Erdogan mund të shkojë në Rripin e Gazas
Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan mund të jetë duke vlerësuar seriozisht mundësinë për të shkuar personalisht në Gaza, në mënyrë që të thyejë bllokadën e vendosur nga Izraeli. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja libaneze "Mustaqbal", e cila citon burime shumë mirë të informuara turke.
Gazeta në pronësi të kryeministrit libanez Saad Hariri, shprehet: "Erdogan po mendon të shkojë në Gaza dhe se ka folur për këtë hipotezë me anëtarët e tij të afërt të qeverisë".
Sipas të njëjtave burime, kryeministri turk i paska njoftuar Shtetet e Bashkuara se i ka kërkuar marinës ushtarake turke të shoqërojë një flotë të re humanitare drejt Gazës që aktualisht ndodhet në fazë përgatitje.
"Administrata e SHBA-së është përpjekur ta ndalojë këtë projekt të kryeministrit turk", konfirmon gazeta "Mustaqbal". Qeveria turke ka qenë shumë e fyer nga sulmi i anijes së ndihmave nga ana e ushtrisë izraelite, sulm që ndodhi në fillim të javës së kaluar. Në këtë sulm mbeten të vdekur 9 civilë të pafajshëm të cilët ishin aktivist pro palestinezë.