E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgjet, VIP-at takime me më shumë se një grua

 

TIRANE - Të burgosurit kryejnë takime speciale më tepër se me një grua. Lajmi pohohet nga burime nga burgjet, ku një grup pune kontrolloi për pak ditë dokumentacionin e takimeve speciale nëpër të gjithë institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale. Gjithçka nisi pas vdekjes në qelitë e takimeve speciale të burgut të Peqinit të çiftit Minir dhe Thëllëza Muça, rreth një muaj më parë. Pas ngjarjes së rëndë, rezultoi se çifti Muça ishin divorcuar ligjërisht, ndërsa bashkëshortja kishte mundur të takonte bashkëshortin në qelinë e takimeve speciale në bazë të një certifikate që kishte dorëzuar në institucion që nga koha para divorcit. Burime të rezervuara nga burgjet, pohojnë se gjatë verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se në mjaft raste disa të burgosur kanë kryer takime speciale me më shumë se një grua. Sipas tyre, bëhet fjalë për një numër të vogël të burgosurish "VIP", të cilët mund të kenë përfituar duke paguar ryshfet. Tashmë, të gjitha shkeljet e konstatuara në dokumentacionin e takimeve speciale, që kanë nisur që nga viti 2000, do të përpilohen në një raport që do u vihet në dispozicion institucioneve të drejtësisë. Kontrolli i dokumentacionit të burgjeve nisi rreth tri javë më parë dhe vazhdoi për disa ditë me radhë nga një grup i ngritur nga Drejtoria e Burgjeve.                                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›