për zbatimin e ligjit. Xhuveli ka theksuar se është në kompetencat e Agjencisë Rajonale të Mjedisit që të marrë masat e nevojshme ligjore për të gjitha ato gurore që shkelin ligjin, duke i ndëshkuar, penalizuar e mbyllur këto aktivitete. Ministri Xhuveli ka deklaruar se edhe në Qarkun e Beratit do të zbatohet e njëjta procedurë që është zbatuar në qytetet e tjera, duke mbyllur të gjitha guroret që nuk zbatojnë rregullat për mbrojtjen nga ndotja e mjedisit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›