E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e Gjykatës Administrative, acarim i klimës për bizneset

Vijojnë çdo ditë e më shumë thirrjet nga biznesi në drejtim të politikës për të miratuar brenda mandatit qeverisës të projektligjit "Për gjykatën administrative". Dje ishte radha e Konfindustrisë, e cila ka iniciuar e para krijimin e një gjykate që të shqyrtojë çështjet administrative mes individit, biznesit dhe palës shtet. Shqetësimi u përsërit edhe një herë gjatë takimit që administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjegj Buxhuku pati me kreun e LSI-së dje në Tiranë.

Konfindustria, me cilësinë e institucionit nismëtar të domosdoshmërisë së krijimit të gjykatave administrative, po zhvillon takime me të gjitha forcat politike të vendit duke kërkuar miratimin me konsensus nga të gjithë deputetët të projektligjit përkatës që tashmë ndodhet për shqyrtim në seancën e fundit plenare të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë së legjislaturës në vazhdim në datën 11 maj 2009. Buxhuku paraqiti domosdoshmërinë e krijimit dhe të funksionimit të gjykatave administrative për biznesin, punonjësit publikë dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi. Nga ana e saj, LSI tregoi gatishmërinë për krijimin sa më të shpejtë të Gjykatave Administrative si kusht për krijimin e një klime biznesi sa më të favorshme në vend.

Situatë e rëndë duket edhe në sektorin e fasonit, i cili ka të punësuar rreth 100 mijë vetë. Prodhuesit e veshjeve, ankohen për taksat e larta dhe me ndikimet që po jep kriza. LSI ka shfaqur interes për të mbështetur sektorin, duke premtuar ulje të taksave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›