E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurtoglu, “biri i ujkut” në Turqi (3)

/* */

DASH FRASHERI -Ermali njihet me dy mbiemra, një shqiptar “biologjik”, Kuqo, dhe një të dytë, Kurtoglu, si nënshtetas turk.

“Kurtoglu (shqiptohet Kurtollu), do të thotë në turqisht ‘biri i ujkut’. Nuk do të thotë asgjë për mua.
Në gjuhën turke nuk ekziston shkronja ‘q’. Deri në vitin 2003, ekzistonte një ligj, që nëse dikush donte të merrte nënshtetësinë turke ka një shkronjë që nuk i përket alfabetit turk, duhej të ndryshohej i gjithi. Për mua mbiemri Kuqo ka një vlerë të jashtëzakonshme si basketbollist, dhe gjetëm një mbiemër që të tingëllonte i përafërt”, - sqaron Ermali.

Basketbollisti i famshëm është adhurues i Mustafa Qemal Ataturkut, presidentit dhe themeluesit të Turqisë moderne. “Jo për faktin së nëse është shqiptar apo jo, por për idetë sociale që solli ai në vitet 20-të të shekullit të kaluar dhe krijoi bazën e një ekonomie të fuqishme”. Prania mediatike e Ermalit në Turqi është shumë e madhe.

“Në Shqipëri nuk është se më njohin shumë. Mund të përdoresha edhe si një shembull suksesi, si një Në Turqi, më njohin të gjithë, dhe flasim për një Stamboll me gati 20 milionë banorë. Basketbolli në Turqi, tani është edhe më lart se futbolli. Vitin e kaluar, Turqia doli e dyta në botë. Flasim për një vend, ku vetëm për basketbollin ekzistojnë katër revista dhe një kanal televiziv, që i kushtohet basketbollit 24 orën në 24, shtatë ditë në shtatë. Atje basketbollistët janë yje reklamash, kanë sponsorë gjeneralë, personalë. Në Shqipëri mungon marketingu i reklamës jo vetëm me basketbollistët. Jemi shumë prapa. Nëse turqit po fluturojnë me raketa, ne po ecim të hipur mbi breshka. Personalisht kam sponsor sportiv “Nike”, kam një kontratë katërvjeçare, por dhe një kontratë personale me pijet “Gatorade”. Kontrata afatshkurtra kam shumë, për inaugurimin e një dyqani sportiv, apo të tjera”. Por, sa fiton një basketbollist në Turqi.

Ermali nuk dëshiron ta tregojë sa fiton ai, por: “Lojtari i fundit në ekipin tim, te Efes Pilsen, që mund të luajë pak minuta, e ka kontratën 400-500 mijë euro në vit”. Ermali ka luajtur me lojtarë shumë të mëdhenj. “Në planin njerëzor nuk është se ata kanë ndonjë përparësi, pasi prej mishi jemi. Thjesht t’i duhet të punosh shumë, të kesh ambicie dhe përkushtim. Kam luajtur kundër disa ish-lojtarëve të NBA-së amerikane. Vitin e kaluar të Beshiktashi luajti Allëdarjs, kundër tij pata një ndeshje shumë të mirë, shënova 21 pikë dhe e mundën Beshiktashin. Vitin e kaluar isha qendra më e mirë e kampionatit turk”. Kuqo u pezuallua për 6 muaj gjatë “Eurobasket 2005”, pas dyshimit për përdorimin e një substance të ndaluar, të quajtur Propecia dhe që përmban Finasteridë për të parandaluar rënien e flokëve. FIBA e konsideroi një gabim të pafajshëm. Në shkurt të vitit 2006, Kuqo u lejua të luajë për Elfes Pilsen në Turqi. Dy vjet më pas, në vitin 2008, WADA, Organizata Botërore e Antidopungut, e hoqi produktin nga lista e substancave të ndaluara, duke u dhënë mundësi 40 sportistëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë si të pastët në aktivitet.

“Dua të sqaroj se ajo ishte një pikë e rëndësishme e karrierës sime, jo vetëm se u sqarua rasti, u riktheva në basketboll, por më forcoi edhe si karakter. Më bëri të njoh disa njerëz për ata që ishin, dhe jo për atë që shtirreshin. Në ato vite të vështira të karrierës pashë se të cilët njerëz mund të mbështetasha më shumë. Ishte një mungesë informacioni, por dhe pakujdesi nga ana e mjekëve të Efes Pilsen. Unë mora një ilaç që atë vit ishte futur në listën e dopingut, e që pas tre vitesh u hoq dhe përfituan gati 40 sportistë”.

Ermali dëshiron të përcjellë edhe një mesazh. “Dëshiroj që sa më shumë basketbollistë të tjerë të luajnë jashtë Shqipërisë. E di që nuk është e lehtë, por rruga është e hapur. Duhet të krijojmë një vazhdimësi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›