Erjon Bogdani, “Princi i Epirit”, rrefim ne 360 grade
Kur më 10 shtator shënoi golin e parë të Shqipërisë në fitoren 3-0 kundër Maltës, Erjon Bogdani festoi në mënyrë të çmendur, por u detyrua të zëvendësohej për shkak të dëmtimit. Tashmë, 30 ditë më pas, Bogdani ndihet plotësisht gati për të realizuar sot kundër Hungarisë golin e tij të dhjetë ndërkombëtar me fanellën e Shqipërisë. Pak ditë më parë, “Princi i Epirit”, siç thirret sulmuesi i Kievos nga media italiane, është rrëfyer për gazetën “Albania” për jetën e tij private, nga diplomimi për administrim biznesi, te pasioni për shopingun, kohën e lirë, por dhe për bashkëjetesën me një juriste të re italiane nga Salernitana.
Erjon Bogdani, jeni një futbollist i famshëm për futbolldashësit shqiptarë, ndërkohë që jeni diplomuar për administrim biznesi. A ka në plan Eri biznesin e parë të tij?
Kam mbaruar shkollën e lartë për ekonomi biznesi, por tani për tani ende nuk i kam hapur fletët marketingut për të ndërtuar e drejtuar një biznes timin. Vazhdoj të luaj futboll në Serinë A në Itali dhe kam ende edhe dy vjet kontratë më Kievon.
Sa përqind të kohës i merr futbolli një lojtari profesionst?
Tuajse të gjithën. Nuk diskutohet që një sportist për të qenë një nivele të larta, duhet t’i përkushtohet e ta ketë mendjen te futbolli. Çdo ndeshje për një ekip si Kievo është shumë e fortë, si me ekipet e mëdha ashtu edhe me ato rivale e të njëjtit nivel.
Si është një ditë jashtë futbollit e Erjon Bogdanit?
Për një futbollist në Itali, e vetmja ditë pushimi është dita e hënë. Përgjithësisht atë e organizoj në raport edhe me programin e shokëve të tij të ekipit për të dalë për ndonjë darkë, apo për t’u dëfryer. Na duhet ta largojmë në të vetmen ditë të lirë që kemi vëmendjen nga futbolli.
Kinematë italiane janë të famshme, të paktën kur i krahasojmë me boshllëkun që ndjejmë ne përgjithësisht në Shqipëri. Sa shpesh i frekuentoni ato.
Jo dhe shumë. Më shumë shoh televizion në shtëpi. Gjatë gjithë javës jam shumë i angazhuar me stërvitje. Shpesh, dhe tashmë e kthemi kthyer në një traditë, shkoj të ha darkën të shtëpitë e shokëve apo miqve, ashtu siç vinë edhe ata te mua. Gjithsesi, DVD-të e filmave më të mirë i shohim, por futbolli është ai që ndjekim më shumë, pasi duhet të ndjekim edhe kampionatet e vendeve të tjera si ato angleze, spanjolle e gjermane.
Italia u jep një përmasë tjetër futbollistëve. A e ndjeni ju vetë këtë?
Atje nga dita e martë e deri në përfundim të takimit të radhës, zakonisht të dielën, flitet vetëm për futboll. Nuk ka ndryshim midis një tifozi të Interit apo të Kievos. Të gjithë adhurojnë e mbështesin lojtarët e skuadrave të tyre.
Si ndjetë veten kur mbërritët për herë të parë në Itali?
Në Kroaci luajta vetëm një vit, por pata shumë oferta nga Gjermania, Italia, Belgjika. Menaxherët kroatë janë shumë të lidhur me klubet më të mëdha në Europë. Unë zgjodha Italinë e Rexhinën. Kur shkova atje pata shumë frikë. Kisha parë në televizor që në Itali luanin shumë kampionë. Isha i ri, vetëm 21-vjeç. Të shkoja atje dhe të mos luaje ishte shumë e vështirë për mua.
Te Rexhina mbetesh ende një personazh i dashur. Madje, mediat kalabreze të kujtojnë shpesh kur luan kundër Rexhinës.
