Turizëm dhe seks, shkatërrohet organizata e prostitucionit
TIRANË - Pushime dhe seks. Skema ishte ndërtuar dhe disa të rinj kishin marrë me vete dy vajza, të cilat i përdornin si prostituta në bregdetin e Kavajës. Aktiviteti i jashtëligjshëm i tyre ka vazhduar deri ditën e djeshme, kur janë vënë në pranga 5 persona dhe një vajzë është në kërkim. E, në këtë mënyrë, pushimet për turistët kanë qenë të shoqëruara edhe me momente të nxehta, veç diellit përvëlues. Në krah të pushuesve kanë qenë adoleshente. Kjo ka qenë shërbimi që të arrestuarit Gerti Caca, Besnik Shaholli dhe Mariglen Abdurrahmani u kanë ofruar pushuesve të huaj këtë verë. “Summer 2010” u kodua operacioni nga policia e Kavajës, ndërkohë që në pranga ranë 5 persona, ndërsa një e gjashtë është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, tre të arrestuarit kanë shfrytëzuar tri vajza adoleshente si prostituta në hotele luksoze, ndërkohë që për çdo akt seksual me klientë të huaj ato merrnin 100 deri në 200 euro. Baza u shkatërrua mbrëmjen e dy ditëve më parë, pas tre muaj hetimesh, kur policia arrestoi në flagrancë organizatorët e saj.
Arrestimi
Kanë qenë specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, Forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë dhe Strukturat e Krimit të Organizuar në Komisariatin e Policisë Kavajë, të cilët mbrëmjen e dy ditëve më parë kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të pesë personave. Operacioni u kodua “Summer 2010”, ndërsa në pranga ranë: Gerti Caca, 33 vjeç, me banim në Synej Kavajë, Besnik Shaholli, 58 vjeç, me banim në Tiranë, Mariglen Abdurrahmani, 30 vjeç, me banim në Durrës, B. H., 22 vjeçe, me banim në Golem Kavajë dhe D. R., 18 vjeçe, banuese në Përrenjas, Elbasan. Policia ka bërë me dije se në kërkim është shpallur edhe shtetasja R. A., 20 vjeçe. Hetimet në ngarkim të tyre do të ndiqen më tej nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Mbi ta rëndojnë akuzat e “trafikimit të femrave për prostitucion”, “prostitucionit” dhe “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”.
Hetimet
Hetimet në ngarkim të gjashtë të akuzuarve janë kryer nga specialistët e seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, Sektori i Forcave të Posaçme në Policinë e Tiranës dhe Seksioni Kundër Krimit të Organizuar në Komisariatin e Policisë së Kavajës. Tre muaj i është dashur efektivave të policisë për të zbuluar bazën e prostitucionit që funksiononte në Golem dhe në Tiranë. Sipas hetimeve mësohet se të arrestuarit Gerti Caca, Besnik Sharholli dhe Mariglen Abdurrahmani, kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni, tri vajza, duke iu gjetur kryesisht klientë turistë, të cilët kryenin me to marrëdhënie seksuale në hotelet luksoze në zonën e plazhit Golem dhe në Tiranë. Në kryeqytet vajzat mësohet se shfrytëzoheshin në hotelin e Besnik Shahollit, i cili ndodhet në Vaqar. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se një akt seksual vajzat merrnin nga 100 deri në 200 euro.
