INSTAT: “Nafta jep ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave nga akciza”
Importi i mallrave me akcizë në muajin gusht, 2008, arriti vlerën 6,347 milionë lekë, me një rritje prej 21.6 për qind më shumë, krahasuar me një muaj më parë, pra me korrikun.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në total, zhdoganimet e mallrave me akcizë, zunë 17.9 për qind ndaj totalit të importit, ku peshën kryesore, e zënë nënproduktet e naftës, që llogariten në 71.4 për qind. Akcizat përfaqësojnë tatime me nivele të larta tarifore mbi konsumin e një kategorie të caktuar mallrash dhe aplikohen kryesisht, mbi produktet e dëmshme për shëndetin, mallrat që ndotin ambientin si dhe mallrat e luksit. Në grup-artikujt kryesorë të taksueshëm me akcizë, përfshihen nënproduktet e naftës, pijet alkoolike, birra, vera etj, duhani dhe nënproduktet e tij, kafeja, lëngjet e frutave, dhe pijet freskuese, si dhe artikujt e kozmetikës, parfumerisë e tualetit.
BERZH-i investon 6 milionë euro në sektorin e minierave
Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim po investon një shumë prej 6 milionë eurosh për “Tirex ekonomi” për eksplorimin në sektorin e minierës në Shqipëri. Investimi ka në program të tij eksplorimin e minierave në rajonin e Mirditës. Investimi është i formës së një kredie të konvertueshme, e cila mund të lëvrohet në tri pjesë të njëjta. Projekti i eksplorimit drejtohet nga një ekip gjeologësh dhe topografësh kanadezë dhe shqiptarë. Rajoni i Mirditës ka një pasuri minerare ku numërohen rreth 17 vende rezervash të zbuluara më parë përmbajnë shumëllojshmëri metalesh ku përfshihen bakri, zinku, ari dhe argjendi. Kjo ka shtuar interesimin e kompanisë “Tirex”, e cila do të përdorë një teknologji të lartë për të realizuar një eksplorim sa më produktiv.
BSH-ja: “Rritet prodhimi vjetor i energjisë me 25 për qind”
Përmirësimi i kushteve hidrike në 6-mujorin e parë të vitit 2008 mundësoi rritjen vjetore të prodhimit të brendshëm të energjisë me rreth 25 për qind, kundrejt vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar të premten, “Mbi zhvillimin ekonomik në vend”. Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe u vunë re përmirësime të dukshme të treguesve kryesorë të sektorit energjetik në vend. Zhvillim tjetër pozitiv është rënia e humbjeve teknike dhe joteknike, gjë që ka përmirësuar transmetimin e energjisë së prodhuar, bënë të ditur burimet e BSH-së. Ndërkohë, ekuilibri midis rritjes së ofertës për energji (9%) dhe kërkesës për konsum të saj (13%) u balancua me rritjen e importeve me 7 për qind, bën të ditur BSH-ja.
Çmimet e punimeve në sektorin e ndërtimit, me manual të veçantë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, dhe të Ligjit nr. 8560, datë 22.12.1999, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre, sipas teksteve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, që do të përdoren në përcaktimin e fondit limit të objekteve, në sektorin e administratës publike. 2. Ministria e Financave të dërgojë të dhënat për çmimet mesatare të tregut të katër elementeve të strukturës së kostos, të nevojshme për përditësimin e çmimeve të manualit. 3. Çmimet e zërave të punimeve, të përcaktuara në manualet teknike, janë orientuese dhe referuese për planifikimin e buxhetit vjetor. 4. Mënyra e miratuar e analizës teknike të përdoret si bazë edhe për programin kumpjuterik të llogaritjes së kostos nga shoqëritë sipërmarrëse. 5. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
11 Tetor 2008