E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Politizimi i ‘Himarës’, reminishencë e politikave të vjetra”



Shefi i Diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, i ka cilësuar përpjekjet për politizimin e krimit të ndodhur pak ditë më parë në Himarë një reminishencë të politikave të vjetra, të cilat nuk gjejnë më vend në Shqipërinë europiane. Sipas Metës, më e rëndë se politizimi i kësaj ngjarjeje është humbja e jetës së një djali të ri, për të cilën prokuroria dhe organet e tjera të ligjit po bëjnë të gjitha përpjekjet për ta zbardhur si krim dhe për të dënuar autorët. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, është shprehur se politizimi i ngjarjeve të tilla duke përdorur metoda të politikës së të kaluarës, nuk mund të fitojnë dot terren në një Shqipëri dhe në një Ballkan europian. Gjatë një konference për shtyp, zëvendëskryeministri ka dënuar deklaratat për pavarësinë e Veriut të Kosovës. Ai e ka konsideruar të paprekshëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa i pyetur për letrën dërguar sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, Meta u shpreh se kjo është një histori e stisur.
Himara
“Unë besoj se prokuroria dhe organet e ligjit do ta zbardhin atë krim të shëmtuar dhe njëkohësisht do t’i vendosin autorët para përgjegjësisë në maksimumin që jep ligji”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme. Ai nënvizoi se më shqetësuese se deklaratat për politizimin e çështjes, është humbja e jetës së një personi. “Më shqetësuese se deklaratat apo përpjekjet për të instrumentalizuar këtë incident të rëndë, unë mendoj se shqetësuese, më e rrezikshme është humbja e jetës së një qytetari të Himarës. Natyrisht që u mbetet autoriteteve të shtetit, i mbetet prokurorisë, policisë, u mbetet gjykatave për të zbardhur këtë akt të rëndë kriminal. Ndërsa, mendoj se çdo lloj përpjekjeje për të politizuar dhe për të instrumentalizuar politikisht apo për arsye të tjera, është një reminishencë e politikave të vjetra, që nuk mund të fitojnë dot më terren në një Shqipëri europiane, në një Ballkan europian”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta.
Të enjten e kaluar, qytetari himarjot Aristotel Guma u përplas me makinë dhe nga kjo gjeti vdekjen e menjëhershme. Përfaqësues të minoritetit grek në Himarë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, akuzuan autorët dhe thanë se ngjarja nuk kishte qenë një aksident, por një krim i qëllimshëm për arsye etnike. Madje, të nxitur nga deklaratat e mësipërme, përfaqësues të minoritetit grek organizuan protesta dhe bllokim rrugësh në Himarë. Këto ngjarje u dënuan rëndë jo vetëm nga përfaqësues të politikës shqiptare, por edhe nga vetë ministri Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, i cili u distancua nga përpjekjet siç i cilësoi ai për të krijuar trazira në Shqipëri.
Kosova
Përsa u përket deklaratave të fundit për pavarësinë e Veriut të Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme, Meta, u shpreh se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, aq më tepër tani pas vendimit ligjor të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm, ashtu sikurse i çdo vendi tjetër në rajonin tonë. Ndaj, çdo provokim, i cili tenton të vërë në diskutim pikërisht një çështje të tillë, është i panevojshëm. Opinioni i dhënë nga GJND-ja për pavarësinë e Kosovës veçse përforcoi dhe më tej legjitimitetin e vendimit të marrë nga Parlamenti dhe populli i Kosovës dhe njëkohësisht faktin që gjithçka u krye në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Kjo tregon më së miri se është koha që të gjithë t’i izolojmë ata elementë ekstremistë, të cilët kërkojnë të vënë në diskutim kufijtë në rajonin e Ballkanit. Është e rëndësishme që të gjithë të punojmë për t’i hequr kufijtë në Ballkan, sepse kjo është e ardhmja e rajonit: një Ballkan në Bashkimin Europian. Ne dëshirojmë shumë që edhe udhëheqja e Serbisë të tregojë përkushtimin e saj në këtë drejtim”, - është shprehur Meta. Ai gjithashtu mohoi zërat sipas të cilëve, Shqipëria po harton një rezolutë alternative që do ta paraqesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Çdo pretendim nga ana e Serbisë, sipas pyetjes suaj, se ajo ka qenë e motivuar për paraqitjen e një projekt-rezolute të njëanshme për shkak se Shqipëria do të paraqiste një rezolutë për Kosovën, absolutisht që nuk qëndron. Kjo, qoftë edhe për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ambasadori i Serbisë në Tiranë është thirrur me porosinë time këtu në MPJ dhe i është bërë e qartë se Shqipëria nuk tenton të paraqesë asnjë rezolutë në mënyrë të njëanshme dhe se nuk do të dëshironte njëkohësisht që edhe Serbia apo kushdo tjetër të paraqiste një rezolutë të njëanshme në OKB, pasi kjo është rruga më e gabuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”,- është shprehur Meta.
Ministri është pyetur gjatë konferencës për shtyp për letrën dërguar sekretares së shtetit Hilari Klinton. Ai u shpreh se “nuk merrem me historitë e Kim Filbit. Kim Filbi është një personazh i viteve ‘50-‘60, ndaj Kim Filbin mbajeni në bibliotekën tuaj, pasi është personazh interesant”, - përfundoi ministri.

