E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i beqarëve

Fotografitë kalojnë dorë më dorë. "E lezetshme, apo jo? Ka trup të bukur vajza ime. Por është shumë më e bukur po ta shohësh nga afër!", thotë një grua 50-vjeçare, me flokë të kuqe. Pranë saj shihen turma njerëzish që bisedojnë me njëri-tjetrin. Të gjithë janë prindër të djemve e vajzave beqare.

Në qendër të Shangait, "Parku i popullit" pret çdo javë një treg të pazakontë. Të shtunën dhe të dielën mijëra prindër kinezë vijnë këtu me njoftime dhe fotografi, duke shpresuar se do të gjejnë një shok ose një shoqe për fëmijët.

Zonja 50-vjeçare me flokë të kuqe rregullon me shpejtësi fotot e më pas u thotë disa zotërinjve: "Kujdes, dua vetëm djem seriozë! Jo tipa që shkojnë nëpër lokale, që pinë dhe tymosin. Për të kërkoj një djalë të sjellshëm, që të mos endet shumë rrugëve dhe t‘i respektojë prindërit e saj". Me fjalë të tjera, nënat e vajzave kërkojnë bashkëshortët perfektë në Kinë. Ndoshta ky fenomen nuk do të ndodhte te të rinjtë perëndimorë, por në këtë vend prindërit nuk ëndërrojnë për gjë tjetër.

Ndryshimi i mentalitetit

Ashtu si në Perëndim, edhe në Kinë numri i beqarëve sa vjen e rritet. Arsyet janë gjithmonë të njëjtat: vitet e gjata të studimit, puna e femrave me orare të zgjatura, individualizmi, e kështu me radhë. Ndërsa në rastin e burrave, kjo tendencë lidhet me politikën e një fëmije: foshnjëvrasjet dhe abortet e shumta tregojnë se përse sot në Kinë lindin 120 meshkuj në çdo 100 femra. Sipas demografëve, në 2020-ën rreth 30 milionë kinezë nuk do të mund të martohen për mungesë të gjinisë femërore, një problem ky veçanërisht për fshatrat.

Koha pranverore e kësaj të shtune do të tërheqë në këtë park më shumë se dymijë prindër. Në shëtitore ka me qindra lajmërime të ngjitura pas drurëve të pemëve, ose pas ndriçuesve të rrugës. Fotografitë që shoqërojnë këto lajmërime shpesh tregojnë vajza dhe djem me pamje joshëse. Nga kurioziteti për të parë lajmërimet, njerëzit shtyjnë njëri-tjetrin. Një zotëri i gjatë me flokë të errët lexon një prej këtyre lajmërimeve: "Vajzë, e datëlindjes 1979, e diplomuar në drejtësi, e pasionuar pas pianos, që kërkon një djalë, i cili duhet të jetë i diplomuar dhe i gjatë 1,75 cm, i pamartuar dhe me një trashëgimi të mjaftueshme".

Me sytë e fiksuar mbi këto lloj lajmërimesh, një baba psherëtin: "Problemi është se ne kinezët nuk jemi mësuar me joshjen. Meshkujt dhe femrat kanë pritur gjithnjë që t‘i martojnë me mblesëri, duke besuar verbërisht te fati. Por sot ky mentalitet ka ndryshuar".

Pak më tutje qëndron ulur një burrë 59-vjeçar, trupvogël e me syze, teksa buzëqesh besueshëm. Mban në dorë një fotografi të djalit 26-vjeçar, me një përshkrim të shkurtër në një bustinë plastike. Është hera e parë që vjen në park. "Im bir nuk e di që jam këtu dhe nuk do t‘i bëhej qejfi po ta merrte vesh. Por të rinjtë e këtij brezi nuk mendojnë më për martesën: janë të fiksuar pas punës. Përveç të tjerave, im bir nuk është ndonjë orator i madh. Nëse do më kishte ngjarë mua, nuk do të kishte probleme. Ndaj ka ardhur momenti që të reagoj".

Zotëria 59-vjeçar ka marrë me vete edhe pak ushqim për gjatë ditës dhe tashmë është miqësuar me "fqinjët" (personat e tjerë që kanë ardhur në park për të njëjtën arsye). Është i gatshëm të presë gjatë në emër të dashurisë, dhe pak në emër të pragmatizmit. "Pas pak kohësh shtëpia jonë do të bëhet pronë e shtetit. Nëse im bir do të martohet, ne mund të marrim një kompensim më të lartë nga shteti për shtëpinë. Për këtë arsye duhet të nxitojmë".

Një problem i qytetit

Pasi ka kaluar orari i drekës, turma vazhdon të rritet: nëna të veshura shik, baballarë të kollarisur dhe ndonjë vajzë e vogël që ka ardhur vetëm. "Që dy të rinjtë të shkojnë mirë, është e nevojshme që familjet të bien dakord. Kështu, u takon prindërve të gjejnë personin e duhur. Por meqë po kalojmë edhe një periudhë të vështirë ekonomike, është mirë të pyesim se cila është gjendja ekonomike e familjes tjetër", thotë një zonjë, e cila mban në duar një njoftim. "Djali im ka pesë milionë jen (500 mijë euro) në llogarinë bankare!", i thotë pa u ndrojtur një zonjë 70-vjeçare një vajze dhe mamasë së saj, të cilat i ka njohur prej pak kohësh. Vajza, me sytë që i shkëlqejnë, thotë: "Unë nuk kam kaq shumë para! Por nuk ka problem, mund të shkojmë te noteri dhe të firmosim një deklaratë për ndarjen e të mirave materiale". E gëzuar për këtë takim, vajza përpiqet të mos e ndalë bashkëbisedimin.

