Iran, fitojnë konservatorët
Rezultati i zgjedhjeve iraniane, i publikuar të shtunën, tregoi se konservatorët do të marrin pushtetin në Parlament. Konservatorët morën 108 vende në Parlament me 290 vende gjithsej, ndaj 33 vendeve të reformistëve. Megjithatë, bëhet fjalë për informacione që nuk janë ende zyrtare. Ministria e Jashtme, e cila mbikëqyri zgjedhjet e së premtes, nuk ka dhënë asnjë informacion, duke deklaruar se për rezultatin përfundimtar dhe zyrtar do të duhen ta paktën edhe dy ditë të tjera. Shumë reformistë, duke u përpjekur të kapitalizojnë pakënaqësinë mbarëpopullore në lidhje me rritjen e inflacionit, u skualifikuan nga pjesëmarrja në votime, por ata shpresojnë që edhe Ahmadinexhadi të ketë probleme edhe pse Parlamenti dominohet nga rivalët e tyre konservatorë. "Presidenti do të përballet me shumë sfida në Parlamentin e ri, shumë më tepër se me Parlamentin e mëparshëm", deklaroi Mohamad Ali Abtahi, një aleat i ngushtë i ish-presidentit reformist të Iranit, Khatami. Ndërkohë, zëdhënësi i koalicionit reformist tha se ishin fituar 34 vende në Parlament, por pa përfshirë Teheranin. Reformistët, të cilët nuk janë të gjithë anëtarë të koalicionit, pretendojnë një rezultat më të mirë. Reformistët në legjislaturën e fundit kishin 40 vende në Parlament. Fronti i Bashkuar, lista më e madhe ndër dy listat konservatore, përfshin njëherazi si kritikë, ashtu edhe mbështetës të Ahmadinexhadit. Sipas një analisti politik iranian, situata me të cilën Presidenti i vendit, Ahmadinexhad, do të përballet me shumë vështirësi në Parlamentin e ardhshëm, pasi edhe mes konservatorëve janë krijuar çarje të mëdha dhe jo të gjithë tashmë i përkasin linjës së Presidentit. Situata do të rëndohet sidomos në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009. Reformistët dhe disa konservatorë e kanë akuzuar Ahmadinexhadin për nxitës të inflacionit, i cili tani është 19%, për harxhime marramendëse të parave të fituara nga nafta dhe përgjithësisht për një menaxhim shumë të keq të ekonomisë vendase. Politikanët pro-reformave e kanë akuzuar atë edhe për përdorim të pavend të fjalimeve të ashpra e të egra, sidomos ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fjalime që kanë acaruar shumë situatën ndërkombëtare dhe rrezikuar vetë jetën e iranianëve, që për shumë kohë kanë jetuar me frikën e një konflikti. Megjithatë, Ahmadinexhad ka fituar një mbështetje publike nga autoriteti qendror i vendit, lideri suprem Ali Khameini, i cili ka marrë personalisht në dorë edhe menaxhimin e çështjes bërthamore. Për sa i përket pjesëmarrjes në votime ajo ishte 60% e 44 milionë personave që kanë legjitimitetin për të votuar.