E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermal Fejzullahu -

 

klotilda harka

Do të jetë e diela e fundit e tetorit, dita kur Ermal Fejzullahu do të bëhet dhëndër. Këngëtari romantik ka thyer heshtjen duke pohuar për finalizimin me martesë, të lidhjes së tij të dashurisë njëvjeçare me Arianën, vajzën për të cilën është përfolur aq shumë muajt e fundit. Ai dhe Ariana, në fakt po shijonin fejesë të qetë prej 4 muajsh, e sapo kanë lënë disa ditë pushimesh të mrekullueshme në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Prej aty ai ka pohuar për herë të pare për “Panorama Plus”, se “kjo është dashuria e vërtetë dhe ndaj kam vendosur të martohem”, ashtu siç ishte shprehur më parë, se kur të vinte momenti i dashurisë së madhe, nuk do ta shtynte për asnjë arsye martesën”. Dasma është menduar të jetë ceremoni madhështore, ku përveç miqve të familjes, do të ketë shumë personazhe të ftuar VIP. 

Dy ceremonitë e dasmës
Do të jetë ceremonia e madhe familjare të shtunën (data 25 tetor) që do të organizohet në një nga lokalet luksozë të Prishtinës, dhe ku Ermali do të lidhë kurorë me Arianën. “Arsyeja që kemi zgjedhur vjeshtën për organizimin e dasmës është se atëherë miqtë dhe kolegët janë më pak të zënë me punë, dhe që do të mund të mblidhen të gjithë së bashku, pasi dihet që shumica prej tyre jetojnë në Zvicër, Gjermani e vende të tjera”, tha nëna e Ermalit.
Por a është kjo një martesë e nxituar? “Aspak!” tha ajo. “Sepse Ermali e kishte pohuar vetë që në momentin që do të ndiente dashurinë e vërtetë do të martohej”. Pro kësaj martese është dhe babai, këngëtari i njohur Sabri Fejzullahu, vëllai dhe motra, të cilët kanë nisur që tani përgatitjet për dasmën. Martesa është planifikuar të organizohet në dy net, ceremonia familjare dhe ajo e beqarisë, ku të ftuarit do të jenë të gjithë artistë dhe do të organizohet të dielën. Ftesat do të përgatiten së shpejti nga e ëma e Ermalit, e cila i qëndron shumë afër të birit, madje e ka pikë të dobët. Ajo do të kujdeset deri në detaje për organizimin e dy ceremonive shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, e para serioze e dyta shumë rinore. Ajo që dihet deri tani është që do të jetë një dasmë, që nuk do t’i mungojë asgjë. Çifti do të festojë natën e beqarisë me shumë miq të ftuar, ndërsa do të kalojnë një të diel të paharruar, kur dihet që pjesa më e madhe e anëtarëve të familjes së Ermalit, janë artistë.

Ermali “love story” me Arianën
Po kush është Ariana, vajza që i ka rrëmbyer zemrën Ermal Fejzullahut? Thuhet se është më e madhe në moshë se ai, gjë për të cilën çifti ka hezituar të japë komente. Por ajo që është pohuar me siguri nga Ermali është se e pranon, që ka rënë kokë e këmbë brenda me vajzën. Ajo ka mbaruar studimet për ekonomik, dhe do të nisë të tjera studime në shtator për design. Kaq dihet, që Ariana tipi i vajzës së thjeshtë është krejtësisht jashtë botës së artit, dhe rrallë ndodh ta shoqërojë Ermalin nëpër koncerte. U shfaq për herë të parë në krah të tij, natën e ndarjes së çmimeve “Video Fest”, dalje publike kjo që u shoqërua në ditët në vazhdim nga thashethemet mediatike, se kishte qenë më parë e dashura e Shpat Kasapit. Por vajza e fotografuar në krah të Ermalit, përveç komenteve si shumë simpatike dhe seksi, nuk u diskutua për asnjë detaj më shumë rreth jetës së saj. As Ermali, nuk bëri as më të thjeshtin sqarim rreth të shkuarës së saj, dhe kjo për faktin se tashmë nuk i interesonte fare përderisa kishte gjetur vajzën ideale, të cilën e kishte prezantuar në familje, dhe kishte bërë fejesë. Nga ana tjetër dhe Shpati, nuk u bë i gjallë dhe ndoshta kjo për faktin se atij nuk i interesonte të përziente punët e tij, ndërsa është duke jetuar një lidhje të re. Por fakti që Ariana, nuk ishte vajzë e artit, e bëri dhe më misterioze mënyrën se si u përshkrua në faqet e shtypit rozë. Të vetmet komente, i takonin pamjes së saj fizike dhe sharmit, duke e përshkruar si një vajzë shumë “hot” dhe të veçantë.

