Rama: Politikë për popullin, jo për politikanët
"Ne duhet të bëjmë një politikë për popullin dhe jo për politikanët". Ky ishte mesazhi që kryesocialisti Edi Rama ka lëshuar nga Fieri gjatë turit të tij "Dialog për Shqipërinë" në komunat e këtij rrethi. Në fjalën e tij, Rama është munduar që të anashkalojë dhe të mos e komentojë grevën e 11 deputetëve të Parlamentit shqiptar, duke dhënë kështu të njëjtin mesazh se shqetësimi i tij nuk ishte njeriu i politikës, por arma që çon në zgjidhjen e problemeve të popullit. Rama kërkoi me ngulm ndryshim në mendime dhe veprime në bashkëbiseduesit e tij, banorë të fshatit Kuman të Komunës Kurjan të rrethit Fier për të arritur te ndryshimi që kryesocialisti ofron. "Shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten spektatorë të atyre politikanëve që kërkojnë të zgjidhin etjen e tyre për pushtet dhe vetëm hallet e problemet e tyre sa kohë që politika nuk mendon për këto probleme. Ne duhet të bëjmë një politikë me dhe për njerëzit. Duhet të bashkëpunojmë për të bërë politikë për të arritur deri te zgjidhja e problemit të bukës, e problemit të shkollimit, apo të prindërve tanë që dalin në pension", është shprehur kreu socialist, Edi Rama. Më tej, ai theksoi faktin se duhet gjetur një rrugë e përbashkët e arsyes, për të zgjidhur problemet, pasi në të kundërt, sipas tij, kostoja do të ishte e madhe dhe tepër negative. "Ne do të kemi një mal problemesh të pazgjidhura dhe shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten telespektatorë të shfaqjeve banale që jepen nga ata që quhen politikanë, të cilët supozohet të merren dhe të zgjidhin problemet e njerëzve, por në të vërtetë merren vetëm me problemet e tyre", tha Rama.