E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan përgënjeshtron: Partia ime nuk shkel Kushtetutën

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e ka kritikuar ashpër një propozim të fundit, i cili kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të partisë së tij, me motivacionin se ajo është "kundër vullnetit kombëtar". Një kërkesë e tillë erdhi nga shefi i prokurorëve të vendit, i cili ia bëri një kërkesë të tillë Gjykatës Kushtetuese. Sipas shefit të prokurorëve, Partia AK e Kryeministrit kryen një aktivitet anti-shekullar. Kushtetuta shekullare turke nuk lejon asnjë ndikim fetar në mënyrën e funksionimit të shtetit. Partia AK, e cila ka rrënjë islamike, fitoi një vit më parë zgjedhjet e përgjithshme dhe si pasojë Erdogani është aktualisht Kryeministër i vendit. Në propozimin e tij, Kryeprokurori tha se kishte prova të mjaftueshme që faktonin kërkesën e tij, pra faktin se partia në pushtet kishte shkelur më shumë se njëherë Kushtetutën turke. Ai tha gjithashtu se partia ka qenë nën hetim për 6 muaj. Kryeministri i vendit i është kundërpërgjigjur menjëherë Kryeprokurorit, duke deklaruar se veprimet e partisë së tij janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vullnetin e popullit dhe se askush nuk mund të japë qoftë edhe një provë të vetme në lidhje me aktivitetin anti-shekullar të partisë në pushtet, gjë që do të përbënte një shkelje të rëndë të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorit për Përgjithshëm dhe do të japë shpejt një vendim. Një nga argumentet që janë përdorur kundër Kryeministrit dhe partisë së tij është edhe vendimi i fundit për të ligjëruar përdorimin e shamive të kokës në shkolla, çka më parë nuk ishte e mundur. Pikërisht kjo është edhe një nga provat e forta që ka prokurori në kërkesën e tij për të pezulluar partinë, e cila në zgjedhjet e kaluara mori shumicën e votave të elektoratit turk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›