E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Bogdani: Edhe pezullimin kishim mangët

Ka pasur probleme tek Livorno, sepse është një ekip që lufton për "mbijetësë" në Serinë A, por nuk ka qëndruar indiferent për sa i përket situatës aktuale ku ndodhet futbolli shqiptar, pas pezullimit nga FIFA më 14 mars.
"Ne jemi futbollistë dhe duam të luajmë futboll. Jam njohur vetëm nëpërmjet medias rreth situatës aktuale, por sinqerisht mund t'ju them se nuk jam në brendësi të problemit. Megjithatë, kjo është një nga gjërat më negative që mund t'i ndodhë një vendi të vogël sic jemi ne. Tashmë kur duhet të flasim për të ardhmen e kombëtares, edhe pezullimin kishim mangët. Nuk ka ku të shkojë më keq,"- deklaron sulmuesi i kombëtares Erion Bogdani, nëpërmjet linjës telefonike nga Livorno, në një bisedë enkas për "Sportin shqiptar". Si të gjithë futbollistët, edhe Bogdani e shikon këtë problem më shumë në aspketin sportiv, teksa nga pezullimit humbjet kanë nisur për futbollin shqiptar.
"Më vjen shumë keq për këtë gjendje dhe shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt, në të kundërt do të jetë shumë e vështirë për ne. Faktikisht, unë isha përgatitur të udhëtoja drejt Tiranës, pasi në klub kishte ardhur ftesa për ndeshjen miqësore me Moldavinë, e cila sipas programit do të zhvillohej nesër (sot). Por nuk ishte e thënë kështu, sepse më lajmëruan që të mos udhëtoja. Edhe këtu në klub më kanë pyetur për problemin e Shqipërisë, por unë nuk kam qenë në gjendje t'ua sqaroj. Kjo miqësore e shkuar dëm do t'i shërbente shumë edhe trajnerit Ari Han, sepse me ne futbollistët që luajmë jashtë do të ishte prezantimi i parë. Përpara kemi eliminatoret e botërorit 2010 dhe në këtë situatë vetëm humbje kemi. Nëse nuk zhvillojmë të paktën dy-tri teste para ndeshjes së parë me Suedinë, do të jetë e vështirë arritja e rezultateve pozitive. Eshtë për të ardhur keq që në këtë periudhë po flasim për gjëra të tilla dhe jo për të mirën e kombëtares sonë, ku si asnjë herë tjetër kemi shansin të luajmë dy ndeshjet e para eliminatore në fushën tonë. Shpresoj që gjithcka të zgjidhet në kohën e duhur dhe t'i nisim eliminatoret me një fitore para tifozëve shqiptarë,"- mendon sulmuesi më i rëndësishëm i kuqezinjve.
"Gola të tjerë për shpëtimin e Livornos"
Lojërat e tij te Livorno më shumë janë vlerësuar, por Erion Bogdanit i ka munguar goli, teksa ka shënuar vetëm dy herë në këtë sezon, shumë pak për një sulmues. Ai nuk e fsheh se ka qenë nën presion, por goli i fundit ndaj Rexhinës e ka bindur për një vazhdimësi pozitive. Ndërkohë, futbollisti shqiptar hedh poshtë aludimet e mediave italiane, të cilët shkruanin se ai nuk përshtatet me sulmuesin Diamandi.
"Tani ndihem më mirë, sepse të them të drejtën mungesa e golit, që për një sulmues rëndon shumë, më ka futur në gjendje presioni, edhe pse sa herë kam hyrë në lojë, kam dhënë maksimumin. Me Rexhinën luajta si sulmues i parë dhe shënova. Në këtë pozicion ndihem më mirë, por shumë herë kam qenë i tërhequr dhe mundësia për të shënuar ka qenë e paktë. Për sa i përket komenteve të bëra në mediat italiane, mendoj se ato janë thjesht mendime të pa bazuara, sepse nuk ka lidhje fare përshtatëshmëria ime me Diamandin, aq më tepër që edhe në ndeshjen e fundit në krah të tij, unë arrita të realizoj. Më duhet të them se ekipi ndodhet në një pozitë të vështirë, por do të bëjmë të pamundurën për ta shpëtuar Livornon. Nuk është Livorno një ekip që meriton të zbresë në Serinë B. Personalisht, jam i bindur se në këto 9 ndeshje që kanë mbetur, do të shënoj të tjerë gola me fanellën e Livornos,"- shprehet 30-vjecari. Në fund, i pyetur se a do t'i bashkohet Kievos sezonin tjetër, Bogdani shtoi: "Te Livorno jam i huazuar dhe normalisht që sezonin tjetër duhet të luajë për Kievon, sepse kam edhe një vit kontratë. Edhe pse është shpejt për të folur, mund të them se nëse Kievo ngjitet në Serinë A, do të shkoj, në të kundërt, do të shqyrtoj ofertat."
Jorgis MEMO. Sporti Shqiptar
Hani shikon Portugalinë, De Jongu Danimarkën
Trajneri i kombëtares, Ari Han, do të jetë sot i pranishëm në ndeshjen miqësore Portugali-Greqi. Holandezi i kuqezinjve do të vëzhgojë lojën e kombëtares portugeze, që bën pjesë bashkë me Shqipërinë në grupin 1 eliminator. Ndërkohë, nga ana tjetër ndihmësi i tij, De Jong Jakob, do të ndjekë miqësoren Danimarkë-Ceki, ku të parët janë pjesë e grupit të kuqezinjve. I cuditshëm është fakti që dy trajnerët nuk kanë preferuar të ndjekin Suedinë dhe Maltën, dy kombëtare me të cialt Shqipëria do të përballet në takimet e para eliminatore.
J.M.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›