E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa e fjalëve

Nuk do të kishte dobi të bëhej, sidomos që në nëntitull, kjo lojë mes fjalëve, të cilat në dukje thjesht rimojnë, sikur të mos e dinim se me "futjen në lojë" të mass media-s, veçanërisht asaj elektronike, shumëçka ndryshoi në marrëdhënien e njeriut me fjalën. Falë mass media-s pikëtakimet me gjuhë, kultura e mendësi të tjera, u dendësuan dhe fjala fitoi tjetër rëndësi dhe vlerë. Fjala e mediatizuar u bë më e shpejtë, shërbyese për një numër gjithmonë e më të madh përdoruesish dhe ndikuese në opinionet e tyre. Fjala mori funksione e përmasa të tjera, sidomos në informim, në përhapje e mbi të gjitha në përballjen e pikëpamjeve të ndryshme që na çojnë më pranë të vërtetës. E gjendur në realitetin që, për shkak të shpejtësisë së qarkullimit të lajmit duket se lëviz shpejt, përdoruesit e fjalës në media, në ngutin që kanë mediat për të qenë i pari, shpesh nuk i dhanë vetes kohë të mjaftueshme për t‘u kredhur pingulthi në fondin e vetë shqipes e për të nxjerrë prej aty fjalë e kuptime gjegjëse. Gjëja më e lehtë qe zbatimi me përshtatje sipas dokeve të vendit, i urtisë "zgjat dorën dhe grabit të parën që të shohin sitë". Është lodhur tanimë edhe ribotimi i listës jo dhe aq të shkurtër të fjalëve të huazuara që përdoren "n‘gjuhë t‘huej, kur s‘asht nevoja", siç shkruan Fishta. Por një gjë u kuptua; në kohën e realiteteve virtuale, fjala, ndonëse e pranuar si një nga "valutat" e krijuara nga njerëzimi, u bë e shkëmbyeshme, aq sa të vjen të besosh se në tregun e informimit e në luftën për të qenë më të mirët e më të parët, është krijuar dhe ekziston edhe bursa e fjalëve, vlerësimi, zhvleftësimi apo dhe inflacioni i saj, sipas çastit të (sh)përdorimit. Diçka kemi fituar, por diçka edhe kemi humbur, sigurisht. Ndoshta kjo është "taksa e Karonit" që qytetërimet i paguajnë njëri-tjetrit në kësi rastesh. Nuk kemi pse mëdyshemi për të, pasi kur ka veshë le të dëgjojë e kush ka sy le t‘i shikojë përparësitë e pranisë së mass media-s, sidomos kur duhet mbajtur një qëndrim për sa ndodh apo kur duhet të dëgjojmë se ç‘mendojnë edhe të tjerët.

Komunikimi tradicional, ai përmes shenjave, fjalës së folur apo asaj të shkruar, i është drejtuar gjithmonë veç e veç shqisave: gojës, veshit dhe syrit. Ky i sotmi, komunikimi viziv, kërkon t‘u drejtohet të gjithave njëherësh. Të gjendur in medias res, duhet të këqyrim se ç‘kemi hedhur pas krahëve.

