E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan bën për vete botën myslimane

Erdogan së fundmi ka marrë përsipër role të reja, të cilat po i vë në skenë në mënyrë shumë të spikatur. Diku shfaqet si njeriu që ka marrë përsipër hallet e njerëzve të vet, si babai i dhembshur. Së fundmi vizitoi një berber, i cili qe dënuar me vdekje, për blasfemi në Arabinë Saudite, por që më në fund u fal. Kryeministri u shfaq para kamerave teksa i dhuronte një makinë lodër birit të berberit.

Më pas shfaqet në rolin e vëllait të madh, që merr në mbrojtje të tjerët; si dikush që i merr njerëzit e vet për dore e i tërheq në drejtime të reja në kohë të vështira. Vitin që shkoi fluturoi në Gjermani, pasi në këtë shtet qenë vrarë 9 emigrantë turq për shkak të një zjarri në qytetin Ludvigshafen. Përpara 18 mijë turqve të mbledhur në Këln për të dëgjuar fjalën e tij, vuri theksin kundër "asimilimit", të cilin e quajti "krim kundër njerëzimit".

Pastaj është Erdogani me temperament të ashpër e të ndezur, ai që pa gjithë botën në forumin e Davosit para dy javësh; njeriu që humbi durimin gjatë debatit mbi konfliktin në Gaza, pasi moderatori e kishte ndërprerë dy herë dhe i kishte vënë edhe dorën në sup për ta qetësuar. Erdogani shpërtheu me zemërim nga podiumi, kërcënoi se nuk do vinte më kurrë këmbë në Davos dhe u kthye në Turqi. Është një skenë që zor të harrohet shpejt. Një kritik e sulmoi duke e quajtur veprimin si gjaknxehtësi të tepruar. Erdogani iu kundërpërgjigj duke kujtuar një skenë të Nikita Hrushovit, ish-lider i Bashkimit Sovjetik, i cili në një rast kishte hequr këpucën dhe kishte goditur me të tavolinën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, shumica e njerëzve të tij u kënaqën nga veprimi. Kryeministri kishte folur në emër dhe për hir të tyre. "Nuk jam kryetar i ndonjë tribuje, por Kryeministër i Republikës Turke", tha para një turme turqish, të cilët e quanin "pushtues të Davosit". "Bëj gjithçka duhet bërë, tha ai. Nuk kam ndër mend të lejoj askënd të cenojë nderin e vendit tim".

Por skena e Erdoganit u prit shumë mirë jo vetëm në vendin e tij. Arabët dhe iranianët, në mënyrë të veçantë, zor se arrinin t‘u besonin veshëve: një Kryeministër turk që sillet karshi Izraelit edhe më ashpër se shumica e analogëve të tij myslimanë? Shekuj të tërë mosbesimi mes turqve e arabëve duket sikur u hodhën tej brenda një çasti të vetëm. Që nga ai çast, turma demonstruesish në Jemen e Siri dolën rrugëve me fotot e Erdoganit, mori mesazhe falënderimi nga grupi islamit Hamas, si dhe nga Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, pa përmendur shpalljen "Qytetar nderi" nga ana e kryetarit të Bashkisë së Teheranit.

Ndërkaq, vëzhguesit evropianë rrudhnin sytë. Është po ajo Turqi që përbën të vetmin pjesëtar mysliman në NATO, që ka raporte normale me Izraelin dhe u ka hyrë tratativave për pranim në Bashkimin Evropian? Jo, thonë diplomatët turq, në përpjekje për të qetësuar Perëndimin. Në lojë për Turqinë janë interesa shumë të rëndësishme, përfshi edhe avionin spiun pa pilot, të prodhuar në Izrael, ashtu si edhe një volum tregtar prej më shumë se 2 miliardë eurosh mes Turqisë e Izraelit. Për më tej, Erdogani, ish-islamist, ka këmbëngulur te "partneriteti strategjik" me shtetin hebre, madje është Kryeministri i parë turk që takohet me kreun më të lartë hebraik të Turqisë, pas sulmeve në një sinagogë në vitin 2003. Thuhet gjithashtu se turqve u pëlqen së tepërmi roli i ndërmjetësit mes Izraelit e Sirisë.

E megjithatë, gjesti i ashpër ndaj Izraelit nuk ka kaluar pa lënë shenjë. "Kryeministri ndihet më i fortë se kurrë më parë", thotë Metin Mynir, gazetar i njohur turk. Por me saktësi, nga buron gjithë kjo forcë? Partia AKP e Erdoganit, forca konservative islamiste që qeveris vendin, thuajse nuk u rrëzua verës së shkuar. Dhe përplasjet mes establishmentit sekularist dhe partisë religjioze, të përforcuar shumë së fundmi, janë zbehur ndjeshëm. Në fakt, lufta për pushtet ka hyrë në një fazë të re dhe kësaj here vërtitet rreth një organizate klandestine të quajtur "Ergenekon".

Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Turqisë deklaron se "Ergenekon" është një rrjet terrorist i përbërë nga anëtarë ultranacionalistë nga radhët e ushtrisë, akademikë, zyrtarë policie dhe figura të nëndheshme që po krijojnë klimën për rrëzimin e qeverisë. Dyshohet se planifikon vrasjen e politikanëve të rëndësishëm, liderëve fetarë dhe biznesmenëve të njohur, me shpresën se diçka e tillë do ta hedhë vendin në kaos. Komplotuesit llogarisin se ushtria, "rojet e sekularizmit", do të hyjnë në skenë për të vendosur rendin e qetësinë, duke instaluar kështu një regjim të kontrolluar nga ushtria. Në këtë mënyrë Erdogani do merrte fund.

Sipas një sondazhi të zhvilluar së fundmi, më shumë se 60 për qind e turqve besojnë në ekzistencën e organizatës "Ergenekon" dhe njëherësh mbështesin përpjekjet e qeverisë për ekspozimin dhe shkatërrimin e saj. Gjithsesi, disa politikanë vënë pikëpyetje mbi gjithë këtë zhurmë. Dyshojnë se "Ergenekon" është veç një sajesë e partisë AKP për të sjellë gjeneralët në pushtet, për të shkatërrua një herë e mirë kampin sekularist dhe për të islamizuar Turqinë.

Por gjërat duket se nuk po shkojnë mirë për ata që e mohojnë ekzistencën e organizatës "Ergenekon". Të supozuarit si pjesëtarë të këtij konspiracioni janë në gjyq që prej tetorit dhe arrestime të reja bëhen thuajse çdo javë. Dallga më e fundit e arrestimeve u krye në janar. "Është turp që nuk jemi në gjendje ta rrëzojmë këtë regjim", tha para dy javësh Dogu Perincek, lideri i Partisë së Punëtorëve, forcë majtiste-nacionaliste, që është njëherësh edhe një prej të dyshuarve kryesorë.

"Ergenekon", e krijuar për të minuar pushtetin e Erdoganit, tani duket se po krijon efektin e kundërt, shtytjen e votuesve të mbështesin liderin e AKP-së. Kur policia zbuloi armët e listat me njerëzit që duheshin goditur, mes popullsisë u përhap shpejt frika. "Duket se duhet të bëjmë kujdes ku hedhim hapat. Municionet mund të fshihen në çdo shtëpi a varrezë", thotë gazetarja Sevda Turkusesv.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›