E Diel, 1 Nëntor 2026

Me Ambetën kemi plan një fëmijë, por jo martesë

 

Oni Pustina në një dredhi të re të karrierës dhe jetës private. Tregon pasionin e beftë për kinemanë, sekretet e pamjes 10 vite më i ri, dhe planin për t’u bërë baba:
Mund të na shuash kuriozitetin se kur jeni zgjuar sot?
Ah, sot jam zgjuar në orën 06:00. E kam nisur ditën me xhiro me biçikletë, së bashku me mikun tim Gent Hazizi, njëkohësisht baxhanaku im. Çdo mëngjes nis kështu për mua, pasi është një sport i mrekullueshëm për të mbajtur trupin në formë.
Atëherë roli i çiklistit në filmin “Lindje, Perëndim, Lindje” të Gjergj Xhuvanit, nuk paska qenë rastësor? 
Më ka lënë shumë mbresa. Ende nuk e kam parë filmin të përfunduar, dhe jam shumë kurioz ta shoh, pasi ka qenë një lojë aktrimi, që e kam ndier vërtet.
Flisni me shumë pasion për aktrimin. Mos ndoshta kjo është është një dredhi, që po i bën profesionit të modelit?
Eshtë një pasion që po e zbuloj tani, dhe që do jem gjithnjë i hapur ndaj ofertave.
Si do ta përkufizonit këtë rol, dhe çfarë ka gjetur interesante tek ju Xhuvani?
Luaj rolin e feministit të grupit, dhe besoj që Xhuvani ka gjetur karakterin e djalit gjuetar të femrave.(qesh)
Ky është tipi juaj në të vërtetë?
Në fakt dikur po. E pranoj kam qenë tipi i djalit të hedhur dhe ndoshta rrugaç. Tani jo më. Gjërat kanë ndryshuar, dhe unë po ashtu.
Si ta kuptojmë?
Tani jam më i përmbajtur. Por çfarë s’ka ndryshuar tek unë është karakteri im, i hapur, miqësor dhe i shoqërueshëm.
Keni ardhur të kaloni pushimet këtu, por pa Ambetën?
Po, sepse Ambeta nuk ka asnjë ditë pushim. Mbaroi programet “Amici”, dhe “Io balo”, ndërkohë që punon si balerinë e parë në teatër.
Ju kemi parë të bëni plazh me një grup çunash në Dhërmi, mes tyre dhe Kledi Kadiu?
Po, kemi vite që i kalojmë pushimet bashkë. Ishim disa ditë në Sardenjë, dhe ca ditë në Dhërmi. Bashkë me ne ishin dhe Gent Hazizi e Genti Tare, dhe ia kaluam këndshëm.
Pas pushimeve këtu, riktheheni tek “Ç’e posta per te”? Si do të jetë sezoni i ri?
Njësoj si sezoni i vjetër, dhe fatmirësisht sërish në krahët e Marias.
Oni si shkon bashkëjetesa me Ambetën në Itali? Mediat e kanë përshkruar si tipin e vajzës së ftohtë?
Jo, përkundrazi Ambeta është  shumë e dashur. Në të kundërt nuk do të kishte shansin të rrinte me mua.
A mund të ma përshkruani?
Është shumë e dashur në jetën private me mua dhe miqtë, pasi është ajo që na mbledh të gjithëve në shtëpinë tonë në Romë. Ndërsa në sallën e baletit e them me bindje, që është një diktatore e vërtetë.
Ju tashmë jeni 39 vjeç, mos ndoshta ka ardhur koha të bëheni baba?
Natyrisht, që jemi duke e menduar sjelljen në jetë të një fëmije, por ajo që mund të quhet pengesë është puna e Ambetës, e cila për hir të vërtetës është në kulmin e karrierrës, ndërkohë që ka oferta nga SHBA, Spanja apo Vietnami.
Do ishte ishte bukur të mendoje një ceremoni martese me ju të dy. Për këtë keni menduar?
Jo s’ka për të ndodhur asnjëherë. As unë, as Ambeta nuk e kemi me qejf një ceremoni të tillë. E rëndësishme është që ndihemi mire, rrimë bashkë.
Ju e vizitoni shumë shpesh Tiranën. Keni pasur oferta pune këtu?
Jo. Por po e them, që tani e tutje do të kisha mirëpritur me kënaqësi rolet në kinema.
Po si model, si ndiheni pas kaq vitesh?
Puna e modelit tani është rutinë për mua. Kam realizuar reklama në Gjermani, Zvicër, si imazh i bankave, apo kompanive që meren me mobilimin e shtëpive. Nuk është se kërkoj famën me reklamimin, por vetëm të ardhurat që fitoj.
Tashmë kanë kaluar më shumë se 15 vite jashtë Shqipërisë. Kujtoni ndonjë moment të vështirë në jetën tuaj?
Po. Para disa vitesh kalova një moment të vështirë psikologjik, që u pasua dhe me shtimin tim në peshë. Ndodhi pasi nuk arrija të ndaja dot profesionin e modelit nga vetvetja, si dhe po e përjetoja shumë krizën e moshës.
Pse, ju jeni ende shumë i ri?
Por për të thënë të vërtetën, modelët ashtu si sportistët e balerinët, kanë një moshë kufi të karrierrës së tyre. Këtë gjë mendoja dhe unë, se çfarë do bëja me jetën time si model, ndërsa i kisha kapërcyer të 35-at.
Dhe si e kapërcyhet?
Arrita të ndërgjegjësohem dhe ta shkëpus profesionin nga vetvetja. Ambeta padyshim që ishte një shpëtim, ndërsa i hyra botës së televizionit, dhe bizneseve me dyqanet e veshjeve.

