Ermonela, suksesi i radhës në Filadelfia
Një tjetër sukses për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho. Në sallën e Teatrit të Operas së Filadelfias, SHBA, njëra nga më të dëgjuarat në botë, u shfaq këto ditë me sukses të jashtëzakonshëm opera “Madamme Butterfly” e Giacomo Pucinit. Kjo opera, e cila ka pushtuar skenat më të mëdha në botë, që kur u shfaq për herë të parë në vitin 1904, u vu nën regjinë e Cinthia Stoke dhe dirigjentit të madh Italian, Corrado Rovaris me një nga trupat më të zgjedhura operistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ngjarje të tilla artistike konsiderohen të rëndësishme nëpër qytete të mëdha siç është Filadelfia, e njohur për Orkestrën e saj Filarmonike dhe jetën intensive muzikore klasike. Por lajmi për këtë shfaqje bëhet shume më i rëndësishëm për ne shqiptarët, kur sheh se rolin kryesor Cio Cio San interpretohet nga një yll në rritje i muzikës operistike botërore, shqiptarja Ermonela Jaho, tashmë e njohur për debutimet e saj të suksesshme në Operën Metropolitane të Nju Jorkut, atë Mbretërore të Londrës, të Berlinit, Parisit, Lionit, Romës e sa të tjera.
Ajo është një pjesmarrëse aktive në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe një mikeshë e afërt e artistëve tjerë që performojnë në Metropolin e Madh të Artit në Nju Jork të drejtuar nga artisti i njohur shqiptar Fadil Berisha.
Shfaqjen e ndoqën edhe një grup shqiptarësh me banim në Filadelfia. Gëzimi i pjesëmarrësve dhe i vetë artistes ishte i papërshkrueshëm, sidomos kur skena iu mbush me lulet e shqiptarëve që ndoqën shfaqjen.