E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat për fëmijë në ekranin e Arkivit

10/06/2011  Janë filma të cilët shumëkush prej nesh i ka të gjallë në kujtesë. Personazhe me të cilët jemi rritur dhe batuta që na bashkëshoqërojnë shpesh edhe sot. Të gjithë i kujtojnë filma të tillë si: “Mimoza llastica”, “Shoku ynë Tili”, “Taulanti kërkon një motër”, “Tomka dhe shokët e tij” apo “Beni ecën vetë”. Lista e këtyre filmave është edhe më e gjatë se kaq…

Këta filma, tashmë pjesë e fondit të artë të filmit shqiptar, kanë filluar të shfaqen në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe do të vijojnë të shfaqen përgjatë gjithë qershorit. Shikuesit e këtyre filmave nuk janë vetëm fëmijët e atyre viteve, tashmë të rritur, por edhe fëmijë të këtij brezi, të cilët kanë qenë spektatorët e tyre përgjatë këtyre ditëve.

Kështu është shfaqur “Mimoza llastica”, duke sjellë vajzën e vogël tekanjoze dhe të përkëdhelur që jeton nën kujdesin e tepruar të gjyshes, për të vijuar edhe me shfaqjen e të tjerë filmave, një pjesë e mirë e të cilëve janë të lidhur ngushtësisht me emrin e regjisores Xhanfize Keko.

Ishte viti 1971 ai që shënoi xhirimet e të parit film për fëmijë, “Kryengritje në pallat”, me regji të Kekos, i cili do të shfaqej për publikun në vitin 1972. Më pas do të vijonin të tjerë filma: “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë”, film i cili u vlerësua me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Me këta filma të Xhanfize Kekos, Shqipëria u përfaqësua në festivale të ndryshme ndërkombëtare ku u vlerësua me çmime e tituj.

“Beni ecën vetë” mori “Medaljen e Nderit” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”, në Itali, në vitin 1976 dhe çmimin e “Organizatës së Pionierit” si “Filmi më i Mirë për Fëmijë” në Festivalin e Filmit në Beograd. Po ashtu edhe filmi “Tomka dhe shokët e tij” fitoi Çmimin Special në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Giffoni të Italisë në vitin 1978. “Pas gjurmëve” 1979 fitoi Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane në vitin 1979, kurse filmi “Kur po xhirohej një film” u vlerësua me “Medaljen e Argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival” në vitin 1983.

Shfaqja e këtyre filmave në kinemanë e Arkivit të Filmit vjen pas një sërë aktivitetesh të ngjashme të këtij të fundit për shfaqjen e filmave të animuar, filmave më të mirë dokumentarë shqiptarë apo artistikë të Ballkanit e më gjerë. Ky projekt i fundit realizohet në bashkëpunim me shkollat e Tiranës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›