Skena seksi që realizon në film

Çiklisti i Gjergj Xhuvanit arratiset para viteve ‘ 90-të drejt perëndimit, një udhëtim që në nisje deri në kthim ishte një marrëzi. Por një kënaqësi për karrierrën e modelit të njohur Oni Pustina, i cili provon këtë eksperiencë të re në kinematografi, ku luan përkrah aktorëve të njohur si; Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Gentian Zeneli, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, e Romir Zalla, grupi i çiklistëve që kalojnë kufirin me biçikleta, për të realizuar ëndrrat e tyre në Shqipërinë e viteve ’80-’90-të. Dëshira e tyre ishte për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë. “Unë jam njëri prej çiklistëve dhe si çdo i ri edhe unë ëndërroj një jetë më të mirë dhe sa më shumë eksperienca të reja me femrat, që të flasin në gjuhë të huaj. E relizoj në film me një femër italiane, ndodhi që shoqërohet me skenë të nxehtë seksi”, tregon Oni. E gjithçka aktoriale nga ai mbetet për t’u parë në këtë film, premiera që pritet të shfaqet vitin tjetër.

Sekreti i fytyrës së prerë dhe barkut fibër

Ka tipare të tilla, që e tregojnë gjithnjë një mashkull tërheqës. Është portreti i fytyrës së prerë, për ruajtjen e së cilës ai ushtron sportin në mënyrë të rregullt. Por në sajë stërvitjes dhe palestrës, ai ruan linjat perfekte të tij, 1.85 i gjatë dhe 78 kg, ndërsa ka një bark fibër. Modeli që në Itali i ka bërë të gjithë për vete me fytyrën e hijshme e trupin e formuar, nuk mund të bënte karrierrë, pa këto linja perfekte. Gjithçka ia dedikon stërvitjes me biçikletë, përjashtimit të aloolit nga dieta, edhe pse cigarin e pi rregullisht prej vitesh. “Por kjo është më e pakta, që mund të bëjë një model”, thotë Oni, “kur dihet se sa gjëra mund të provosh nëse je pjesë e botës së modelingut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›