Jam i lumtur që kam lënë një emër të mirë atje. Gjithmonë kam arritur të fitoj dashurinë e tifozëve. Edhe kur luajta kundër Rexhinës si lojtar i Livornos ma shprehën ngrohtësinë e tyre. Në të gjitha eksperiencat e mia, nga Rexhina, Salernitana, Verona, Siena e Kievo publiku më ka dashur pa kufi. Më respektojnë si futbollist dhe si djalë.
Natyra të ka dhënë një bukuri fizike. Sa ndikon kjo te një djalë i pashëm, e për më tepër te një futbollist?
(Qesh). Është e vërtetë, por megjithatë unë duhet të them që në futbollin italian edhe po të jesh i shëmtuar, futbolli bën çudira. Edhe po të jesh i shëmtuar, kur je lojtar i një klasi të lartë, gjithmonë je në qendër të vëmendjes.
Edhe te femrat?
(Qesh). Edhe të pashmit edhe të shëmtuarit kanë relativët e tyre. Por në Itali të gjithë futbollistët tërheqin vëmendjen. Nuk ka futbollist që nuk ka dhënë autografe për një femër. Në Itali është shndërruar gati në një modë.
Janë modelet ato që dëshirojnë të përfitojnë nga futbollistët, apo e kundërta?
Si futbollist, unë them që po. Dihet kjo në Itali, për vetë faktin se dhe futbollistët janë djem të rinj e që kanë kontrata shumë të majme. Janë milionerë dhe nuk diskutohet që tërheqin vëmendjen dhe botën e modeleve dhe vajzave të reja, të cilat duan të bien në sy. Ka shumë ndryshime me futbollin shqiptar, pasi atje në Itali çdo ditë jetohet me futbollin. Futbollisti edhe jashtë stërvitjes apo pas ndeshjes konsiderohet një figurë.
Si e përjeton famën tënde në Itali?
Në fillim gjithçka më ekzaltonte, teksa e lexoja emrin tim në faqet e gazetave apo e shihja në kronikat televizive. Isha i ri. Te Rexhina na ndiqnin çdo ditë në stërvitje mbi 1 mijë tifozë e kur mbaronim na shoqëronin edhe në kafe, apo bënim autografe. Luanim pas disa vitesh mungesë në Serinë A dhe na shihnin si kampionë. Më pas mu kthye pak dhe si bezdi, pasi gjithë kohën ishe i ndjekur. Duhet edhe pak jetë private. Ndikon për keq edhe për futbollin.
Italia njihet për paparacët dhe gazetarët në përgjim të jetës së futbollistëve. A keni pasur ndonjë rast ju vetë, për të qenë viktimë e tyre?
Po, kam qenë i fotografuar në një rast. Ndodhi para katër-pesë vjetësh. Si i ri që isha frekuentoja edhe pak diskotekat, por ajo ka ndodhur pas ndeshjes. Në Itali duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Duhet të bësh sytë katër, pasi janë një mijë të tjerë që të shohin. Mund të bëhesh padashur viktimë. Merret vesh shumë shpejt gjithçka, ku shkon, në cilin restorant ha dhe çfarë blen në dyqan. Futbollisti konsiderohet një idhull për qytetin. Në Itali ndiqet shumë si kampionati i Serisë A dhe ai B.
Kur u prezantuat vitin e kaluar te Livorno, jeni fotografuar i shoqëruar nga dy vajza. Është kjo një traditë në Itali?
Prezantimet zyrtare e kanë në protokoll një prezantim të tillë. Klubi i Livornos vendosi dy vajza me bluzën e Livornos. Kjo është një gjë normale, pasi dhe kur shkova te klubi i Salernitanës ndodhi e njëjta gjë. Edhe kur bëri prezantimin Livorno e bëri në praninë e Misseve të rajonit të Toskanës. Kur thërriteshin emrat e futbollistëve, ata dilnin në fushë para tifozëve të shoqëruar nga një Miss.
Ty personalisht cili Miss të shoqëroi?
