Beteja e humbur me kutitë
Arben Vata Në kulmin e inatit ndaj gazetarëve në ftuar në studio, Edi Rama u tregua krejt i sinqertë kur në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, tha shkoqur se “demokracia në Shqipëri do të rivendoset në rrugë”. Një deklaratë shumë e fortë dhe njëkohësisht e pavend e kreut të opozitës, e cila për çudi erdhi vetëm pak orë pasi së fundi edhe Këshilli i Evropës i kërkoi PS të drejtuar prej tij që të vazhdojë dialogun politik në Kuvend dhe jo në rrugë. Në kushtet e një komunikimi normal publik, Edi Rama nuk do të nxitohej që të bënte këtë deklaratë të nxehtë. Por, sëmundja e tij e pashërueshme, acarimi i vazhdueshëm me gazetarët për shkak të pyetjeve apo komenteve të tyre të pa pëlqyeshme mundësisht në çdo ambient, bëri këtë herë që Rama të ulë edhe më kuotat e tij politike, jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit. Askush besoj në PS nuk e ka pëlqyer brutalitetin dhe ironinë e Ramës ndaj gazetarëve, përveçse ndonjë servili që duke i bërë qejfin më shumë sesa e ndihmon, realisht e dëmton Ramën dhe imazhin e tij. Një lider partie nuk mund të ketë atë lloj sjellje dhe komunikimi me gazetarët, dhe ndërkombëtarisht ky zakon i keq është një minus i madh për kreun e PS. Ai gjithashtu ka probleme edhe në komunikimin politik. Berisha i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së KE për dialog me Ramën për çështjen e zgjedhjeve, kurse Rama tregohet sërish jo bashkëpunues, duke refuzuar një takim me Berishën. Ky është një reagim politik, që nuk e tregon atë interlekutor dhe dialogues, as brenda dhe as jashtë vendit. Por këto nuk janë problemet më të mëdha të Ramës me institucionet ndërkombëtare dhe ato vendimmarrëse politike, në Evropë dhe SHBA. Problemi i tyre me Edi Ramën, është se ai nuk po gjen forcën për të respektuar ligjin shqiptar, e po ashtu, edhe për të respektuar rezolutat e pafund të OSBE-së, KE-së, SHBA-së etj, për zgjedhjet në Shqipëri. Të cilat, pavarësisht kundërshtive të përhershme shqiptare, gjithnjë janë certifikuar prej atyre. Edhe këtë radhë, ata thanë se votimet e 28 qershorit 2009 ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Thanë se në një të tretën e procesit të numërimit, pati probleme të rënda, por ato ishin të karakterit teknik dhe që nuk pati asnjë provë që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve. Rezultat që u firmos 7-0 nga komisionet zgjedhore. Thanë se këto zgjedhje plotësuan shumicën e standardeve kryesore të botës demokratike. Realisht, ky ka qenë vlerësimi më optimal për votimet në Shqipëri, të cilat nuk mund të thuhet se nuk u shoqëruan me probleme. Rama ka gjithashtu edhe një problem tjetër të madh me veten e tij. Pikërisht me kutitë. Ai kërkon sot të hapë kutitë e 28 qershorit, edhe pse për to është shprehur gjykata zgjedhore, dhe nuk flet asnjë fjalë për një eksperiencë të hidhur të tij me kutitë e zgjedhjeve. Fjala është për votimet e pushtetit lokal në vitin 2003, të cilat u kundërshtuan nga rivali i tij, atëbotë demokrati Spartak Ngjela, i cili kërkoi hapjen e kutive. Rama dhe PS nuk pranuan, edhe pse Ngjela e PD pretendonin se aty qëndronin të fshehura manipulimet me votat. Në rastin e kutive të 28 qershorit, Rama po tregon se mban një qëndrim me dy standarte, qëndrim në fakt i papëlqyeshëm për një politikan. Duke qenë i tillë, Rama nuk mund të jetë I besueshëm, as për partnerët e