Ermela do të futet në ‘VIP Shpia’
Fituesja e edicionit të katërt të reality-show-t ‘Big Brother’, Ermela, pasi i sfidoi edhe një herë ish-banorët në spektaklin e Post Big Brother këtë të shtunë, tashmë ka marrë një tjetër nismë. Një tjetër synim në jetën e saj, që ka të bëjë po me programet reality-show. Pikërisht atë që po organizohet në Kosovë, me titull ‘ViP Shpia’. “Më mungojnë debatet, shtëpia, përditshmëria e të jetuarit me të njëjtët njerëz. Dua të provoj dhe VIP-Shpinë”, ka treguar Ermela, e cila nuk do të ndalet në këtë rrugë që ka nisur. Në fakt, spektakli që organizohet për të dytin vit në Kosovë, ka nisur në datën 1 Prill dhe pjesë e tij janë këngëtarët Rovena Stefa, Zajmina Vasjari, Xuxi, MC Kresha, Adelina Tahiri, Fjolla Morina dhe Berkani. Gjithashtu, në shtëpi janë edhe dy ish-pjesëmarrës të reality-show-t ‘Big Brother’, fituesi i edicionit të dytë, Qetsori, dhe Bertina, pjesëmarrëse në edicionin e tretë. Tek këta të dy, duket se e ka marrë spunton edhe Ermela, për t’u futur në këtë reality show, i konceptuar në fakt i hapur vetëm për personazhet publikë dhe jo njerëzit e zakonshëm. Tashmë që Ermela ka fituar statusin e fitueses së 100 milionëve të çmimit të parë të ‘Big Brother 4’ mendon se i ka të gjitha të drejtat e pjesëmarrjes në reality-show-n ‘VIP Shpia’. Pjesë e këtij konkursi, në fakt pritet të jenë edhe këngëtaret Ingrid Gjoni, e gjithashtu edhe Mariza Ikonomi, ku kjo e fundit do të jetë e ftuar si mysafire për katër net në shtëpi, e jo si konkurrente. Ermela në fakt duket se nuk do të ndahet nga ekrani dhe nga konkurrenca. Pak ditë më parë, ajo pohoi në një të përditshme se ëndërronte prezantimin e “Portokalli-së”, ndërsa sot vjen me këtë lajm, që duket se është ngacmimi i saj i ri. Se sa do të realizohet këtë herë dëshira e Ermelës, mbetet për t’u parë, por gjithsesi është e drejta e saj të ëndërrojë e, pse jo, të provojë çdo gjë që i ofron jeta…
Post Big Borther
Asgjë nuk ishte e papritur nga takimi i ish-banorëve të ‘Big Brother’, në spektaklin e kësaj të shtune. Post Big Brother, në fakt nuk solli ndonjë të re, përveçse rikonfirmoi ndarjen e banorëve në dy grupe, në atë që kryesohej nga Ermela, dhe që i ishin bashkuar thuajse gjithë banorët, e në grupin tjetër, çiftin Ogren-Neda. Ajo që u ra në sy ishte kthesa që bëri Klodi, Alma e Emilio, pro Ermelës, dikur të tre kundërshtarë të fortë të saj. Ndërsa Klaudia i qëndroi besnike miqësisë me Ogrenit. Biseda në fakt në studio nuk solli asnjë të re nga sa mund të pritej, thjesht gjeneroi edhe më tej ndarjen e kaheve dhe përforcoi aleancat e Ermelës, ku këtë herë i ishin bashkangjitur edhe më shumë banorë. Por marrëdhënia që ngjalli më së shumti kuriozitet mbrëmjen e së shtunës ishte takimi i Marielit me Mirjetën, I cili pas përfundimit të Big Brother, “u zhduk” nga jeta e Mirjetës. Gjatë spektaklit, ai sqaroi se asgjë nuk kishte ndryshuar mes tij dhe Mirjetës (edhe pse në fakt gjatë ditëve që ishte në Itali nuk foli asnjëherë me Mirjetën në telefon) dhe se do të qëndrojë disa ditë në Shqipëri, e madje lidhja e tyre do të vazhdojë…. Se sa e vërtetë është kjo, mbetet për t’u parë në fakt… Pasi edhe vetë Mirjeta nuk dukej entuziaste këtë herë në studio…!