E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan-Berishës: 1 miliardë $ investime në Shqipëri

Në konferencën për shtyp, Erdogan u shpreh se Shqipëria mbetet aleati strategjik i Turqisë në Ballkan. Duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara sot, ajo për akademitë diplomatike dhe marrëveshjen për arkivat e dy ministrive të Jashtme, Edogan tha se marrëveshje të tjera do të nënshkruhen në vijim, veçanërisht ato në fushën ekonomike. Sipas tij, investime turke në Shqipëri deri më tani kanë arritur shifrën e 400 milion dollarëve dhe në vijim, ato do të arrijnë në 1 miliardë dollarë.

“Ne synojmë që investimet turke në Shqipëri të kalojnë masën e 1 miliard dollarëve. Edhe marrëdhëniet në fushën e turizmit shpresoj të zhvillohen akoma më tej. Roli i Shqipërisë në Ballkan është shumë i veçantë. Shqiptarët janë faktor edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Ne bëmë një përpjekje të sinqertë për pranimin e Shqipërisë si anëtare të NATO-s. Sigurisht ne duam të vijojmë mbështetjen edhe për Maqedoninë. Sigurisht edhe gjatë bisedimeve me kryeministrin Z. Berisha ne folëm për zhvillimet më të fundit në Siri, Afganistan”, theksoi kryeministri turk.

Ai shtoi se në kuadër të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi, “ne do të realizojmë në Stamboll një mbledhje ku do të marrin pjesë kryetarët e shteteve të këtij rajoni”. Në vijim, ai uroi edhe shqiptarët për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. I pyetur për krizën ekonomike globale, kryeministri i Turqisë tha se të dyja vendet janë prekur disi, por duhet të mbahen në forcat e tyre. Ai ofroi mbështetje edhe për gazsjellësin trans-Adriatik, TAP. “Unë mendoj se Azerbajxhani po bën përpjekjet e veta në këtë drejtim, por edhe ne do të ofrojmë mbështetjen në këtë drejtim. Sigurisht, Azerbajxhani është vendi kryesor. Ne duam të kemi një lloj bashkëpunimi qoftë me Shqipërinë, qoftë me Italinë. Edhe vendimi ynë do të merret në këtë kuadër”, theksoi.

Berisha: Mirënjohje Turqisë për mbështetjen ndaj Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Berisha u shpreh se bashkëpunimi ekonomik do të thellohet më tej, teksa falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme për të gjithë shqiptarët në Ballkan.

“Unë shfrytëzova rastin të ftoj kryeministrin Erdogan në Shqipëri në rastin e këtij 100 vjetori. Dua të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve pas daljes nga një diktaturë. Sot ne takohemi si dy aleat në NATO. Turqia dha një ndihmë të çmuar. Forcat e saj të armatosura dhanë një ndihmë të veçantë në përpjekjet tona për këtë anëtarësim. Kryeministri përmendi vizitat, por takimet kanë qenë më të shpeshta. Nuk ka pasur samit ndërkombëtar që nuk jemi takuar. Kemi diskutuar se si t’i nxisim më tej marrëdhëniet”, tha Berisha.

Ai shtoi se nga viti 2005 e deri më sot, investimet turke në Shqipëri janë rritur 9 herë. “Ato mund të rriteshin edhe 19 herë, por ato janë objektiva për të ardhmen. Sot u firmosën dy marrëveshje, por janë edhe dhjetëra marrëveshje të tjera në të gjitha fushat. Në këto marrëveshje bilaterale ka një bashkëpunim në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë dhe në çdo fushë”, vijoi.  Për sa i përket situatës në rajon, Berisha tha se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe se Shqipëria ndanë pikëpamje të njëjta me politikën turke që në rajon të mos ketë ndarje kufijsh. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-05 17:02
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›