Erjon Bogdani, "doktori" i Serisë A
Erjon Bogdani vazhdon të përbëjë lajm në kampionatin elitar në Itali. Edhe pse nuk po luan për shkak të problemeve muskulore dhe shënon rrallë për reputacionin që ka, sulmuesi i kombëtares shqiptare vlerësohet për shkollimin. Në fakt, në Serinë A futbollistët e diplomuar janë aq të paktë, sa mund të numërohen me gishtat e duarve. Madje, njëri prej atyre që mban titullin "doktor" (kështu thirren në Itali të gjithë intelektualët, jo thjesht ata që kanë profesionin mjek), është edhe Bogdani. Deri më tani, kuqeziu ishte i vetmi futbollist aktiv në elitën e futbollit që kishte marrë diplomën universitare (në Ekonomik). Por, primati "u prish" nga mbrojtësi i Leçes, Gulielmo Stendardo, që gjatë ditës së djeshme u diplomua si jurist. "Gazzetta dello Sport" krahasonte me ironi: "Numri i lojtarëve të diplomuar as që nuk mund të krahasohet me numrin e futbollistëve që ka në dispozicion Murinjo tek Interi. Në Itali, disa dhjetëra sportistë regjistrohen në universitet, por shumë pak arrijnë ta përfundojnë".