E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango-Duka, skenarët për fitoren individuale

Nga Andi Nuraj, Vizion Plus
Dy ditët e ardhshme pritet të jenë dhe vendimtaret lidhur me të ardhmen e futbollit shqiptar. Ditën e enjte në takimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, 21 përfaqësuesë të klubeve të futbollit do t'i kërkojnë zyrtarisht federatës mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për situatën e krijuar. Presidenti Duka, pavarësisht se kjo sipas tij, cënonte pavarësinë e federates, ishte i gatshëm të mblidhte Asamblenë nëse do të depozitohej kërkesa e klubeve.
Por, përpara këtij takimi, pritet të ketë zhvillime të tjera që mund të jenë në disfavorin e Dukes. 24 orë përpara, përfaqësuesit e klubeve "rebele" mund të kenë një tjetër takim me ministrin Pango dhe ky i fundit mund të detyrojë Dukën të përpleset edhe një herë në dyert e Ministrisë së Sporteve.
Në raundin e pare u duk qartë se shteti shqiptar nuk lëkundet nga kërkesat e tij ndaj institucionit të futbollit. Të shtunën, Duka arriti të ndalte bojkotin duke i bërë thirrje klubeve të jenë të bashkuar për të mirën e pavarësisë së futbollit shqiptar dhe të mos bien pre e ndërhyrjeve politike. Deri tani pavarësisht takimeve me njeri-tjetrin të gjitha palët janë të palëkundura në kërkesat e tyre. Federata kërkon të protestohet si një grup i vetëm ndaj presioneve, klubet rebele insistojnë të mblidhet brenda 15 ditëve Asambleja e Jashtëzakonshme ku pavarësisht se nuk u zbulua në takimin me Dukën do të kërkohet largimi i këtij të fundit. Në pozita më komode, pavarësisht se më i kritikuari nga media sportive, duket Pango. Tashmë më i spostuar, ai pret me qetësi reagimin e vete komunitetit të futbollit në zgjidhjen përfundimtare të këtij konflikti. Por, nëse fati është paracaktuar sic thuhet në librat e shenjtë, atëherë boll të kujtojmë se fituesi herën e fundit ishte Duka në raport me ish-ministrin Leskaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›