E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masimo D’Alema: “Edi Rama, një shpresë për Shqipërinë”



Pas Amatos, një tjetër ish-kryeministër italian vlerëson dhe inkurajon kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Masimo D’Alema ka deklaruar se kryesocialisti Rama është përfaqësuesi i një politike të re në Shqipëri, e cila do të arrijë të ndryshojë vendin. “Unë tashmë e njoh prej vitesh Edi Ramën. Ai ka qenë dhe është një kryetar i suksesshëm i Bashkisë së Tiranës, gjë që sipas meje paraqet një vlerë themelore. Ai mund t’u demonstrojë qytetarëve shqiptarë se është një njeri që ka ditur dhe di të administrojë mirë çështjet publike. Edi Rama është një intelektual, një njeri që ka vizion europian dhe për më tepër një njeri që është i njohur dhe i respektuar në Europë. Unë vetë e konsideroj si një potencial mjaft të fuqishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Politika shqiptare ka qenë për një kohë të gjatë e mbërthyer nga ata që ne italianët i quajmë ‘dhelpra të vjetra’. Ndërsa Edi Rama nga ky këndvështrim përfaqëson një gjeneratë të re dhe një mënyrë europiane për të bërë politikë, kështu që unë mendoj se përfaqëson një shpresë shumë të rëndësishme për vendin tuaj”, - ka thënë ish-kryeministri D’Alema për Ramën. Ky i fundit
ka qenë i ftuar të flasë përpara të pranishmëve në një takim të organizuar nga e majta italiane për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohore. Kryesocialistit i është kërkuar nga organizatorët të paraqesë eksperiencën e tij të suksesshme në Tiranë dhe një pamje perspektive të hapësirës komunitare në një kohë ndryshimesh radikale për të gjithë botën. Edi Rama ka vënë theksin te nevoja e një vizioni të ri europian për pjesën e Ballkanit që ka mbetur ende jashtë Bashkimit Europian dhe ka nënvizuar se politika e vjetër e izolimit të këtyre popujve sjell efekte negative në procesin e rritjes dhe të zhvillimit të vetë vendeve të zhvilluara. Gjatë fjalës së tij Rama ka nënvizuar se është koha për integrim dhe jo izolim: “Në fakt nuk është e vërtetë që politikat izoluese janë të suksesshme, pasi këta persona kanë nevojë të ndjehen pjesë e një bote të përbashkët, nëse nuk ndjehen pjesë e kësaj bote do të jenë gjithnjë të prirë ta shkatërrojnë këtë botë”.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›