Era e fortë paralizon të gjitha portet detare
Situatë e rëndë detare, tragetet për orë të tëra në det të hapur. Dhjetë orë vonesë kanë regjistruar tragetet e linjës Bari-Durrës gjatë ditës së djeshme, ku ashtu siç ishte dhe parashikuar deti është egërsuar, ndërsa era ka arritur maksimumin e saj. Deti ka pasur një forcë prej 7 deri në 9 ballë, duke paraqitur rrezik edhe për mjetet e lundrimit të tonazhit të madh, ndërsa era që ka fryrë nga juglindja ka regjistruar një shpejtësi prej 27 metrash për sekondë, nga 5 m/sek që ishte një ditë më parë. Ndërkohë që për banorët e tokës, dita e djeshme qe një ditë e mirë, ku shpesh vranësirat u alternuan me rrezet e diellit, në det situata ka qenë krejt tjetër. Pushimi i reshjeve të shiut e ka egërsuar detin. Kushtet atmosferike e bënë Adriatikun të palundrueshëm nga anijet e tonazheve të ndryshme, të cilat kanë qëndruar larg nisjes së udhëtimeve të parashikuara në pritje të përmirësimit të motit në det. Të vetmet që nuk i kanë anuluar lundrimet e tyre kanë qenë tragetet, të cilat gjithsesi kanë pasur vonesa të theksuara në grafikët e tyre të lëvizjes. Kështu, tragetet "Jonis" dhe "Grecia", të cilat duhet të mbërrinin rreth orës 08.00 të ditës së djeshme, sipas burimeve të Kapitanerisë së Portit të Durrësit planifikohej të mbërrinin rreth orës 18.00 të kësaj dite. Ndërkaq, ujërat në Durrës kanë nisur tërheqjen, duke lënë pas mbeturina të shumta urbane dhe llumra, që punonjësit e ndërmarrjeve bashkiake janë përpjekur t‘i largojnë për të shmangur imazhin e një qyteti të pistë dhe në rrëmujë. Ndërsa në Vlorë, anijet e mallrave dhe peshkarexhat po hasin probleme prej ditësh, për shkak të detit të trazuar. Shefi i kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, tha se dje fuqia e detit ka qenë 5-6 ballë në gji dhe 8-9 ballë në det të hapur, çka do të thotë se asnjë mjet nuk do të lundrojë, përfshi anijet e mallrave dhe tragetet e linjës Vlorë-Brindisi. "Presim qetësimin e erës që të fillojë puna normalisht", tha kapiteni. Edhe Porti i Sarandës e ka ndalur punën dje, për shkak të detit të trazuar. Burime nga kapitaneria e portit kanë konfirmuar se valëzimi në det ka qenë mbi 6 ballë. Kjo ka sjellë paralizimin e tri trageteve të linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas, të cilët kanë anuluar udhëtimet për ditën e enjte, për shkak të mungesës së sigurisë së lundrimit. Këto anije janë në gjendje të përballojnë një det deri në 5 ballë dhe kapërcimi i këtij niveli, të matur nga aparaturat e ishullit fqinj është bërë shkak që ato të mos lejohen të dalin në lundrimin e përditshëm.