E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutoi të riun: Më lini në burg, do të më vrasin

 

FIER - Arben Dhano, i arrestuari si autor i krimit të dyfishtë të së martës në fshatin Pishëporo, do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Ndërsa Gjykata e Fierit ka dhënë dje për të masën e sigurisë "arrest me burg", 31-vjeçari ka pohuar në sallën e gjyqit se e donte motrën e dy viktimave të tij dhe se kishte frikë nga hakmarrja e të afërmve të saj. "Unë e kam dashur motrën e tyre. Ata më ngacmonin vazhdimisht dhe nuk më lejonin ta takoja. Atë ditë ata më janë hedhur për të më qëlluar dhe unë i godita me kaçavidë. Ia lë drejtësisë për të më gjykuar. Unë nuk dua të dal nga burgu, sepse në rast se mbetem i lirë, ata do të më vrasin", ka deklaruar Dhano. Fjalët e palës mbrojtëse të përfaqësuar nga avokati Idajet Çela, se klienti i tij pas ngjarjes ka dashur t'i shoqërojë viktimat për në spital, por nuk është lënë nga bashkëfshatarët e tjerë, nuk janë pranuar nga trupi gjykues, të cilët kanë pranuar kërkesën e akuzës për masën e sigurisë. Ngjarja për të cilën u arrestua Arben Dhano, ndodhi mesnatën e së hënës në fshatin Pish-Poro të rrethit të Fierit. Në këtë ngjarje humbi jetën 22-vjeçari Flogert Toska, ndërkohë që vëllai i tij 17-vjeçar Xhuliano Toska mbeti i plagosur dhe vazhdon të jetë ende i shtruar në spitalin e Fierit. Sipas policisë, sherri mes të rinjve ka ardhur për motrën e viktimave, 18-vjeçare, me të cilën Dhano pohoi se kishte një lidhje dashurie. Dy vëllezërit ishin në një gëzim familjar kur janë konfliktuar me autorin, i cili më vonë vrau njërin dhe plagosi rëndë tjetrin. Skena e sherrit u pa nga disa vetë, të cilët nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shmangien e tragjedisë. Pas ngjarjes Dhano u largua, por u arrestua disa orë më vonë nga policia e Fierit.                       m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›