E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen shpërndarësit e drogës në lokalet e natës

 

TIRANE - Pranga dy shpërndarësve të hashashit në kryeqytet, një prej tyre tenton të largohet në momentin e ndërhyrjes së policisë. Bllokohet gjysmë kile drogë, paratë si dhe disa prova të tjera materiale, gërshërë, qese farmacish. Ardian Palla, 35 vjeç nga Korça, banues në rrugën "Karl Gega", pranë ish- stacionit të vjetër të trenit, është ndaluar nga agjentët e policisë, ndërsa po këmbente disa qese hashashi me një klient, i cili është shoqëruar në polici. Pas kontrollit të banesës agjentët i gjetën atij 218 gramë marijuanë si dhe 20 qese të vogla farmacish që përdoret për të futur ilaçet. Gjatë kontrollit të kryer përdoruesve, policia ka bllokuar tre qese të vogla me hashash. Gjatë marrjes së tij në pyetje, përdoruesi ka pohuar se e kishte mallin për rreth 1.500 lekë të reja. Vetë i arrestuari ka pohuar se e kishte marrë mallin nga një person, të cilin nuk e njihte për 30 mijë lekë të reja kilja. Sipas Pallës, malli i kishte mbërritur në shtëpi 4 ditë përpara se të arrestohej. Kishte mundur të shiste më tepër se 1 kg, përpara se ta kapte policia. Të enjten, agjentët e policisë së antidrogës së Tiranës, pas arrestimit të Pallës, kanë ndërhyrë për të arrestuar Gazmend Vokrin, pranë Shkollës së Kuqe, në rrugën "Qemal Stafa". Sipas burimeve të policisë, Vokrit, policia i ka bllokuar fillimisht disa qese me marijuanë që peshonin 6.8 gramë në afërsi të Shkollës së Kuqe. Kjo zonë njihet edhe si ambient që frekuentohet shumë nga përdoruesit. Vokri, para ndalimit të tij, ka kuptuar ndërhyrjen e policisë dhe ka tentuar të largohet, por është shtrënguar pas krahëve nga agjentët e antidrogës, të cilët i kanë vënë prangat. Pas kontrollit të kryer në banesën e të arrestuarit, policia ka gjetur dhe ka bllokuar të paketuar në qese celefoni, një sasi prej 307 gramësh marijuanë. Droga ishte paketuar në rreth 70 qese, të cilat ishin bërë gati për t'u shitur përdoruesve të tjerë. Bashkë me drogën, hetuesit kanë bllokuar një sasi prej 2.200 lekësh të fituara nga shitja e qeseve të lëndës narkotike. Të dy personat, sipas policisë, janë arrestuar me akuzën e prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›