Liridon Leci: Nuk e kuptova përse më goditën në Ersekë
Mbrojtësi kosovar i Vllaznisë, Liridon Leci, është shprehur i habitur për goditjet që ka pësuar në Ersekë, në sfidën e tensionuar ku shkodranët barazuan 1-1 me Gramozin. Ish-lojtari i Besës ka qenë ndër të paktët që tentuan t’i vinin në ndihmë vijërojtësit Denis Agaraj, i cili u godit me grushte dhe shkelma nga pjesëtarë të stafit teknik dhe tifozë të kolonjarëve. Por, veprimet e Lecit duket se nuk janë pëlqyer nga vendasit, të cilët e kanë shndërruar edhe lojtarin kuqeblu në “shënjestrën” e tyre. “Të them të vërtetën, ende nuk arrij ta kuptoj përse më goditën mua. Lojtarët dhe tifozët e Gramozit iu vërsulën gjyqtarëve, pasi kishin pretendime për gjykimin, por personalisht nuk bëra asgjë për të merituar që të më godisnin”, deklaroi lojtari i Vllaznisë. Pamjet e ndryshme filmike kanë shfaqur dukshëm dhunën që është ushtruar në Ersekë dhe ato do të shërbejnë për të ndëshkuar autorët, por edhe klubin e Gramozit.
#