Shefi i NATO-s, Rasmussen: Opozita të zerë vendet në parlament, kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve

Ligji i SHISH, çështje sekrete, por e rëndësishme është që ligjet të jenë sipas standardeve të NATO-s
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen është shprehur sot në Tiranë në takimet e zhvilluara me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, se zgjedhjet e 28 qershorit ishin të lira dhe të ndershme, dhe se ndërkombëtarët kanë certifikuar procesin. Gjatë një konference për shtyp, pas takimit me kryeminsitrin Berisha, Rasmussen, informoi se është në të mirën e Shqipërisë që opozita të jetë në parlament. Opozita duhet të zërë vendin e saj në Kuvend. Nuk dua të përzihem me çëshjte të brendshme politik, por shpresoj të gjitha partitë politike të jenë të angazhuara pozitivisht. Komuniteti ndërkombëtar e ka njohur mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet. Bazuar në eksperiencën time mendoj se rruga më e mirë është të gjitha grupet politike të angazhohen pozitivisht, duke përfshirë edhe opozitën, duke përfshirë marrjen pjesë në Kuvend”, u shpreh ai. Rasmussen vlerësoi Shqipërinë për suksesin e saj në vitin e parë në NATO. “Ne vlerësojmë angazhimin tuaj në Aleancë, dhe kontributin tuaj në Afganistan”, tha ai. Rasmussen tha se në takim u diskutua situata në rajon. “Mirëpres vendimin e ministriave të Jashtëm për t’i ofruar Bosnjes një plan veprimi për anëtarësim”, shtoi ai. Rasmussen tha se shpresonte të shihte përmirësim në raportet Serbi-NATO. Sa i përket Kosovës, Rasmussen pohoi se situata mbetet e brishtë. “Ne kemi vendosur të reduktojmë trupat e KFOR-ti, por gjithçka mbi bazën e një analize politike e ushtarake. Nuk do marrim asnjë hap që mund të ketë ndikim negativ në siguri”, theksoi ai. Nga ana e tij, kreu i qeverisë Berisha tha se ka njohur kreun NATO-s Rasmussen me reformat e qeverisë dhe përpjekjet e Shqipërisë për të intensifikuar bashkëpunimim ne NATO-n. “Qeveria do bëjë çdo reformë, do marrë çdo vendim për plotësuar detyrimet e saj si anëtare e NATO-s”, tha ai. Berisha deklaroi se në takim u diskutua për zhvillimet në rajon. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha deklaroi se opozita ështe e mirëpritur në Kuvend. “Së bashku me opozitën kemi bërë reforma të jashtëzakonshme. Mbetem i hapur për bashkëopunim të ngushtë për të vazhduar bashkë me ta reformat”, nënvizoi ai. Kreu i qeverisë u shpreh pro mburojës antiraketore në Shqipëri. Gjithashtu Berisha dhe Rasmussen, kanë diskutuar edhe në lidhje me ligjin për SHISH. Rasmussen shtoi se i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me standardet e NATO-s. “Konfirmoj se kam biseduar me kryeministrin Berisha dhe sot diskutuam edhe këtë çështje. Nuk komentoj në çështjet e Shërbimit Sekret e Sigurisë. Por kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me rregullat e NATO-s”, tha Rasmussen.
...