E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia-Tirana, një hap larg finales

Java e 31-të e Kategorisë Superiore mund të përmblidhet vetëm me një fjalë: tolerime. Të paktën tri skuadra elitare që kanë zbritur dje në fushë nuk janë impenjuar aspak të luftonin të merrnin të paktën një barazim. Triumfi i Flamurtarit në finalen e Kupës së Shqipërisë ka "hedhur në erë" planet e Shkumbinit, Teutës dhe Besës, që tashmë luajnë formalisht deri në fërshëllimën finale të sezonit. Dorëzimi i tyre ka shërbyer si katalizator, që edhe trajneri Shkëlqim Muça t‘u japë më shumë hapësirë të rinjve te Dinamo. Gjithsesi, blutë me gjashtë mungesa kanë dhënë maksimumin në Shkodër, madje duke rrezikuar t‘i rrëmbejnë pikë Vllaznisë. Kryesuesit e kampionatit fituan 1-0 në "Loro Boriçi" falë një penalltie të shndërruar në gol nga veterani Suad Lici, në minutat shtesë të pjesës së parë. Pas një kontakti të dyshimtë në zonë, gjyqtari Kridens Meta ka drejtuar dorën nga pika e bardhë dhe kaq u mjaftoi kuqebluve që të merrnin tri pikët e radhës, edhe pse duhet theksuar se loja e skuadrës së Haxhiosmanoviç linte shumë për të dëshiruar. Ndërkohë, në fraksionin e dytë të lojës ishin dinamovitët ata që pretenduan penallti, por "bilbili" kërkoi që loja të vazhdonte. Aspak e vështirë edhe fitorja e Tiranës përballë Shkumbinit. Edhe pse premtuan betejë në kryeqytet, peqinasit bënë shumë pak për të tentuar që të frenonin bardheblutë. Një autogol i Mujdragiç dhe rrjetat e Muzakës e Memellit bënë që goli i Mujdragiç, këtë radhë në portën e duhur, të ishte thjesht statistikor. Tirana ruan diferencën me një pikë më pak se Vllaznia, duke u përqendruar te "finalja" e 23 majit, në ndeshjen e javës së 33-të dhe të fundit të kampionatit. Për t‘u shënuar është fakti që sulmuesi i Kombëtares, Migen Memelli, ka realizuar golin e 21 sezonal.

Luhet ndershëm në Vlorë, ku pas fitores së Kupës, Flamurtari bën një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës mes më të mirëve. Fitorja 2-1 përballë Partizanit ka bërë që kuqezinjtë të ngjiten në kuotën e 36 pikëve, gjithsesi skuadra e Memushit nuk mund të quhet ende matematikisht e shpëtuar. Ashtu si pritej, Bylis dhe Apolonia fitojnë pa probleme respektivisht përballë Besës dhe Teutës, që tashmë nuk kanë më objektiva. Të dyja ndeshjet janë mbyllur me rezultatin 2-0, ndërsa ballshiotët dhe fierakët mbajnë të ndezura shpresat për të mos rënë nga kategoria. Barazim i dyshimtë edhe në Lushnjë, ku skuadra e Ilir Gjylës ka marrë vetëm një pikë përballë Elbasanit. Një rezultat që në fund mund të rezultojë deciziv për këto skuadra, që vazhdojnë të qëndrojnë përpara Apolonisë e Bylisit. Fakti interesant është se pesë skuadrat e vendeve të fundit, duke filluar nga Partizani që renditet i teti, kanë vetëm 2 pikë diferencë.

Superiore / Java e 31-të

Rezultatet

Tirana-Shkumbini 3-1

Mujdragiç (ag) 18‘, Muzaka 28‘, Memelli 32‘/ Mujdragiç 50‘

Vllaznia-Dinamo 1-0

Lici (11m) 45‘

Bylis-Besa 2-0

K.Dalipi 17‘, Bakiu 43‘

Apolonia-Teuta 2-0

Sead Haxhibuliç 29‘, Dhrami 54‘

Flamurtari-Partizani 2-1

Strati 25‘, Paniç 68‘ / Ngjela 51‘

Lushnja-Elbasani 0-0

Skuadrat N P

1. Vllaznia 31 63

2. Tirana 31 62

3. Dinamo 31 52

4. Teuta 31 44

5. Shkumbini 31 44

6. Besa 31 40

7. Flamurtari 31 36

8. Partizani 31 33

9. Elbasani 31 32

10. Lushnja 31 32

11. Apolonia 31 32

12. Bylis 31 31

Java e 32-të (16.05.2009)

Dinamo-Tirana

Vllaznia-Lushnja

Shkumbini-Bylis

Besa-Apolonia

Teuta-Flamurtari

Partizani-Elbasani



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›