E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Isufi, në prokurori e gjykatë për dosjen "Fazliç"

Bashkëpunëtori i Damir
Fazliç në Shqipëri, Erion
Isufi, ka dëshmuar dje
pasdite në Prokurorinë
e Tiranës, ku ka dhënë shpjegime
para grupit hetimor. Për më
shumë se 60 minuta, kunati i
ministrit aktual të Jashtëm, Lulzim
Basha, ka sqaruar organin
e akuzës në lidhje me veprimtarinë
e përbashkët që ka pasur
me shtetasin serbo-boshnjak
në Shqipëri. Ai ka dëshmuar se
ka qenë administrator në kompanitë
e Fazliç, por ka dhënë
dorëheqjen, pasi kompanitë e
tij nuk kanë pasur licenca. Lajmi
bëhet i ditur nga burime pranë
akuzës qendrore, sipas të cilës,
Isufi është pyetur nën cilësinë e
personit që ka dijeni për veprën
penale. Prokuroria thotë se Fazliç,
gjatë kohës që ka pasur biznese së
bashku me Isufin, dyshohet se ka
kryer veprën penale të pastrimit
të parave.
Hetimet për "Fazliç"
Akuzat e ngritura kundër mikut,
tashmë i deklaruar publikisht
të Kryeministrit, Damir Fazliç,
kanë detyruar prokurorinë që të
verifikojë të gjitha transaksionet
e kryera në emrin e tij, në bankat
e nivelit të dytë në vend. Sipas
burimeve zyrtare pranë Prokurorisë
së Tiranës, prokurorët e
çështjes, Besnik Cani dhe Dritan
Rreshka, u kanë kërkuar të gjitha
filialeve të bankave në Shqipëri
të verifikojnë në listën e klientëve
të tyre emrin e Damir Fazliç
dhe punonjësve të tij, që nga viti
2005 e në vazhdim. "Me fillimin e
hetimeve kryesisht është kërkuar
zyrtarisht nga të gjitha filialet e
bankave në Shqipëri që të paraqesin
pranë organit të akuzës
çdo të dhënë, apo veprim të kryer
me emrin e shtetasit anglez, me
kombësi serbo-boshnjake, Damir
Fazliç, apo administratorit të tij,
Erion Isufi. Ky verifikim kryhet
pas dyshimeve se aktshitja e
përpiluar nga avokatja Flutura
Kola dhe vetë Fazliç për kalimin
e kompanisë ‘Crown Aquisitions‘
te kompania mëmë në Qipro, ka
mundësuar pastrimin e parave",
mësohet nga burimet e mësipërme.
Pas kërkesës kanë mbërritur
informacionet e para, ku rezulton
se shuma totale e shitjes së kompanisë
është tërhequr kesh nga
avokatja Flutura Kola.
Pronat e Isufit
Erion Isufi, nëpërmjet avokatit
Ardian Leka, pretendoi dje në
Gjykatën e Tiranës se Hipoteka
ka bllokuar me "urdhër" të prokurorisë
çdo transaksion bankar
të tij. Por ka reaguar përfaqësuesi
i organit të akuzës, Dritan
Rreshka, sipas të cilit shkresa që
pretendon mbrojtja se janë bllokuar
pasuritë e Erion Isufit, bën
fjalë vetëm për verifikimin e të
gjitha pasurive. Rreshka deklaroi
se prokuroria nuk ka urdhëruar
bllokimin e pasurisë së Erion
Isufit, por vetëm verifikimin.
Pas verifikimit, çka rezultoi një
apartament në Tiranë, prokuroria
nuk ka kërkuar sekuestrimin
e pronës, siç veproi me Fazliç.
Gjithsesi në seancës e djeshme,
mbrojtësi i Erion Isufit, Ardian
Leka, debatoi me gjyqtarin Sokol
Tona. Avokati këmbëngulte se
shkresa e akuzës kishte bllokuar
çdo pasuri të Isufit. Ndërsa
shkresa "lexohej" ndryshe nga
gjyqtari, sipas të cilit, në dokumentin
e organit të akuzës është
vetëm fjala "verifikim" dhe jo
"bllokim". Avokati pretendoi se
Hipoteka ka bllokuar pronat e
klientit të tij, ndërkohë ky veprim
ka sjell habi të gjyqtarit dhe
prokurorit, të cilët thanë se nuk
kanë kurrfarë përgjegjësie për
veprimet e hipotekës. Gjyqtari
tha se pretendimet e avokatit
të shkruhen në procesverbalin
e seancës gjyqësore dhe në seancën
e radhës, më datën 24, të
paraqiten në konkluzionin e tij,
gjithashtu edhe prokurori do të
paraqesë pretendimin e organit
të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›