Godo: “Ngjarja e Himarës, një skemë e përgatitur për të shpallur autonominë”

Politikani dhe historiani i njohur Sabri Godo, i konsideron ngjarjet e ndodhura në Himarë kohët e fundit si një skemë të përgatitur më parë, që priste vetëm një incident. “Kemi parë një skemë të përgatitur me kohë, me synimin final për shpalljen e autonomisë së Himarës dhe autonomi qeverisje për të. Këto janë deklarata që janë bërë me kohë nga Bollano dhe të tjerët. Pritej vetëm një incident”, - u shpreh Godo. Akademiku i njohur ka tone të ashpra ndaj krerëve të minoritetit grek në vend, Bollano e Dule. Ai kundërshton deklaratat e bëra ditët e fundit, duke shtuar se Bollanis dhe Dules u duket çdo ortodoks në Shqipëri si një minoritar. “Nuk kemi pasur ndonjë problem për të zgjidhur këtë çështje mes nesh. Të gjitha këto janë me nxitje dhe me ndërhyrje nga jashtë. Del PDBNJ-ja e Dules dhe bën thirrje ekstreme për polici minoritare në Himarë”, - është shprehur Godo. Por aty ku politikani kërkon ndërhyrje të shtetit shqiptar është bllokimi i rrugëve. Kjo mënyrë proteste, për Godon do të thotë se praktikisht nuk ka shtet. Për të çdo njeri që bllokon rrugën duhet të shkojë në burg. “Shteti shqiptar duhet të tregojë se ekziston si shtet dhe duhet ta nisë punën me procedimin e atyre që bllokuan rrugën. Ndërhyrje në Himarë pas 13 orësh bllokim rruge do të thotë se kemi një shtet që toleron atje ku nuk duhet dhe kjo duhet të marrë fund. Duhet ta dijë mirë çdo shqiptar se po bllokove rrugën, pas një ore shkon në burg”, - tha Godo. Ish-kryetari i Partisë Republikane shprehet se çdo njeri ka të drejtë të flasë gjuhën që dëshiron dhe se mes popujve shqiptarë dhe grekë nuk ka racizëm. Sipas Godos, ka mekanizma që duan të shfrytëzojnë ksenofobinë për arsyet e tyre. “Nuk kuptohet se përse duhet të bëjë deklarata dhe të mobilizohet qeveria greke që ngjan mes dy shtetasve shqiptarë dhe e çon këtë në strukturat europiane, kur dihet se nëse do të flasim për probleme të mirëfillta etnike duhet të shohim ato që kanë ndodhur me emigracionin tonë atje?” - theksoi Godo.

Mima: “Rama po betonizon Tiranën, u dha leje miqve në Parkun e Liqenit”

Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po betonizon pjesët e gjelbra të kryeqytetit. Deputeti i PD-së, Florion Mima, u shpreh se lejet e ndërtimit që janë dhënë në Liqenin e Tiranës janë marrë të gjitha nga njerëzit që janë afër kryetarit të Bashkisë. Ndërkohë që sipas tij, për subjektet e biznesit janë dhënë vetëm pak leje, edhe ato në zona të parëndësishme. Në emër të deputetëve të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Mima u shpreh se nuk do të lejohet që në Tiranë të ndërtohet në mënyrë abuzive. Ai u shpreh se Bashkia e Tiranës ka planifikuar që të betonojë 130 mijë m2 sipërfaqe në afërsi të Liqenit Artificial. Mima theksoi se të drejtën e ndërtimit e kanë marrë vetëm njerëzit e afërt të kryebashkiakut Rama. “Sipërfaqja shtrihet në afërsi të kodrave të Liqenit Artificial, Kopshtit Zoologjik dhe parkut të lodrave pranë Akuadromit. Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t’u betonuar prej rreth 130 mijë m2. Nga këto, mbi 90% u është akorduar njerëzve të afërt, madje shumë të afërt të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe, jo pa qëllim, një sipërfaqe fare e vogël, është rezervuar edhe për firma që nuk kanë lidhje me të”, - u shpreh Mima.

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›