E Diel, 1 Nëntor 2026

Eralda Hitaj: Shtatzënia pa plan, emocioni më i bukur që kam përjetuar

TIRANE - Në rast se do të ekzistonte një konkurs për fytyrën më të bukur të ekranit, me siguri fituese në të do të shpallej çdo vit Eralda Hitaj. Bukuroshja e “Top Select” duket se nuk ndryshon kurrë. Me gjithë vitet që kalojnë, ajo vazhdon të ruajë të freskët bukurinë me të cilën na u prezantua ditën e parë në televizion. Prezantuesja 26-vjeçare e “Top Channel”, që shqiptarët e njohën fillimisht si një supermodele, do të vijë sot në “Summer pages” për të rrëfyer emocionet që i ka falur shtatzënia. Çfarë ka ndryshuar në jetën e yllit të ekranit, që nga dita kur mësoi lajmin e gëzuar? E mësojmë bashkë.
Eralda, cilat janë ndjesitë që po të shoqërojnë këto kohë, ndërsa ndjen të rritet brenda teje një qenie humane, engjëlli më i ri i botës?
Është një ndjenjë harmonie, lumturie, e gërshetuar me qetësinë shpirtërore. Në fakt që në muajt e parë, unë kam qenë shumë e qetë dhe kjo ka qenë burim i energjisë pozitive. Ende jam midis asaj pikëpyetjes se ku do të shkoj, pasi akoma s’kam filluar të ndjej atë ndryshim e madh që përjeton një femër shtatzënë, megjithatë e pres me padurim.
E kërkoje këtë fëmijë, apo erdhi papritur?
Asnjëherë nuk mund të bësh plane. Sidomos kur bëhet fjalë për mrekulli të tilla, nuk mund të vendosësh ti. Ishte diçka që unë e prisja, por nuk po e kërkoja.
Cili ishte emocioni i parë që përjetove kur mësove se pret një fëmijë dhe kujt ia the të parit lajmin?
Natyrisht u lumturova. Fëmijët janë bekim. Personat e parë që e kanë marrë vesh këtë lajm, kanë qenë mamaja ime, motra dhe sigurisht partneri. Një nga arsyet pse u lumturova, siç e kam thënë edhe më parë, është se shtatzënia ime shoqërohet edhe me shtatzëninë e motrës sime, që është personi më i dashur për mua dhe kjo ka qenë një nga arsyet pse e kam përjetuar kaq mirë këtë fazë. Ia ka shtuar lezetin në një farë mënyre, sepse shtatzënia është një periudhë në të cilën ti ke nevojë për dikë, që të ndajë të njëjtën eksperiencë me ty, që t’i kuptojë gjërat njësoj si ty dhe ndonjëherë edhe të të udhëzojë... E ku ka më mirë, sesa kur ky person është motra jote.
I ke filluar përgatitjet për djalin?
Nuk po nxitohem, pasi nuk dua që të bëj gabime. Unë tani jam në muajin e gjashtë dhe sigurisht që do fillojmë të përgatitemi për gjërat e nevojshme, duke filluar që nga veshjet, e deri tek karroca e krevati. Por aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit, sepse i gjithë ky proces kërkon pak kohë. Jam ende në stadin e kontrollit të gjërave dhe sa herë dal them: ‘jo shiko, karroca duhet të jetë kështu, duhet të ketë dhe këtë, duhet të jetë praktike, duhet të ketë ngjyra, po kjo, po ajo, gjëra që nuk i kisha menduar më parë’.
Për emrin po mendoni?
Për emrin po mendojmë. Kemi filluar në fakt të mendojmë që në fillim, pa e ditur ende gjininë e fëmijës. Është shumë e vështirë për çunat. Çunat janë më të vështirë gjithmonë, megjithatë ne kemi gusto të përbashkëta dhe besoj se edhe në këtë pikë nuk do të kemi përplasje. Po presim akoma që të dashurohemi me një emër, që t’ia vëmë djalit.
A ka ndryshuar garderoba jote gjatë këtyre muajve?
Interesantja qëndron në faktin që unë, që përpara shtatzënisë kam pasur pak a shumë të njëjtin stil që kam tani. Fustanet i kam dashur gjithmonë të lirshme, në formën e ‘baby doll’-ëve dhe madje deri vonë kam përdorur të njëjtat rroba që kam veshur më përpara. Shumë pak gjëra më është dashur të ndryshoj, maksimumi në masë tani që po fillojmë të zgjerohemi (qesh).
Po regjimi ushqimor a ka ndryshuar?
Jo, ky ka qenë një plus tjetër për mua, që unë nuk kam pasur probleme me ushqimet.
Nuk ke neps?
Jo, nuk kam fare. Të them të drejtën, kam pasur tendenca të shëndetshme edhe gjatë shtatzënisë. Frutat dhe sallatat janë ato që më tërheqin më shumë, madje mund të them që jam duke u ushqyer më shëndetshëm tani, që po respektoj edhe një regjim në orare, sesa më parë.
Ndërkohë ti nuk e ke lënë ende punën. Sa të vështirë e ke këtë pjesë?
