E Diel, 1 Nëntor 2026

Ermal Kuqo, ylli i koshit shqiptar (2)

/* */

EKSKLUZIVE - PJESA E DYTE -  Ermal Kuqo, një sulmues qëndre, 208 cm, ka luajtur për Tiranën në Shqipëri, ndërkohë që në Turqi ka luajtur për Efes Pilsenin, Fenerbahçen, Gallatasarajin dhe nga vera e këtij viti për Efes Anadolu. Kuqo ka luajtur edhe në Shtetet e Bashkuara me ekipet e kolegjeve, Fort Scott Community College (1999-2000) dhe Seminole State College (2000-2001). Ermali ka luajtur në Kroaci me KK Split, në Slloveni me  KK Pivovarna Lasko dhe Spanjë me Valencian.

Ermal, cili ishte impakti i Kuqos me dy ekipet amerikane?
Atëherë isha në fillimet e karrierës, vetëm 19-20 vjeç. Në vitin e dytë, me Seminole Stejt Kollixh të Floridas, arrita të dalë qendra më e mirë e të gjitha ekipeve të kolegjeve amerikane. Isha një lojtar i rëndësishëm. Atëherë, më kërkonte e gjitha Amerika. Të gjitha kolegjet katërvjeçare, që kishin skuadrat më të mira, më kërkonin. Nuk arrita të luaja më tej, pasi sipas rregullave të kolegjeve, duke qenë se unë kisha luajtur si profesionist në Europë, nuk mund të luaja në ekipet e kolegjeve katërvjeçare. Për këtë arsye në Europë.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, a patët ndonjë kontakt me ekipet profesioniste, të atyre që marrin pjesë në NBA?
Kur isha në kolegj jo. Gjatë kohës kur luaja për kolegjet, kishin ardhur shumë skaut që më shikonin, por asgjë konkrete. Kontaktin e vërtetë e pata, kur luajta në vitin e parë në Kroaci, me KK Splitin (2001-2002), ish-Jugoplastika e famshme. E fillova jo mirë, pasi kishte shumë konkurrencë dhe u aktivizova pak. Në fund të sezonit, bëra një paraqitje fantastike dhe mora një ftesë për të shkuar në draft. Tani kur e kujtoj atë momente, disa lidhje apo marrëveshje që më kisha dhe më detyronin me menaxherët do t’i bëja ndryshe. Qëndrova vetëm një vit aty, dhe ika në Slloveni, te Pipovarna Lasko. Pata një sezon shumë të mirë. Luaja rregullisht gati 30 minuta dhe isha një nga lojtarët më të mirë të Eurokupës së dytë në Europë. Pata një mesatare të mirë pikësh.
Pas katër vitesh, një rikthim i bujshëm në Turqi, te Efes Pilseni.
Kam pasur konsideratë nga trajnerë të ndryshëm në Europë, të cilët edhe pse unë isha shqiptar, më vlerësonin si një lojtar të denjë për të luajtur në Euroligë. Përfitova një kontratë shumë të mirë me Efes Pilsenin, ku luajta pesë vjet pa ndërprerje. Aty u stabilizova si një qendër e rëndësishme e kampionatit turk dhe Euroligës.
Ermal, ke marrë pjesë në dy kampionate europiane dhe një botëror, duke qenë i vetmi basketbollist shqiptar që ka luajtur në këto nivele, pavarësisht se keni luajtur me përfaqësuesen turke. Cila ishte eksperienca juaj me Turqinë?
Nuk ishte e lehtë për mua e lehtë të pranoja ftesën  e Kombëtares turke në vitin 2004. Duke marrë në konsideratë edhe sakrificat e mia, pasi jam larguar qysh 15 vjeç, pa pasur asnjë lloj paragjykimi, dëshira ime ishte të luaja me Shqipërinë. Por, kur konstatova mungesën e seriozitetit të atëhershme, ishte shumë e vështirë të ktheja mbrapsht ftesën e trajnerit Bogdan Tanjeviç, një nga më të mirët e të gjitha kohërave në Europë, i cili më kërkonte me ngulm. Luajta gjashtë vjet me Kombëtaren turke, dy kualifikuese në kampionate europiane dhe një botëror, ku dolëm në vend të gjashtë me një ekip shumë modest, ku na mungonin disa yjet të NBA. Për mua ishte një nga arritjet më të mëdha në karrierën time.
Kuqo, si e keni ndjerë veten kur keni luajtur përkrah apo kundër yjeve të mëdhenj?
Tani është një gjë normale, sikur të luaja me këdo. Jam mësuar me këto ambiente, të luaj me lojtarët më të mirë të Europës, si Nikola Vuçeviç, Antoni Parker, Antonio Grejm, apo shumë të tjerë me të cilët jam përballur rregullisht në dhjetë vitet e fundit.

Pavarësisht se Ballkani njihet për basketbollin e tij, madje vende si Serbia, Greqia, Kroacia, dhe tani edhe Mali i Zi e Maqedonia, janë nga më të fortat në Europë, Shqipëria ka nivelin më të ulët. Përse ndodh kjo?
Shqipëria nuk njihet si vend i basketbollit. Unë e kam përjetuar vetë këtë ndryshim. Do të isha shumë më ndryshe, sikur të isha një kroat apo italian. Ata respektohen jashtë mase, boll për faktin se vijnë nga vende si Serbia, ku basketbolli është më i zhvilluar se futbolli. Edhe turqit janë një hap para nesh. Në vitin 1985, Turqia ishte thuajse e barabartë me në, por tani pas 25 vjetësh, diferencat janë të mëdha. Turqia ka punuar me kazmë. Ka rritur nivelin e trajnerëve, kanë ndryshuar mënyrën sesi punohet. Kanë instaluar një etikë sportive dhe disiplinë të hekurt. Nuk duhet të presësh nga të tjerët, duhet të çajmë bashkë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›