Kemi lënë pas epokën e radios, fjalën në formën e folur, epokën e folësve-stilistë, kohën kur fjala vetëm dëgjohej, i drejtohej veshit dhe njeriu "vetësakrifikohej" duke pranuar të kishte emër, por jo fytyrë, pranonte të bëhej i padukshëm duke u njëjtësuar me zërin e tij. E kishte diçka magjike ajo kohë edhe pse të ofronte ndjesinë e një seance spiritizmi, një mediumi okult, krijuar në dhoma të errëta. E kishte gjithashtu edhe një mision në kuptimin e parë që latinishtja i dha kësaj fjale (missio - detyrë që i ngarkohet dikujt, shërbim). Epoka e artë e fjalës së shkruar, ajo që i drejtohet më shumë syrit, duket se po humb dita me ditë diçka nga e arta e saj. Fjala në epokën virtuale, ndonëse shihet e dëgjohet, ndonëse shkruhet po si dikur, përpiqet të ekzistojë në më shumë forma. Por gjuha, ashtu siç e përdorin atë përdoruesit e zakonshëm, artistët e fjalës së shkruar apo dhe media, gjuha, ashtu siç ajo krijohet e "sajohet" në të folurin e përditshëm dhe në të shkruar - e improvizuar, pra - sot, më shumë se kudo ndeshet në ekrane, është kthyer në imazh dhe matet me pixel. Si kurrë më parë, fjala varet nga përdoruesi i saj, nga ai që e thotë, nga ai që shqipton apo ai që e shkruan në titra. Është pikërisht në dorë të këtij njeriu, folësit televiziv, drejtuesve të programeve televizive apo dhe titruesit, ajo që na bën të pyesim "a kanë mision, emisionet televizive?".

Dihet tanimë se gjuha, para së gjithash, mësohet me veshë, si të qe ndonjë instrument muzikor i temperuar mirë. Ajo madje mësohet shumë vite para se fëmija të shkojë në shkollë. Punët janë ndarë. Nëna-àma të mëson gjuhën, ndërsa mësuesja, "zysha", të mëson shkrim e këndim. Sipas kësaj ndarjeje, thuajse natyrore të punës, gjuha vazhdon të quhet ende gjuhë amtare - e ardhur prej mëmës dhe jo gjuhë mësuesore. Por në se vërejmë sasinë e orëve që njeriu i sotëm i kushton ekranit, qoftë për informim, zbavitje, njohuri apo edhe arsimim në distancë, nuk do të gabonim në se dy togfjalëshave të parë - gjuhë amtare dhe gjuhë mësuesore, i shtojmë edhe një të tretë, gjuhë televizive, duke pasur parasysh atë që mbërrin te ne si gjuhë përmes emisioneve. Dikur kishin pak orë transmetim dhe veçse disa programe. Tani thuajse të gjitha stacionet televizive mëtojnë të jenë në ekran ditë edhe natë, me figurë, zë edhe fjalë të shkruar. Produktet televizive sot janë edhe më të shumta se produktet ushqimore. Ato, herë si bio-produkte e herë jo, herë me pullë të kuqe, herë me të verdhë e me jeshile, janë aq të pandalshme, sa e zaptojnë krejtësisht atë hapësirë 24-orëshe që u krijua për kohën, jo vetëm televizive të njeriut. Nga të gjitha pikat e horizontit mediatik vjen i njëjti kushtrim: Watch now! Just look it! Në këtë peizazh, me prani kaq të madhe mediatike dhe me rolin aq ndikues që ushtrojnë mediat mbi ne, nuk është e tepruar të presim që ato ta kenë edhe një mision gjatë emisioneve televizive që emetojnë. Nëse misioni quhet tepër i rëndë, le të kërkojmë që ato të kenë së paku një qëllim.

Dhe te ky rrafsh, misioni i gjuhës, qëllimi i ruajtjes, lëvrimit dhe përsosjes së saj, mendoj se është nga më të parësorët. Na e ka ënda ta quajmë median "pushtet i katërt", por pushtetet kur merren, ushtrohen me gjithë plotninë e vet. Dëshira më e mirë të shtyn të besosh se edhe te ne media nuk do shndërrohet, pak e nga pak dhe pa e marrë vesh as vetë ajo, në "kolonë të pestë" për kulturën e njëmendtë, në kuptimin metaforik të asaj çka Emilio Mola Vidal cilësoi thuajse 70 vjet më parë.

