Errësira mbi vlerat dhe dritat mediatike mbi antivlerat kërcënojnë botën
“Errësira që ka mbuluar njerëzimin, kërcënim real i ekzistencës sonë dhe i botës në tërësi”
Mesazhi i ringjalljes së Krishtit përhapet po njësoj si mijëra vjet më parë kur Maria Magdalena ua komunikoi dishepujve: “Pashë Zotin”. Shpresa në këtë botë, kurrsesi nuk do të mbetet pa u përballur me ashpërsinë e së keqes”.
Nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë iu drejtua mijëra besimtarëve katolikë siç ndodh çdo vit. Mesazhi i Pashkës u ndoq nga urimi “Urbi et Orbi” në 65 gjuhë të botës.
“Çdo i krishterë rijeton ato çaste, të cilat i jetoi Maria Magdalenë. