E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani gol në minutatshtesë ndaj Leçes

ITALI- Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe i Çezenës në Serinë A italiane, Erjon Bogdani, shënoi një gol mjaft të bukur dhe me mjaft vlera që i dha barazimin Çezenës në transfertën e vështirë përballë Leçes.

Ashtu si në fazën e parë kur shtatlarti shqiptar i shënoi Leçes, duke i dhënë Çezenës fitoren 1-0 dhe 3 pikët në fushën e saj, edhe sot Bogdani i ka dhuruar barazimin në minutën e 93-të të ndeshjes skuadrës së drejtuar nga tekniku Masimo Ficadenti.

Bogdani shfrytëzoi më së miri me kokë një kros të dërguar nga krahu i djathtë nga ana e mbrojtësit Ceccarelli. Më parë Bogdani kishte humbur një rast të pastër për gol në minutën e 29-të, kur pas një krosimi të Jimenez, sulmuesi shqiptar nuk mundi të arrinte në kohë topin e çuar në mes të zonës.

Për Bogdanin ky ështe goli i tij i gjashtë sezonal me fanellën e Çezenës. Pasi i kishte shënuar më parë Milanit (po në këtë sezon), sulmuesi shqiptar plotësoi përpara dy javësh ëndrrën e tij, duke realizuar edhe kundër kampionëve të Interit, teksa tashmë erdhi edhe goli ndaj Leçes. Çezena gjendet e 18-ta në kuotën e 20 pikëve, duke qenë në garë për qëndrimin në Serinë A.

I gjendur në qendër të merkatos së dimrit teksa u kërkua nga një serë skuadrash si zvicerianët e Young Boys dhe italianët e Atalantës dhe Lacios, Bogdani po tregon se është mjaft i rëndësishëm për klubin e Çezenës, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit.

Goli i Bogdanit është një lajm i mirë edhe për trajnerin e kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, që në datën 9 shkurt do të përballet në miqësore ndaj Sllovenisë dhe Bogdani pritet të jetë si gjithnjë në krye të sulmit kuq e zi.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›