E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi, PD e PS larg konsensusit

Ndryshe nga sa po ndodh me Kodin Zgjedhor, PD-ja dhe PS-ja nuk po munden të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Duket se konsensusi mes dy palëve është ende larg, pasi opozita gjithmonë kërkon që mazhoranca të mos e imponojë vullnetin e saj. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, dje nuk është bërë i mundur shqyrtimi i projektligjit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative. Deputetët e PS-së, anëtarë të këtij komisioni, Majko dhe Fino, kanë kërkuar që të shtyhet diskutimi i këtij projektligji, pasi relatori i tij, deputeti, Spartak Braho, nuk ishte prezent në mbledhje për të bërë të ditur relacionin e tij, sepse ndodhet në grevë urie dhe në shenjë proteste janë larguar nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve. "Në komision duhet të vijë deputeti i LSI-së për të lexuar relacionin e paraqitur, i cili ndodhet në grevë urie. Jeni apo nuk jeni dakord ju që dikush është në grevë urie, ai është kolegu ynë i respektuar, jemi apo s‘jemi dakord ne me çfarë bëjnë kolegët tanë. Unë vetë personalisht nuk mund të pranoj që në mungesë të relatorit dhe për më tepër kur njoh arsyen se ai është në grevë urie nuk mund të vazhdoj diskutimin për këtë projektligj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Refuzoj të jem i pranishëm në mungesë të relatorit dhe mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme procedurale e pastaj morale", deklaroi Majko. Po kështu, deputeti tjetër i PS-së, Bashkim Fino, është shprehur se "në komision duhet të jetë relatori i projektligjit, pasi ne do të bëjmë pyetje dhe kemi diskutime me relatorin dhe në momentin që ai mungon, nuk kemi rrugë tjetër veçse të shtyjmë diskutimin. Ide, e cila nuk është pranuar nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i cili ka lexuar relacionin e hartuar nga deputeti Braho dhe më pas i ka dhënë fjalën ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për të bërë pasqyrimin e projektligjit. Sipas Alibeajt, me këtë projektligj, qeveria vendos drejtësi në kohën më të shkurtër të mundshme. "Me këtë ligj, është krijuar mundësia që të kemi një sistem gjyqësor administrativ, i cili do të jetë efikas, i shpejtë, jashtë praktikave korruptive, që mbron individët, mbron bizneset dhe vendos limitet ligjore të arsyeshme ndaj praktikave abuzive të administratës shtetërore", tha Alibeaj. Më tej, ai ka theksuar se "me këtë projektligj është përcaktuar përfundimisht që gjykimet që kanë qenë një plagë e rëndë e sistemit gjyqësor të mos ndodhin më". Tashmë, tha ministri i Drejtësisë, me këtë projektligj pretendohet që gjykimet administrative të mbarojnë në një kohë shumë të shkurtër, maksimalisht dymujore, në Shkallën e Parë dhe një muaj tjetër në Gjykatën e Apelit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›