Grupi i inxhinierëve: Pse nuk monitorohet koncesioni i bakrit
Një grup inxhinierësh të industrisë minerare kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë monitorimin e koncesionit te industrisë së bakrit. Përmes disa shkresash drejtuar qeverisë shqiptare, METE-s, por edhe organeve të drejtësisë, ata paralajmërojnë për dëmet që po i shkaktohen ekonomisë kombëtare dhe kërkojnë zbatimin e ligjit për ushtrimin e aktiviteteve koncesionare. Përmes një letre drejtuar zotit Berisha, ata kërkojnë futjen në filtër dhe verifikimin në detaj në ligjit për koncesionin në sektorin e industrisë së bakrit, pezullimin e aktivitetit të koncesionarit në vendburimin polimetalor të Munellës, mbajtjen nën kontroll të ecurisë së koncesionit dhe pezullimin e demolimit të uzinës së Bakrit në Rubik. Pas asgjësimit të uzinës së vjetër në Rubik, radhën e ka uzina e re, e cila ka kaluar në procedurë shitje dhe pritet që të bëhet asgjësimi i saj, gjë që shënon rrënimin përfundimtar të industrisë së pasurimit dhe prodhimit të bakrit blister në Shqipëri pas më shumë se 75 vjetësh.
A monitorohet koncesioni?
Me gjithë alarmet e dhëna më parë nga specialistët për humbje deri në qindra milionë dollarë në shfrytëzimin e burimit polimetalor të Munellës dhe mënyrës së pasurimit të bakrit, pa respektuar ligjin për koncesionin dhe marrëveshjen e nënshkruar mes qeverisë dhe kompanisë “Ber-Oner”. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe ish-ministri i Ekonomisë, Viktor Doda, i cili në një intervistë për gazetën “Albania” kërkoi që të monitorohet respektimi i marrëveshjes nga koncesionari i bakrit në vendin tonë. Por, ishte vetë ministri Prifti, i cili deklaroi se do të futen në filtër të gjitha marrëveshjet koncesionare. Ndonëse janë penalizuar disa kompani që ushtrojnë aktivitetin në industrinë minerare, sërish nuk ka pasur asnjë nismë për verifikimin e mënyrës së shfrytëzimit dhe pasurimit të bakrit nga firma që ka në koncesion minierat e Munellës dhe Lak-Rroshit.
Koncesioni i bakrit
Përmes Ligjit Nr. 8761, datë 02.04. 2001, është miratuar “Marrëveshja e koncesionit e formës ‘BOT’ ndërmjet ish-Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit (sot METE) dhe shoqërisë turke ‘Ber – Oner’, për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit, si dhe dhënien e disa stimujve dhe garancive për koncesionarin e kësaj marrëveshje”. Përmes saj jepeshin me koncesion objektet kryesore të industrisë së bakrit, që OSHA (organ i autorizuar nga Këshilli i Ministrave) ia beson koncesionarit për të realizuar rehabilitimin, modernizimin, financimin dhe shfrytëzimin e tyre, e transferimin e investimit të kryer në fund të periudhës. Sipas marrëveshjes, firma merrte në dorëzim minierat e Munellës, të Lak-Rroshit, Karmës, Vllahës, Perollajt, Golajt, fabrikat e pasurimit të Fushë-Arrëzit, Mjedës, Golajt, uzinën e bakrit në Rubik (fabrikat e shkrirjes dhe rafinimit) dhe impiantin e tharjes dhe fraksionimit të skorieve në Shëngjin (objekt i uzinës Rubik). Kompania do të realizonte investimin prej rreth 20 milionë dollarësh për rehabilitimin e objekteve të industrisë së bakrit, sipas tri fazave të ndërvarura nga njëra-tjetra, të cilat do të duhej të përfundonin brenda vitit 2006, duke realizuar ciklin e plotë të përpunimit në vend të pasurisë natyrore. Pas dy viteve të para koncesionari ishte parashikuar që të kalonte në eksportues të produkteve finale të metaleve, si bakër, ar, argjend, selen, skorie furrë etj.