Po le t‘i kthehemi sërish arsyetimit për të pasur një mision në emisione, mision që rrjedh nga marrja e përgjegjësisë së të qenit publik, gjithmonë i dukshëm dhe ndikues. Nuk është ky rasti më i mirë për të përmendur emisione mëngjesi e mbrëmjeje me tituj të krijuar plot përfytyrim të harlisur që shkon pas shijes së përdorimit të kafesë + nënprodukte. Nuk është as rasti të përmenden stacione televizive apo emra të veçantë. Të ftuarit e ekraneve, jo se jo. Ata janë "të përjashtuar" nga detyrimi për të përdorur në media atë gjuhë për të cilën Kushtetuta bëhet dorëzanë, atë normë për të cilën thuhet se po përgatitet madje edhe një ligj (ndëshkues!) që i del në mbrojtje nga dhunimi. Këta janë paksa më të lirë ta shprehin personalitetin edhe përmes përdorimit të gjuhës, janë të lirë të sjellin me vete ngjyresat dhe sajesat e nëngjuhës dhe mbigjuhës, të gojëfoljeve dhe stilemave vetjake. Dhe të ftuarit nuk janë aq të panjohur sa mund t‘i pandehim. Përkundrazi, i sheh çdo ditë në karuselin shëtitës të ekraneve, duke kërcyer pupthi nga njëri stacion te tjetri. Gjuha e tyre është zhvendosur vetëm pak, sa për shije, aromë e ngjyrë. Dhe ku ma gjen sikur të shpiknin një të folur futuristik, që do i vlente së ardhmes. Me ndërtimin e fjalive të llojit "do të desha thoja", në vend "të dua të them", "do të kisha dashur të përmendja këtu" në vend të "dua të përmend" e plot si këto, ata t‘i nxjerrin qejfit edhe personazhet e Jonathan Swift edhe borgjezin fisnik të Molierit edhe vetë Anadollaku në mësallë të Konicës. Por ajo që u lejohet të ftuarve, zakonisht u ndalohet zotëve të shtëpisë, atyre që janë të detyruar ta respektojnë atë shqipe që lexohet ashtu siç shkruhet dhe që mëton të përdorë sa më pak huazime, kur fjalët gjegjëse janë edhe në shqip. Duke dashur t‘i çlirojmë nga përgjegjësia ata, fjala shkon te ata që, dashur pa dashur, ekrani i shndërron në "mësues pa dashka", në ngulitës të së folurës së bukur. Dhe këta nuk e improvizojnë aty për aty gjuhën, por e kanë të shkruar në skenarët që mbajnë para vetes gjatë ndërtimit të emisionit. Shembujt edhe këtu nuk kanë vlerë.

Gjithçka është e dukshme, në pragun e një endemíe gjithëpërfshirëse për vendasit televizivë. Në vend të shembujve, ju ftoj të uleni para ekranit, të mbani vesh e të këqyrni disa nga emisionet më të ndjekura televizive, në ekrane kombëtare dhe jo të tilla. Për t‘u bërë edhe më "trendy", drejtuesit e këtyre emisioneve i shtojnë performancë-s dhe look-ut të tyre stilizimin e fjalorit vetjak. Duket sheshit se shqipja në gojën e tyre ka bërë hapa përpara, duke mbërritur nga Goxhà-ja e gjyshërve (turq - shumë, mjaft, tepër), te Già e nipërve (it. tashmë) dhe nga Già e nipërve, te DÉJà (fr. tashmë) e stërnipërve. Nuk ka vend për panik, është thjesht çështje filologjike apo filíe, afrie me kulturën prej nga rrjedhin e ku janë formuar, në mos qoftë ndonjë virozë e adoleshencës shpirtërore, sëmundje kjo së cilës nuk i është gjendur ende bari shërues dhe që për fat të keq nuk ikën me moshë, si fruthi. Veshët dëgjojnë shpesh ndërtime të këtilla fjalish... është Goxhà i njohur..., në Kosovë gjendja ishte Goxhà e rënduar... Apo: unë e kisha ngritur këtë çështje Già... Ajo Già kushte ndodhur kur ne... Apo: është një çështje DÉJà e pranuar botërisht, apo, pranimi i Shqipërisë në BE përbën DÉJà një fakt? Këto janë fjalë, por ka edhe ndërtime gjysmake fjalish mungesore të llojit çuditor, që mbarojnë befas me togfjalësha "Ajo ishte një ngjarje me rëndësi për rajonin dhe jo vetëm...", "për kënaqësinë time dhe jo vetëm...", që mbase gjuhë të tjera, veç shqipes, i kanë të natyrshme.