Mua për fat të mirë apo të keq nuk më shoqëroi askush. Nuk isha ende pjesë e Livornos në atë ditë, pasi mbërrita vetëm ditën e fundit të merkatos verore të vitit 2007. Gjithsesi, unë këtë gjë e kam përjetuar kur isha te ekipi i Rexhinës. Kur dolëm në stadium nga prezantuan Misset e rajonit të Kalabrisë, nga qytetet e Rexho Kalabrisë, Kozencës, e të tjera. Aty më shoqëroi pikërisht “Mis Kozenca”. Bëhet gjithmonë si një tip spektakli, si tip shoë, pasi futbollistët janë shumë të preferuar e të ndjekur në Itali. Në këtë lloj prezantimi vijën edhe aktorë të njohur të Italisë apo moderatorë të televizioneve të tilla si “Canale cinque”, “Italia Uno”, “Rai Uno”, apo televizione lokale. Thërrasin vajzat e bukura për të thithur sa më shumë shikues.
Ke jetuar në Rexhio Kalabria, Salerno, Verona, Siena, Livorno e tani sërish në Verona si lojtar i Kievos. Ku jeni ndjerë më mirë?
Në të gjitha qytetet, por preferoj më shumë Veronën. Ka shumë gjëra për të parë. Është qytet i bukur. Edhe Salerno është i bukur. Ka një klimë të mirë dhe vende shumë të bukura për t’u vizituar.
Igli Tare e ka grua gjermane, Altin Lala italiane por me nënshtetësi gjermane. Po ju vetë?
Unë kam shumë shoqëri me një vajzë italiane. Ri shumë me të. Kam tre vjet që bashkëjetoj më të. Tani ka ardhur edhe mosha që duhet të vendosim për martesë. Nuk e di ende nëse do të martohem me të, por them se po kalojmë shumë mirë bashkë. Duke parë, duke bërë.
Në median italiane, por të përsëritur dhe në atë shqiptare, etiketohesh me epitetin “Princi i Epirit”. Kush ua vuri këtë nofkë?
“Princi i Epirit” m’u vendos në kohën kur luaja me Hellas Veronën në Serinë B. Gazeta e qytetit “L’Arena” ishte e para që ma vendosi. Bëra një sezon të madh atje dhe kam shënuar shumë gola, 17. Si shqiptar që isha më vendosën këtë nofkë. Edhe tani që luaj me Kievon shokët e ekipit më thërrasin shpesh kështu, nuk më thërrasin me emër por “Principe” (princi). Për mua është një “super emër”. Më pëlqen shumë.
Sa vështirë është të jesh lojtar titullar?
Nuk duhet të harrojmë një fakt. Në Serinë A apo B ka një konkurrencë të jashtëzakonshme midis lojtarëve për një vend titullari. Çdo vit e më shumë në ekipet italiane vijnë shumë lojtarë, si nga jashtë ashtu ekipet e të rinjve.
Sa e vështirë është mbijetesa në Serinë A?
Aq më tepër, që këtë sezon kampionati është edhe më i vështirë. Nga Kategoria e Dytë (Seria B) në të Parën (Serinë A) kanë hyrë ekipe të mira, e duhet të bëjmë ç’është e mundur që të mbajmë Serinë A.
Tani jeni i vetmi lojtar nga Shqipëria në Serinë A, pavarësisht se portieri kosovar Ujkani luan me Palermon. Sa krenar e ndjeni veten?
Është kënaqësi të luash në Serinë A. Unë kam tetë vjet që luaj në Itali dhe jam përshtatur mirë me futbollin italian. Kam kaluar edhe unë momente të vështira. Ka ndeshje që nuk shfaq më të mirën, ka të tjera ku nuk luan. Gjithsesi, unë kam luajtur në nivel të pranueshëm në të gjitha sezonet.
E ardhmja pas futbollit, biznesmen apo në ndonjë funksion drejtuesi, siç bëri Igli Tare?
Do të më pëlqente edhe të hapja një biznes timin, por edhe të mos shkëputesha nga futbolli. Kam një jetë më të. Mund të jepja një kontribut jo të vogël pranë ndonjë klubi. Kam punuar me shumë trajnerë më eksperiencë kombëtare e ndërkombëtare.
“Jam shumë shok me Igli Taren”
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Igli Tare tashmë ka varur këpucët në gozhdë dhe është drejtor sportiv i Lacios, ekip me të cilin mbylli karrierën sportive. “Kam marrëdhënie të mira, - thotë Bogdani, - nuk shihemi shpesh fizikisht, por flasim shpesh në telefon. Ruajmë kontakte me njëri-tjetrin, jemi shumë shokë. Edhe me disa të tjerë, nuk dëgjohemi shpesh, por kur kemi mundësinë rrimë shumë bashkë”.
