E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita me retorikë negative në parlament

Reagon zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta

Pas akuzave të panumërta të palës opozitare, e cila vinte në këtë seancë pas 2 javëve bojkot, ka reaguar zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ka deklaruar se opozita po përdor retorikë negative kundër reformave dhe integrimit të vendit.
“është për të ardhur keq që opozita, në vend që të kontribuojë, dhe të mbrojë interesat e atyre që kanë vendosur për të protestuar, vijon të sillet në një mënyrë tejet destruktive dhe shumë të gabuar. Në momentin kur mesazhet që vijnë janë pozitive si nga BE dhe NATO, të cilat i përcolli dhe Rasmussen, se Shqipëria ka treguar se është një anëtare te denjë e kësaj aleance dhe se ka shënuar progres të gjerë. Jam i bindur se një pjesë e zonave të vendit tonë, jetojnë në varfëri, por nuk mund të jetë përgjegjësia e një force politike, aq më tepër kur e gjithë bota, është e prekur nga një krizë e rëndë, ndërsa Shqipëria është konfirmuar si shembulli i suksesit dhe stabilitetit ekonomik”, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Kryediplomati shqiptar duke u ndalur te pretendimet e opozitës, tha se për këtë shkak është ngritur një komision hetimor me shumicën e PS-së dhe njëherazi i është këshilluar t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuse.
“Opozita nuk ka bërë as njërën dhe as tjetrën. I bëj thirrje të kontribuojë për liberalizimin e vizave dhe të tregojë se Shqipëria është një vend anëtarë i NATO-s dhe të tregojë se opozita gëzon standardet e një vendi kandidat për anëtarë në Bashkimin Evropian”, tha më tej, nr 2 i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›