Sigurisht që duhet një farë kujdesi, sepse nuk është një situatë e zakonshme, por për mua ka qenë gjithçka shumë e natyrshme. Unë akoma nuk kam filluar të ndjej shtatzëninë e vërtetë, sepse muajt e parë, e thashë, kanë qenë shumë të qetë, edhe pesha është më e lehtë dhe nuk ndihet. Megjithatë, energjia tek unë mbetet po njësoj, angazhimi mbetet po i njëjti dhe sigurisht edhe pasioni mbetet po i njëjti. Nuk ka absolutisht asgjë të mangët në atë që mund të bëjë një femër shtatzënë, duke e krahasuar me një femër në kushte normale. Thjesht kujdesi për veten është më i madh... Në fakt janë njerëzit e tjerë ata që të shohin më delikate se ç’je në të vërtetë, mjafton të të shohin me diçka në dorë dhe direkt thonë: ‘jo mos ti këtë, mos e bëj ti atë’... Unë ndihem rehat me veten time, nuk e kam këtë problem dhe më vjen shumë mirë që kanë kaluar edhe ato tabutë e të pasurit një femër shtatzënë në ekran, sepse është një gjë shumë e natyrshme, është një gjë shumë e bukur dhe nuk ka absolutisht arsye për ta fshehur...
Ndërkohë je duke vazhduar edhe shkollën. Je në mbyllje të programit master, mesa di...
Po, unë kam mbaruar ‘bachelor’-in për aktrim dhe tashmë po diplomohem për regji filmi dhe televizioni. Jam në fazën e fundit, në përfundim të vitit të dytë master.
A do të thotë kjo që tani nuk do të shohim më në ekran, por në pultin e regjisë?
Jo, nuk e mendoj këtë gjë. Janë dashuri shumë të ndryshme. Nëse je një herë në ekran, është shumë e vështirë që të kërkosh të dalësh prapa tij. Megjithatë edhe prapaskena është një pjesë të cilën dua ta eksploroj, por kjo nuk do të thotë që dua të largohem nga ekrani.
Së fundmi je bërë pjesë e një filmi artistik me seri...
Po, është e vërtetë. Sapo kanë përfunduar xhirimet e këtij filmi. Tani është në fazën e post-produksionit dhe pritet që të dalë në shtator.
Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, sepse për më tepër ka qenë edhe eksperienca ime e parë në një film (me metrazh të gjatë). Kam kaluar absolutisht shumë mirë me stafin realizues. Kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për mua gjatë gjithë kohës që xhironim, duke qenë se edhe aty kam qenë pak e përkëdhelur në kuadrin e shtatzënisë. Shpresoj që të kem qenë në lartësinë e duhur dhe mezi po pres që të shoh punën e bërë.
Ndërkohë Eleandro, partneri yt, sa i lumtur është për faktin që gjinia e bebit është djalë? Dëshiron që t’i ngjajë atij, që të bëhet futbollist?
Është shumë shpejt për të vendosur se çfarë do të bëjë djali me jetën e tij. Ky vendim në fakt i takon vetëm atij. Sa i takon lumturisë, jemi të dy shumë të lumtur. Që të dy jemi shumë të dhënë pas fëmijëve, por sidomos Eleandro. Ka një raport të mrekullueshëm me ta dhe mezi po e presim të dy këtë fëmijë. Jemi shumë të emocionuar.
Ju bashkëjetoni prej disa vitesh. Po dasma kur do të vijë?
Ah dasma... Nuk e di të them të drejtën. Unë nuk jam tipi i ceremonive, që të jem e sinqertë. Nuk jam njeri që më pëlqejnë ceremonitë e mëdha, jam më shumë drejt gjërave intime.
Si ka nisur historia juaj? Të pyes, sepse ke folur shumë pak për këtë pjesë?
Faktikisht kam qenë gjithmonë e tërhequr përsa i takon këtij aspekti, sepse kam menduar që jeta ime private duhet të qëndrojë e tillë deri në fund. Por nuk është e lehtë. Për më tepër për një personazh publik në Shqipëri, ku të gjithë i njohin të gjithë. Ne kemi qenë fillimisht shokë. Jemi njohur në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, kur unë isha ende në fazën e eksperimenteve, pasi nuk isha e bindur për atë që doja. Pas 1 viti miqësi, filluam lidhjen tonë dhe tani bëjmë 7 vjet bashkë.
Si është Eralda si amvisë? Di të gatuash? Po të bësh punë shtëpie?
Gatimi është pasioni im. Më pëlqen të gatuaj, sepse jam rritur nga një mama që gatuan shumë mirë dhe që e ka pasion të madh gatimin. E kam shoqëruar gjithmonë mamin në kuzhinë, kam qenë në një farë mënyre asistentja e saj. Ndërsa tani jam unë ajo që i merr vendimet në kuzhinë. Është diçka që më vjen natyrshëm. Gatuaj shpesh, sidomos ushqimet që i pëlqej vetë. E bëj me shumë dëshirë dhe mendoj se sekreti i të pasurit receta të suksesshme është të gatuarit me pasion dhe dashuri. Përsa u përket punëve të shtëpisë, nuk i kam aq të preferuara sa gatimin me thënë të drejtën. Zona ime mbetet gjithmonë kuzhina.
Po për pushime si do ia bësh këtë vit? Ke menduar?
Kanë qenë angazhimet e punës dhe të shkollës ato që kanë marrë preokupimin tim kryesor, megjithatë mendoj që disa ditë pushimi do t’i kaloj edhe unë. Nuk do të largohem shumë larg. Do të zgjedh sërish Jugun e Shqipërisë, ashtu siç kam bërë për vite me radhë, që kur kam qenë fëmijë e deri tani. Besoj se ky do të jetë destinacioni im i sivjetshëm, duke qenë se është edhe pak më e vështirë për të lëvizur tani (e ka fjalën për shtatzëninë). Jugu, jugu do të jetë destinacioni. 

(er.nu/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›