E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi nga financat, opozita kundërshton

Qeveria shkel të drejtën kushtetuese të jetës private të shtetasve me projektligjin për përgjimet. Partia Socialiste e kundërshtoi dje këtë projekt përmes kreut të Komisionit për Çështjet Ligjore pranë Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani. Në vijim të nismave ligjvënëse, antidemokratike që qeveria e Sali Berishës ka ndërmarrë, theksoi ai, sot gjendet në Kuvend edhe një projektligj për ndryshim në ligjin për përgjimet telefonike. Një nga drejtuesit e partisë më të madhe të opozitës kujtoi se vetëm pak muaj më parë qeveria miratoi me dhunë kartonësh një ligj për përgjimet, ku i jepet kompetencë e gjerë Policisë së Shtetit. "Tani me projektligjin e ri, qeveria kërkon të përgjojë telefonin e çdo shqiptari, sa herë që kjo kërkohet nga Sali Berisha, ose ministrat e tij", vlerësoi Manjani. Sipas tij, kjo do të thotë se çdo biznesmen që përdor telefonin për të bërë biznes, duhet të llogarisë se biseda e tij mund të merret nga qeveria dhe të përdoret kundër interesave të tij legjitime. "Çdo gazetar që raporton lajmin nëpërmjet telefonit, do t‘i duhet të llogarisë se lajmi më parë kalon nga Kryeministri!" - tha ai. Teksa shtoi se çdo gjykatës, prokuror apo zyrtar që konsumon biseda private në telefonin e tij do bëjë mirë të mos harrojë të thotë fjalë të mira për Kryeministrin, nëse do të rrijë në punë. "Kjo është mënyra se si e koncepton pavarësinë kushtetuese Sali Berisha", ironizoi Manjani. Ai sqaroi se çdokush që përdor telefonin për të komunikuar me të dashurit e tij, apo saj, tashmë duhet të mbajë në konsideratë se do t‘i duhet të ndajë bisedën me Sali Berishën. Manjani tërhoqi vëmendjen se ky qëllim i Sali Berishës bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve. Kushtetuta e vendit në nenet 17, 35 dhe 36 garanton të drejtën e ruajtjes së jetës private të çdo shqiptari, kurse qeveria i shkel këto të drejta kushtetuese! "Me kësi ligjesh, Partia Socialiste nuk mund të pajtohet. Ndaj ne i bëjmë edhe njëherë thirrje mazhorancës të ndalojë dhunimin që qeveria u bën lirive dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve", insistoi Manjani. Ndërhyrja e parë që propozohet është në nenin 6 të këtij ligji, i cili thotë se "Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore". Në projektligj parashikohet që pas fjalëve "…Ministrisë së Mbrojtjes…" të shtohen "…ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore...".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›