Kjo lehtësi, gjithsesi e durueshme, e pranisë televizive, vjen e rëndohet paksa më shumë te përkthimi televiziv i titruar apo edhe i dubluar me zë në shqip. Qëllon që folësi, duke dashur të shqiptojë emrin e Franz Joseph (Franc Jozefi, perandor i Austrisë dhe mbret i Hungarisë gjer më 1916) shkon e thotë Françesko Xhuzepe, imperator i Austrisë, se kështu ia kanë përkthyer nga italishtja. Kjo sindromë bëhet e frikshme për nga guximi rikrijues në rastin e një filmi vizatimor shumë të njohur në botë. Autorët e filmit, siç dua të besoj, jo krejt pa qëllim dhe "missio", vendosin në gojën e njërit prej personazheve të filmit, poemën aq të famshme të Edgar Allan Poe-s, The Raven - "Korbi", ku ajo Never more! - Kurrë më!, të ngjeth mishtë. Dhe përkthyesi/ja merr guximin ta përkthejë ad absurdum, thua se nuk i ka mbetur fara as edhe njërës nga kopjet e përkthimit të kësaj poezie prej Fan Nolit. Do e kisha lënë me kaq dhe mbase nuk do kisha shkruar fare, sikur pak ditë më parë të mos kisha ndjekur në ekran një version të hershëm televiziv të Robinson Kruzosë. Erdhi çasti aq i njohur, kur Robinsoni ndesh në bregdet njeriun me ngjyrë të cilin e pagëzoi me emrin e ditës kur e gjeti - të premten. Bukur. Por përkthyesi/ja mund të mos ketë pasur atë fat të keq ta lexojë në fëmijëri e në rini këtë libër, pasi ajo që ne e njohim si dyshja Robinson-Premti, për përkthyesin/en ishte këmbyer në Robinson-E Premtja. Eptimet e këtij emri të përkthyer merren lehtë me mend duke u nisur edhe nga fakti se ai që e takon në TV e jo në libër këtë personazh nga më të spikaturit e letërsisë botërore, krijon mendimin se E Premtja është femër (?!) madje femër kanibale, që ha mish njeriu. Dhe nuk është ndonjë çudi e madhe që ky tip lexuesi të të vërë me shpatulla pas murit e të të bëjë rezil se as e paskëshe parë dhe as e paskëshe lexuar ndonjëherë për së mbari Robinson Kruzonë mor qyq.

Të gjitha këto mund të jenë me fare pak rëndësi. Po nëse kthehemi pas, 100 vite të shkuar, në kohën kur ne kishim alfabet, por jo ende shtet. Ca burra jo pak të mençur, të gjithë njerëz me dijë e me gjuhë, kuvendonin qoftë edhe për një bashkëtingëllore dhe kur siç thuhet, zanoren -ë- vendosën t‘ia lënë shqipes me shkrim edhe për nder të De Radës. E me që gjuha mësohet para se të shkohet në shkollë, me veshë, si të qenkësh një instrument muzikor dhe gjersa të mbërrijnë mësuesit ne, dhe sidomos pasardhësit tanë, jemi në dorë të maestrove që mbijnë nga çdo skaj i horizontit virtual. Që veshi, përveçse për të dëgjuar, shërben edhe si rregullues i ekuilibrit e dimë, tanimë, por se me ç‘lloj gjuhe ua gudulisim lodërzën e veshit fëmijëve të screen generation, jo? Kur dëgjon shqipen e ekraneve të vjen njëmend të besosh se "gjuha" është instrument spiral që vetëpërsoset. Dhe kjo tashmë, DÉJà, Già, është Goxhà fakt... dhe jo vetëm...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›