E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani, bileta ministrave shqiptarë për sfidën me Interin

Erjon Bogdani i siguron ministrave shqiptarë bileta për takimin që do të luhet sot pasdite ndërmjet Kievos dhe Interit në "Bentegodi". Lajmi është bërë publik nga e përditshmja më e madhe sportive në Itali, "Gazzetta dello Sport". Vetëm pak orë përpara ndeshjes me të besuarit e Hoze Murinjos, përpara stërvitjes futbollistët e skuadrës veroneze kanë krijuar një radhë të gjatë në sekretarinë e klubit, për të shënuar emrat e familjarëve dhe miqve, që dëshironin të fusnin në tribunat e stadiumit. Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar tetë emra, duke u renditur i dyti për rezervime pas Rigonit (i cili siguroi dhjetë stola). Gazeta përtej Adriatikut theksonte se Bogdani kishte marrë kërkesa edhe nga pjesëtarë të qeverisë shqiptare, që sipas gjasave janë tifozë të Interit dhe dëshirojnë të jenë të pranishëm në ndeshjen ku zikaltërit mund të shpallen kampionë për herë të 17-të. "Disa ministra të qeverisë shqiptare i kanë kërkuar Bogdanit t‘i sigurojë akreditime për ndeshjen e së dielës", theksonte "Gazzetta dello Sport". Kundër Interit, Kievo mund të thyejë rekordin e të pranishmëve në "Bentegodi", ku llogariten afro 30 mijë tifozë. Kjo është arsyeja përse drejtuesit e skuadrës "mbyllën njërin sy" në shpërndarjen e biletave për lojtarët e kontingjentit, përpara sfidës me kryesuesit e Serisë A, sepse si shpjegohet prej tyre, secili futbollist ka në dispozicion vetëm tri bileta. Ndërkohë, Murinjo ka vlerësuar lojën e repartit sulmues të Kievos, duke mos harruar të përmendë 32-vjeçarin kuqezi. "Ata kanë një skuadër shumë të ekuilibruar, të aftë që të jetë e rrezikshme në fazën ofensive, falë forcës fizike të Bogdanit dhe shpejtësisë së Pelisier", tha tekniku luzitan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›