E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermal Kuqo, ylli i koshit shqiptar (1)

/* */

Dash FRASHËRI - EKSKLUZIVE - Nuk janë vetëm futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë, por dhe basketbollistët. Imazhi më i plotë i produktit të koshit shqiptar është Ermal Kuqo, djali i basketbollistit të njohur të Partizanit, Robert Kuqo. 31 vjeçari, i lindur në Korçë (12 shkurt 1980), është basketbollisti shqiptar më i mirë i të gjitha kohërave, duke lënë pas yje të tillë të formatit të Agim Fagut, Gazmend Çaçit, Kastriot Zaçes, etj. “Kuqo është kulmi i basketbollit shqiptar në botë. Është një vlerë për ne”, - thotë seketari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Kuqo ishte pjesë e Kombëtares turke nga viti 2004 deri në vitin 2010, por tani luan për Shqipërinë. Ermal Kuqo, i cili njihet me edhe me mbiemrin Kurtoglu, mbërriti në Turqi kur ishte vetëm 15 vjeç, në vitin 1995. Në vitin 1997, ai mori nënshtetësinë turke, dhe sipas ligjit në Turqi, ai ndryshoi mbiemrin në Kurtoglu. Kuqo, një sulmues qëndre, 208 cm, ka luajtur për Tiranën në Shqipëri, ndërkohë që në Turqi ka luajtur për Efes Pilsenin, Fenerbahçen, Gallatasarajin dhe nga vera e këtij viti për Efes Anadolu. Kuqo ka luajtur edhe në Shtetet e Bashkuara me ekipet e kolegjeve, Fort Scott Community College (1999-2000) dhe Seminole State College (2000-2001). Ermali ka luajtur në Kroaci me KK Split, në Slloveni me  KK Pivovarna Lasko dhe Spanjë me Valencian. Në vitin 2010, ai i kërkoi lejën FIBA-s për të luajtur për Shqipërinë. Kuqo është shënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e “Eurbasket 2011”, Divizioni B.

Ermal Kuqo, unanimisht ju konsiderojnë si imazhin e basketbollit shqiptar. Si ndiheni?
Ky është një vlerësim i njerëzve. Nëse kam arritur që të jem i tillë në sytë e tyre, kjo është një arritje e madhe për mua. Por sa e vështirë ishte për të fituar këtë konsideratë, akoma dhe më e vështirë për ta ruajtur atë. Kur e nisa rrugën e basketbollit, nuk hyra me mendimin se do të bëhesha basketbollisti më i madh, por për të nxjerrë në dritë jetën time. Basketbollin e dashuroj, e adhuroj.
Ju jeni djali i një basketbollisti të famshëm të Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, Roberto Kuqos. Sa ka ndikuar ai?
Jo vetëm babai im, Roberti, por dhe xhaxhai im, Artani kanë qenë ndër më të mirët në Shqipëri. Jemi thuajse tre breza basketbollistësh, pasi Tani me babin, kanë midis tyre 13 vjet diferencë dhe kanë luajtur në periudha të ndryshme. Unë u rrita duke parë xhaxhin të luajë më shumë se tim, pasi ai e la sportin në vitin 1985, kur unë isha vetëm pesë vjeç. Babai im, Roberti, ka qenë një nga basketbollistët më të mirë në Shqipëri, por më pak të vlerësuarit, pasi mbërriti në Tiranë, nga një qytet i vogël, si Pogradeci. Me Partizanin e viteve 1971-1985 fitoi tuar 14 kampionate rresht.
Në moshën 15-vjeçare u transferuat në Turqi dhe brenda dy vitesh u dalluat si një basketbollist me të ardhme, aq sa morët edhe nënshtetësinë turke. Si ndodhi?
Unë luaja qysh 15 vjeç, me Tiranën e Bujar Shehut. Një menaxher maqedonas, i cili jetonte në Tiranë më pa ndeshje dhe falë kontakteve të tij me disa klube turke, falë dhe një specialisti të Fenerbahçes që erdhi dhe më pa në Shqipëri, shkova më pas në Turqi. Ekipi im i parë është Fenerbahçe, qysh kur vajta në vitin 1995 në Stamboll. Pasaporta turke ishte pjesë e marrëveshjes që unë dhe menaxherët e mi kishin me Fenerbahçen. Nëse unë nuk do të merrja pasaportën turke, nuk do të qëndroja në Turqi. Një klub i madh si Fenerbahçe, nuk e pati të vështirë marrjen e pasaportës dhe në vitin 1997 e mora atë, duke qenë një shtetas me të drejta të plota në Turqi. Problemi më i madh, ishte se në moshën 19 vjeç, më mbaroi koha për të luajtur me ekipin e të rinjve. Kisha nevojë të luaja, të fitoja më shumë eksperiencë dhe të shkoja sa më larg.
Kjo ishte dhe arsyeja që shkuat në Shtetet e Bashkuara?
Po. Në Amerikë luajta me dy ekipe kolegji, Fort Skat Komjuniti Kollixh në Kansas (1999-2000, ishte viti i parë në kolegj, dhe Seminole Stejt Kollixh (2000-2001). Luajta dy vjet në SHBA. Me Fort Skat bëra një sezon shumë të mirë, ku arritëm me një ekip shumë modest, teksa një vit më parë kishin arritur vetëm katër fitore, ne arritëm të fitonim Konferencën tonë me 19 fitore. Ishte një arritje e madhe si për shkollën, ashtu dhe për mua personalisht, ku arrita të shpreh talentin tim. Bëra stërvitje të jashtëzakonshme.

Vijon ne pjesen e dyte

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›