E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Skela: Goli ndaj Bajernit ishte aksidental

Ervin Skela është truri i Energie Kotbuz. Në një intervistë për gjermanen "Spiegel", 32-vjeçari shqiptar flet për duelin e fundit të tabelës me Mynshengladbah, për golin ndaj Bajernit, për qëllimet personale dhe shpjegon pse renditen në vend të fundit.

Skela, Energie Kotbuz është në vendin e fundit edhe pas 9 javësh. A do të mund të qëndroni në Bundesligë?

Natyrisht mbështetja jonë financiare nuk mund të krahasohet me atë të ekipeve të tjera të Bundesligës. Kjo ndoshta ndikon. Vitin e kaluar kishte shumë skuadra me tregues më të mirë se ne, por ne ia dolëm të qëndrojmë në Ligë. Pra i përkasim Bundesligës.

Edhe Mynshengladbah ka tregues më të mirë. Si e shikoni ndeshjen?

Gladbah është Bundesliga jonë, bashkë do të luftojmë deri në fund se kush do të qëndrojë. Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme për ne, pasi na duhet të përsërisim historinë e vitit të kaluar, ku pas ndryshimit të trajnerit, luajtëm mirë në fazën e dytë dhe siguruam qëndrimin. Duhet të japim maksimumin, sepse të gjithë e dimë se do të vijë edhe dita jonë.

Javën e kaluar përjetuat një situatë të kënaqshme ndaj Bajernit, kur ishit autor i golit të 1:0. Pse nuk festove menjëherë?

Isha i përqendruar që ta godisja mirë topin për ta çuar në qendër të zonës, ku dikush ta devijonte me kokë drejt rrjetës. Kisha një pamje jo të mirë, pasi ishin shumë lojtarë në zonë. As nuk e pashë që topi shkoi në rrjetë.

Por më pas shokët e tu të skuadrës e nisën festën.

Në momentin që shokët e mi erdhën drejt meje, si fillim u ktheva nga gjyqtari Schiri, nëse quhej gol apo jo. Nuk e dija në ishte një goditje indirekte. U sqarova se goli quhej. Më pas nuk kishte se si të gëzoja me hov të madh, pasi do të dukej komike.

Në stadium shihen shumë pak tifozë (15000), a e ndjeni nevojën për më shumë mbështetje nga ata?

Kotbus ka 100000 banorë dhe pas Hofenhajmit është qyteti më i vogël i Bundesligës. Në të kaluarën në stadium vinin më shumë tifozë se sa, për shembull, në stadiumin e Berlinit. Dhe ata që vijnë në stadiumin tonë janë tifozë të vërtetë. Ne duhet të kthehemi te suksesi për veten dhe për fansat.

Kontrata juaj skadon në fund të këtij sezoni. A i keni hapur bisedimet për rinovimin e saj?

Jo, akoma jo. Përqendrohem te detyrat e mia. Të tjerat rrjedhin vetë. Unë e di se çfarë potenciali kam. Edhe drejtuesit këtu më njohin, nëse këto përshtaten, atëherë do të ulemi të bisedojmë.

A do ta rinovonit kontratën, nëse Kotbuz bie nga kategoria?

As nuk mendoj për këtë, pasi ne nuk do të biem. Por natyrisht çdo lojtar provon të luajë sa më gjatë që të jetë e mundur në Bundesligë. Edhe unë e dua këtë. Në të kundërt do të gënjeja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›