Eksperienca e vështirë në Turqi
Erjon Bogdani është një nga shqiptarët që ka luajtur edhe në kampionatin turk, ku më parë kanë luajtur edhe Alban Bushi, Klodian Duro, Vioresin Sinani. Për momentin në Turqi luajnë Admir Teli, Gilman Lika e Xhevair Sukaj. “Atëherë isha 19-vjeçar dhe luaja në radhët e Partizanit. Shqipëria zhvilloi një miqësore në Turqi ku fituam në Gaziantep 4-1. U aktivizova në minutat e fundit, dhe them edhe tani se bëra një paraqitje të mirë. Pas ndeshjes disa menaxherë më kontaktuan. Klubi Genshlerbirlixhi më ofroi një kontratë të kënaqshme për atë kohë dhe unë pranova” - thotë Bogdani, duke iu rikthyer një kohë që daton 9-vjet më parë. “Megjithatë, ishte një eksperiencë e vështirë pasi ishte hera e parë që luaja jashtë Shqipërisë. Isha shumë i lidhur me Tiranën, dhe më mungonin miqtë. Në Turqi më mungonin shokët. Isha vetëm 19-vjeç. Mbaj mend se qysh në ndeshjen e parë në Turqi shënova gol. Ekipi luftonte për mbijetesë në Kategorinë e Parë turke, e nuk pata shumë hapësirë në formacionin e parë. Megjithatë shpëtuam nga rënia”
Nga Zabgrebi në Kroaci, te Rexhinën në Itali
Erjon Bogdani ka luajtur në Kroaci me NK Zagrebin. “Te ekipi turk u ndërrua trajneri dhe unë nuk isha më në planet e tij. Kështu u riktheva në Shqipëri, ku aktivizova disa ndeshje me Dinamon, gjashtë apo shtatë ndeshje. Ishim në vendin e parë atëherë. Më pas erdhi një ofertë nga Kroacia, përmes menaxherit të njohur Enver Raça”, thotë Bogu. “Edhe në Kroaci më ndoqi fati, pasi shënova disa gola. Pata menjëherë shumë oferta. Në fakt, Kroacia për të gjithë lojtarët e huaj është një pikë transiti. Te Zagrebi kishte shumë futbollistë kroatë që kanë luajtur edhe për Kombëtaren e vendit të tyre. Ishte një skuadër shumë e fortë, e një pjesë e mirë luanin me përfaqësuesen si Bishen, Simiç i Interit. Më pas përfundova në Itali, ku luaj edhe sot e kësaj dite”, - përfundoi Bogdani.
Me yjet e modës
Në Itali janë disa emra të njohur shqiptarësh të botës së spektaklit e modës, si Klejdi Kadiu, Anbeta Toromani, Leon Çika. “I njoh. Kam qëndruar disa herë me ta dhe kam kaluar shumë bukur bashkë. Më vjen mirë kur dëgjoj fjalë të mira për ta. Me Leonin kam bërë një udhëtim me avion nga Roma në Verona. Biseduam shumë gjatë e për gjithçka”.
“I putha dorën e Papës”
Momentin më të bukur kujton takimin me Papa Vojtilën. “Nuk e harroj kurrë. Në shtëpi kam një foto të madhe, duke i puthur dorën”, - thotë Bogdani
Varësja me shkronjën E
31-vjeçari nuk e ndan kurrë nga qafa një varëse me shkronjën “E”. “Është emri im”, -shton “Bogu”. Ndoshta është dhe një dhuratë nga e dashura e tij, por Eri hesht.
“Në fushë jam bishë”
“Jashtë futbollit jam një person shumë i butë, ndërsa në fushë jam një bishë e vërtetë. Duhet të jesh i egër, duhet të jesh agresiv. Do të thosha se në fushë e jashtë saj, ndryshoj si nata me ditën”
“Pëlqej Al Paçinon”
Bogu pohon se i pëlqen shumë filmat e ka shumë DVD në shtëpinë e tij në Itali. “Shoh shumë, por i preferuari im është ‘Brave heart’, ndërsa si aktor më pëlqen shumë Al Paçino”.
11 Tetor 2008