Ndërsa një zonjë tjetër 61-vjeçare, e cila ka ardhur vetëm, thotë: "Vajza ime nuk dëshiron të vijë këtu, është shumë e turpshme. Kështu që po e bëj unë për të: kërkon një djalë të dobët dhe që të gëzojë shëndet të plotë. Kam ardhur shumë herë, por ende nuk kam organizuar një takim. Gjithsesi, kam ende shumë besim. Shumë prindër që vinin më parë, nuk i shoh më. Kjo do të thotë se e kanë gjetur atë që kërkonin", thotë duke buzëqeshur.

Në park ka sidomos prindër vajzash, sepse në qytet ky problem është më i madh në krahasim me fshatrat. Mes beqarëve ka më shumë femra, sidomos nga ato që kanë ndjekur studimet për një kohë të gjatë. Sipas traditës kineze, një burrë duhet të martohet gjithmonë me një grua më pak të shkolluar se ai. Kështu tradita do të jetë edhe më e fortë. Për këtë arsye, të diplomuarat dhe gratë në karrierë në përgjithësi mbeten vetëm: tepër inteligjente për t‘u dashuruar. Gjithashtu, në park tregohen edhe histori me fund të lumtur. "Një vajzë e bukur që punonte në një spital në Shangai e ka gjetur pikërisht këtu burrin me të cilin do të martohet këtë vit. Ai jeton në Danimarkë dhe fiton pothuajse 10 mijë euro në muaj. Vajza do të shkojë të jetojë bashkë me të", tregon një burrë i veshur si për festë, me flokët e krehur gjithë kujdes. Një tjetër zotëri ka ardhur duke mbajtur me vete foton e vajzës së tij në një çantë lëkure të zezë. Pranë tij, një zonjë e moshuar e dëgjon me vëmendje, ndërsa përpiqet të shkruajë me kujdes një numër telefoni: do t‘ia japë të birit, i cili punon si organizator takimesh. Prindërit zgjedhin midis tyre, por fjalën e fundit ua lënë gjithmonë fëmijëve. "Unë kërkoj prindër të ndershëm, të shkolluar, me të cilët të kem marrëdhënie të mira, dhe të mos më gjykojnë keq për faktin që nuk jam nga Shangai. Gjithashtu nuk dua të më paragjykojnë si një person të varfër", thotë e shqetësuar nëna e një djali 28-vjeçar.

Në Kinë, prejardhja dhe origjina e njerëzve në përgjithësi kanë shumë rëndësi. Për të punuar dhe jetuar në Pekin, për shembull, duhet të kesh një leje qëndrimi, e cila mund të përfitohet vetëm nëse ke lindur në kryeqytet, ose pas një sërë procedurash të gjata. Edhe në Shangai, që ka një dialekt të vetin, origjina bën diferencën. Prindërit paragjykohen në bazë të theksit të gjuhës. "Edhe ime bijë punon në bankë, është diçka e mirë kjo. Dhe mosha e djalit tuaj më duket e përshtatshme. Por në të ardhme do të preferoja që të flisnit gjuhën mandarine, sepse nuk e kuptoj dialektin e Shangait", i rrëfen një zonjë e veshur me një pardesy të gjatë blu, një tjetër zonje së cilës i ka marrë një numër telefoni.

Prezantimi

Në Pekin, për të treguar moshën e fëmijëve, prindërit nuk përdorin vitet, por shenjat astrologjie: majmuni (28 vjeç), kali (30 vjeç), gjarpri (31 vjeç) etj. Një mënyrë për të vendosur që marrëdhënia mes çiftit të funksionojë: këto lloj shenjash, në fakt, nuk duhet të përputhen me njëra-tjetrën. Kështu, Qeni i leh Gjelit sepse e konsideron sipërfaqësor. Ndërsa nga shenja e Demit dhe e Miut mund të dalin çifte të mira.

Një kriter tjetër është etnia. Ashtu si hanët, etnia kryesore në Kinë, edhe personat të cilët u përkasin pakicave, preferojnë të martohen midis tyre. Për këtë, huitë, myslimanët, bashkohen në një zonë më vete në parkun "Zhong-shan". Ndërsa në Shangai, që është më tolerant, më pak formal dhe më pak i turpshëm se Pekini, prindërit shkojnë pa asnjë kompleks në tregun e beqarëve. Edhe pse në Kinë sajtet e takimeve në internet nuk mungojnë- prej dy vjetësh "Meetic" interesohet në këtë treg- prindërit preferojnë të shihen ballë përballë. "Këto takime kanë avantazhin e të qenit shumë efikase. Këtu arrita të gjej grua për djalin tim. Nëse je i sinqertë, mund të gjesh atë që kërkon dhe është shumë më e mirë se agjencitë e martesave", konfirmon një burrë me flokët e thinjur. Pas tij, një zonjë rregullon syzet për të parë foton e një djaloshi: "Ah..., por tregoka më shumë se mosha që ka".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›