Të arrestuarit
Gerti Caca, 33 vjeç
Besnik Shaholli, 58 vjeç
Mariglen Abdurrahmani, 30 vjeç
B. H., 22 vjeç
D. R., 18 vjeçe
Në kërkim
R. A., 20 vjeçe
Krimi
Ekzekutohet në derë të shtëpisë 21-vjeçari
SHKODËR - Ekzekutohet me gjashtë plumba një 21-vjeçar. Elton Vukata është ekzekutuar në momentin që ishte duke hyrë në pallatin e tij. Viktima është dërguar menjëherë në Spitalin e Shkodrës, ndërsa ka humbur jetën gjatë rrugës. Sipas hetimeve, mësohet se viktima ka qenë i vetëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Efektivat e policisë janë duke hetuar në disa pista në lidhje me ngjarjen, mes të cilave edhe e kaluara e viktimës. Policia nuk ka asnjë të dhënë se kush mund të jetë autori apo autorët e kësaj ngjarjeje. Edhe dëshmitarët okularë, të cilët janë shoqëruar nga policia, nuk kanë mundur të japin një përshkrim të autorit apo autorëve, pasi në momentin që kanë dëgjuar krisma ata janë larguar me vrap. Policia e Shkodrës është duke hetuar në disa pista në lidhje me motivin e vrasjes së 21-vjeçarit. Një prej pistave ku është mbështetur hetimi është e kaluara e viktimës. Mësohet se ai kishte shumë pak kohë që kishte lënë ambientet e paraburgimit. Mësohet se më datën 6 mars të vitit të kaluar, rreth orës 19:00, në një parking automjetesh në lagjen “Daniel Matlia”, rruga “Halit Bajraktari”, viktima ka ndërhyrë mes dy personave që po grindeshin për t’i ndarë. Në momentin e ndërhyrjes së Vukatanës, shtetasi Flamur Kalvari është konfliktuar me të. Në këto momente Vukatana e ka goditur dy herë me një thikë bistak që e mbante në tufën e çelësave, duke e plagosur rëndë. Viktima mësohet se është vetëdorëzuar në polici më datën 17 qershor të vitit të kaluar, duke u akuzuar për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, si dhe hetimit gjyqësor të bërë nga Gjykata e Shkodrës, Vukatana, me vendim numër 430 të datës 3 nëntor të vitit të kaluar është shpallur fajtor. Ai u dënua me tre vjet burgim, por duke qenë se gjykohej me gjykim të shkurtuar, ai ka përfituar një të tretën e uljes së dënimit, ku dënimi përfundimtar ka qenë me 2 vjet heqje lirie. Duke qenë se marrëdhëniet mes dy palëve që normalizuar, gjykata vendosi që ta lirojë me kusht të riun për 5 vjet. Sipas vendimit të gjykatës, Vukatana nuk duhet të kryente asnjë vepër penale gjatë kësaj periudhe, në të kundërt do të arrestohej, si dhe do të vuante dënimin që u lirua me kusht.
Përplasen dy makina, tetë persona të plagosur
GJIROKASTËR - Drejtimi i makinës në gjendje të dehur është bërë shkak i një aksidenti me tetë të plagosur në qytetin e Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë rreth orës 20:00, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Mulliri i Babait”. Në aksidentin e rëndë janë përfshirë tri makina. Ka qenë Agron Saraçi, drejtuesi i mjetit “Volkswagen Passat” me targa greke IZH 3625 që ka nisur serinë e përplasjes që ka sjellë dëmtimin e 8 personave. 37-vjeçari Saraçi, nga fshati Picar i Gjirokastrës, sipas policisë, ka qenë në gjendje të dehur dhe ka tejkaluar normat e shpejtësisë. Në këtë moment ai ka goditur automjetin tip “Mercedes Benz” (kamionçinë) me targa KR 6895 A, që drejtohej nga 29-vjeçari Agron Rama nga Fushë-Kruja. Në të njëjtin moment ai ka goditur dhe automjetin tip “Seat” me targa greke YXN 1051, që drejtohej nga 31-vjeçari Sokol Kazo, lindur dhe banues në Sarandë. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur tre persona në automjetin tip kamionçinë, drejtuesi dhe dy pasagjerë nga Fushë-Kruja që udhëtonin me të. Ndërsa në makinën “Seat” janë plagosur drejtuesi dhe gjithë anëtarët e familjes së tij, gruaja Vojsava Kazo, 27 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tij, vajza Ollga Kazo, 7 vjeçe dhe djali Angjelo Kazo, 4 vjeç. Sipas policisë, në makinë ka qenë dhe vëllai i Vojsava Kazos, i cili është plagosur lehtë. “Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore rezultoi se nga 8 të plagosurit, 4 prej tyre kanë pësuar dëmtime të lehta dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore gjatë ditës së djeshme kanë dalë nga spitali, ndërsa 4 të tjerët, konkretisht familja Kazo, është transportuar për në Janinë për trajtim më të specializuar me kërkesën e tyre, por, sipas mjekut, nuk kanë rrezik për jetën”, - njofton Policia e Gjirokastrës. Policia ka bërë arrestimin e Agron Sraçit për “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur”, si dhe “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
20 Gusht 2010