huaj, por as edhe për qytetarët shqiptarë, qoftë të majtë apo edhe të pa pozicionuar politikisht. Rama kërkon t’i nxjerrë ata në rrugë kryesisht për të kërkuar hapjen e kutive, por ky argument duket qartë se nuk i tërheq ata drejt protestës civile. Aq më tepër kur iu thuhet se pushtetin duhet ta marrim në rrugë. Nga ana tjetër, as përpjekja për ta përzier protestën për kutitë me Gërdecin, Kalimashin, përmbytjet në Shkodër, apo edhe fikjen e dritave në stadium gjatë ndeshjes së Real Madridit, nuk se është një motiv më shumë për tu bashkuar në protestë. Përzierja e motiveve të protestës, mund të konsiderohet shumë mirë, si pa mjaftueshmëri argumentesh nga ana e opozitës për të mbledhur njerëzit kundër qeverisë lidhur me atë që ajo e quan, vjedhje e votave. Rama, gjithashtu, nuk tregohet i hapur me shqiptarët dhe socialistët. Teksa i fton në një betejë për zgjedhjet e 28 qershorit, ai nuk është i qartë që të pohojë pjesëmarrjen në votimet e ardhshme lokale të vitit 2011. Apo edhe të mohojë me gojën plot, zërat brenda PS që e kanë akuzuar atë se kërkon ta lërë këtë parti jashtë përballjes në votimet administrative të vitit që vjen. Duke mos qenë krejtësisht i sinqertë, Rama kështu nuk u jep motive të forta socialistëve të thjeshtë për ta mbështetur në protestat e rrugës. Askush nuk do të kishte interes të mbështesë një kauzë, që synim ka bojkotin dhe jo pjesëmarrjen. Socialistët që presin të rimarrin pushtetin lokal në zonat e marra nga demokratët në 2007, nuk janë të interesuar që t’ia lënë këtë pushtet sërish të djathtëve, apo më keq, në krye të shumë njësive të pushtetit lokal të vijnë përfaqësues të majtë nga LSI. Rama bëhet i pa besueshëm tek të vetët, edhe për faktin se ai nuk lë deputetët e PS të hyjnë në Kuvend, ndërsa vetë mbajti me fanatizëm postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Ai nuk pranoi të dorëhiqej, e të vendoste kandidaturën për deputet, ndërsa sot nuk jep dorëheqjen nga Bashkia, duke dhënë një shembull personal të bojkotit. Edhe pohimi zyrtar se një pjesë e deputetëve të PS do të hyjnë në Kuvend, maksimumi më 7 Mars, është një tjetër arsye që e bën në një kuptim pa sens protestën e opozitës për kutitë. Edhe sinjalet e vazhdueshme nga jashtë për heqjen e vizave brenda verës, pavarësisht se Shqipëria mbeti thuajse në fund të vendeve të Rajonit, shkojnë në dëm të klimës së protestës që kërkon të “betonosë” Rama në politikën e opozitës. Nëse kjo aspiratë plotësohet dhe Rama vazhdon të jetë ende në rrugë, atëherë, politika e liderit të PS do të konsiderohet tërësisht e dështuar prej gjithkujt. Pas kësaj, maxhoranca do të kishte të drejtën nga ana e saj, që të thoshte se Rama u mundua që shqiptarëve të mos iu hiqen vizat, por edhe ky synim nuk u realizua. Ramës realisht po i skadojnë të gjitha afatet që do ta lejonin atë të jetë protagonist i një kompromisi tjetër të madh në politikën shqiptare. Ditë pas ditë, ai po humbet edhe mundësinë për të hetuar realisht procesin e zgjedhjeve. Gjithashtu po rrezikon që ta përçajë edhe më shumë PS e grupin parlamentar, duke kontribuar në një situatë pa të ardhme në këtë parti. Duke mbajtur inat me gjithkënd, Rama rrezikon jo vetëm të humbasë përditë simpatinë e dikurshme mediatike, por edhe mbështetjen dhe respektin e atyre socialistëve që e mbështetën atë pas dorëheqjes së Fatos Nano, kur ky humbi votimet e përgjithshme të 3 korrikut 2005.