Situata sot
Grupi i inxhinierëve konstatojnë se “ecuria e zbatimit të kësaj marrëveshjeje shoqërohet me shkelje të elementeve të saj, të kërkesave të ligjit për koncesionet në industrinë minerare, si dhe legjislacionin ekonomiko-financiar në tërësi”. “Me këtë ecuri, kjo kompani po keqpërdor pasurinë e dhënë për zhvillim, në dëm të interesave publike të pronarit-shtet”, - thuhet në letrën dërguar kryeministrit Berisha. Sipas tyre, “kompania koncesionare nuk ka zbatuar strukturën dhe nivelin e investimeve të miratuara, si në vlerë dhe në afatet kohore të projektit; ka marrë në dorëzim dhe ushtron aktivitetin vetëm në dy objekte minerare (Munellë dhe Lak-Rosh), përfshirë fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz (objekt pranë këtyre dy vendburimeve), si dhe impiantin e tharjes dhe fraksionimit të skorieve në Shëngjin”. Specialistët konstatojnë se janë lënë jashtë marrëveshjes shumica e objekteve, si miniera e Karmës, fabrika e pasurimit në Mjedë dhe uzina e bakrit në Rubik, e cila po asgjësohet.
“Puna e kësaj kompanie është përqendruar në shfrytëzimin selektiv të minierës së bakrit në Munellë, vendburimit më të madh të zbuluar deri tani në vendin tonë, me rreth 9 milionë rezerva bakri”, - thuhet në letër. Sipas projektit “Ber-Oner” do të bënte përpunimin e trupit të pasur direkt në shkrirje në uzinën e bakrit në Rubik.
Ekspertët pohojnë se “kompania, nisur nga interesa të ngushtë ekonomikë, ka mënjanuar përpunimin në shkrirje në Rubik, duke u orientuar në pasurim të këtij trupi minerar e dalje direkt në eksport me koncentrat bakri. Në letër shkruhet se “ka një keqtrajtim të kësaj pasurie në procesin e pasurimit, për faktin se arrihen tregues shumë të ulët tekniko– ekonomike, shkallë përfitimi të bakrit, 65 – 70%, nga 85% që duhej sipas marrëveshjes së përcaktuar. Metalet e çmuara, si ari dhe argjendi, shfrytëzohen 20–25%, ndërsa zinku, së bashku me pjesën tjetër të bakrit, arit dhe argjendit kalojnë në masën sterile si mbetje të procesit të pasurimit. Inxhinierët pohojnë se deri më tani koncesionari ka shfrytëzuar rreth 600 mijë tonë mineral të pasur, duke realizuar përfitim të rreth 110 mijë tonëve koncentrat bakri për eksport.
Humbjet nga keqpërdorimi
Specialistët pohojnë se deri tani i janë shkaktuar dëme kolosale pasurisë kombëtare. “Nga përpunimi me tregues shumë të ulët teknikë, për rreth 60% të rezervave të trupit të pasur polimetalor, megjithëse kompania fiton në mënyrë të ndjeshme, dëmi i krijuar rezulton i lartë, sepse nuk përfitohen rreth 5800 tonë metal bakri, e konvertuar me rreth 29 mijë tonë koncentrat bakri, rreth 1650 kg ar, 27 300 kg argjend, rreth 25 000 tonë koncentrat zinku. Dëmi në total i këtyre zërave arrin në rreth 92,3 milionë dollarë. Po ashtu, shfrytëzimi joefektiv i dy burimeve në Munellë dhe Lak-Rroshi i kushton shtetit një dëm prej 150 milionë dollarësh. Në morinë e dëmeve, specialistët rendisin edhe faturën prej 15 milionë dollarësh të shkaktuar nga prishja e infrastrukturës së uzinës së bakrit në Rubik. Koncesionari ka pasur edhe lehtësira fiskale të cilat, llogaritet se i faturohen shtetit si humbje në 35 milionë dollarë. Një tjetër humbje është edhe mosrespektimi i marrëveshjes për punësimin e 600 personave në të gjitha hallkat që nga shfrytëzimi deri në pasurim dhe shkrirje. Shqetësimi më i madh i specialistëve është humbja e një rezerve prej 8 milionë tonë mineral në Munellë, i cili thuhet se është mënjanuar nga koncesionari pasi po përdor trupin e pasur.
