E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaku pranon pedofilinë para gjykatësve

Në një situatë të tensionuar në oborrin e Gjykatës së Lushnjës, është zhvilluar dje seanca ndaj të akuzuarit si pedofil, 73-vjeçarit Ramiz Hoxha. 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Familjarë të të arrestuarit, të vajzës së mitur të dhunuar e të tjerë nga fshati Bitaj i Kosovës kanë shmangur përplasjet, ndonëse të gjithë flisnin të nervozuar nën zë. Nisur nga fakti se bëhej fjalë për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura, seanca e arrestit është zhvilluar me dyer të mbyllura. Nga burime të brendshme të gjykatës mësohet se i moshuari e ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me S.A., në prill të këtij viti, kur vajza ishte vetëm 13 vjeçe. Ai është mbrojtur duke thënë se ka vepruar me dëshirën e vetë fqinjës së tij. Përballë provave të forta se ndaj vajzës është kryer dhunë seksuale, si pasojë ajo mbeti shtatzënë dhe deri në përfundimin e analizës së ADN-së, i moshuari do të qëndrojë në burg pa afat. Në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur, po hetohet për të njëjtën akuzë dhe nipi i plakut, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie sistematike me vajzën. Por, fëmijët e të moshuarit, ndërsa prisnin në dyert e gjykatës, e kanë mohuar kategorikisht akuzën ndaj të atit. Duke e cilësuar krejtësisht të pavërtetë dhe diçka të sajuar, ata shtojnë se e mitura deri në këto momente ka dhënë më shumë se 20 emra personash të ndryshëm, të cilët kanë kryer marrëdhënie me të dhe që mund ta kishin lënë shtatzënë. Ata e mbrojnë të atin, duke pohuar se ai ka pranuar akuzën vetëm për të shpëtuar nipin, i cili është përmendur në dëshminë e vajzës.
"Nuk është e drejtë të vendoset në burg një njeri i respektuar. Është e pamundur që babai ynë të përfshihet në një histori të tillë, aspak të vërtetë. Vajza, që thotë se ka kryer marrëdhënie seksuale me babanë tonë, nuk është fare e bindur për ato që thotë. Dimë që ka deklaruar se mund të ketë ngelur shtatzënë me një tjetër person, pastaj me një tjetër, e kështu me radhë. Deri tani lista e atyre që mund të kenë lënë shtatzënë vajzën ka shkuar në 20, por nëse vazhdon kjo histori dhe kjo lojë e vajzës, ajo do të shtohet edhe më. Vërtet ajo vuan nga shqetësime të dukshme mendore, por jo t'i ngecin një vepër kaq të turpshme babait tonë", shprehet i biri, Artan Hoxha. Ai shton se kjo ngjarje ka bërë që familja të izolohet dhe të shikohet nga gjithë të tjerët, si familje imorale. "Edhe nëse babai pranon se ka pasur marrëdhënie me vajzën, të jeni të bindur se e bën që të mbrojë nipin e tij, por jam i sigurt se edhe ky i fundit nuk ka gisht në këtë ngjarje", thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›