Ariana shtatzënë?
Në fakt kjo mbetet hipotezë, deri në momentin që çifti nuk e ka pranuar një gjë të tillë.  Ata kanë sqaruar se vendimi për martesë u mor nga vetë Ermali, pasi është ndier shumë i sigurt në këtë lidhje. Ndërkohë fansat në internet të çuditur për këtë martesë ndoshta të nxituar, e kanë komentuar se po bëhet për shkak të një shtatzënie të mundshme të Arianës, lajm që në disa raste thuhet se është pohuar nga gjyshja e këngëtarit. Por vetë ai ka preferuar të mos flasë për një gjë të tillë. Këtë periudhë pushimesh, Ariana e ke shoqëruar rrallë Ermalin gjatë udhëtimeve të tij për koncerte në Shqipëri, Mal të Zi, por edhe në Zvicër, ku po promovon albumin e fundit.

Ermali dhe Ariana, pushimet në Durrës
Ermal Fejzullahu dhe e fejuara janë fotografuar para pak ditësh  ndërsa bënin plazh në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Pas pak ditë qëndrimi në Durrës, Ermali dhe Ariana janë nisur pasdite drejt Ulqinit, ku këngëtari ishte i ftuar të këndonte në një koncert. Ata janë fotografuar në një shezlon, ndërsa merrnin rreze. Ajo ka qenë e veshur me rroba banje të thjeshta ngjyrë rozë, ndërsa Ermali me t-shirt dhe pantallona të shkurtra. Në fillim Ermali ka qenë duke luajtur me letra në një nga lokalet ngjitur, pastaj është drejtuar drejt zhezlonit ku ndodhej e fejuara. Bashkë me ta kanë qenë dhe familjarët, e ëma, motra, dhe vëllai më i madh Armendi, edhe ai me të fejuarën. Familja Fejzullahu u vendos gjatë muajit gusht në  plazhin e Durrësit, duke e parë si pikën më të afërt, për ikjen dhe kthimin e shpejtë nga koncertet të këngëtarëve të familjes. Ata ishin akomoduar në hotel “Tropikal”, por Ermali dhe Ariana kanë shkuar aty vetëm për pak ditë.  

Vila ku do jetojë çifti

Mesa duket Ermali e kishte bërë plan, që kur vendosi të blinte një shtëpi të tijën. Shtëpia e re ndodhet në fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, në Veternik, një zonë ku prej kohësh kanë prenotuar banesat e tyre më të pasurit e Kosovës. Eshtë një vilë e vërtetë, por duke iu referuar çmimit 300 mijë euro, mendohet që në blerjen e shtëpisë ka kontribuar edhe i ati. Blerja e shtëpisë vjen menjëherë pas xhirimeve të fundit për videoklipin e ri, që u realizua në Maqedoni. Miqtë e tij të afërt konfirmojnë se këto të ardhura kanë ardhur nga një pjesë e fitimeve që ka siguruar nga shitja e këngës dhe klipit të tij të fundit. Pas suksesit të albumit të vitit të shkuar që solli të ardhura të mjaftueshme për këngëtarin, ky i fundit duket se këtë verë ka vendosur që të menaxhojë veten akoma më mirë, duke shitur të drejtat e këngës së re, me shifra disa herë më të larta se këngët e mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›