“Është për të ardhur keq se pasi u hartua në vitin 2006 strategjia 15-vjeçare e industrisë minerare, pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, miratuar me vendim qeverie, shumë shpejt ajo u shkel”, - thonë specialistët. Pjesë e kësaj shkeljeje janë shkatërrimi i industrisë përpunuese dhe shkrirëse, duke demoluar thuajse të gjitha objektet me justifikimin e ndotjes që shkaktojnë në mjedis. Në vitin 2005 kompania që ka marrë bakrin me koncesion u pezullua përkohësisht, por më pas ajo vijoi punën dhe nuk ka të dhëna nëse janë ushtruar kontrolle apo monitoruar si koncesion me gjithë deklarimet e dhëna nga Ministria e Ekonomisë disa muaj më parë.
KËRKESAT
1-Pezullim të aktivitetit të kompanisë në pasurim minerali të vendburimit polimetalor të Munellës, deri në një vendimmarrje objektive.
2- Kontroll të ecurisë së këtij koncesioni nga fillimi deri tani.
3- Monitorimin dhe rivlerësimin e marrëveshjes së koncesionit për objektet e industrisë së bakrit, bazuar në ligjin për koncesionet dhe ligjin minerar, përcaktim të dëmit të krijuar nga moszbatimi i saj, penaliteteve për zhdëmtim etj.
4- Pezullimin e demolimit të uzinës së Bakrit në Rubik, shfuqizimin e procedurave për këtë qëllim, mbajtje në konservim nën monitorimin e vetë Ministrisë, nga vlera e mallit gjendje, e trajtim të këtij objekti domosdoshmërisht si pjesë e marrëveshjes së koncesionit, natyrisht me ftesë investitorësh seriozë.
PROBLEMET PËR VERIFIKIM
Të merren të dhëna për projektin fillestar, të paraqitur në periudhën 1999-2000
Si ka qenë skema e propozuar për t’u dhënë me koncesion
Të shikohet Marrëveshja e miratuar nga Kuvendi, me anekset e saj
Të shikohen detyrimet sipas ligjit për koncesionin
Të verifikohet ecuria e saj nga periudha e marrjes në dorëzim deri më sot
Të shikohen procedurat për demolimin e uzinës së Rubikut
Të shikohen punimet për fillimin e shfrytëzimit të Munellës
Të merren të dhëna nga Munella e Fushë-Arrëzi për cilësinë e mineralit e cilësinë e koncentratit e dambës
Të merren të dhëna për treguesit e rikuperimit në pasurim nga viti 2004 (gusht) deri tani për bakrin, zinkun, arin, argjendin etj.
Të verifikohen të dhënat me doganën, si është kaluar koncentrati, me analizat e plota për bakër, zink, ar, argjend etj.
Të shikohet si është paguar renta minerare sipas ligjit etj.
Të shikohet nga ekspertët raporti fitim i shtetit dhe kompanisë
Të kërkohet dokumenti që ka miratuar edhe qeveria në korrik 2006, për Strategjinë 15-vjeçare të Industrisë minerare
Të investigohet rruga e ndërtimit të Landfillit në Rubik
Të shihet si janë zbatuar marrëveshjet kolektive të punës me punonjësit
20 Gusht 2010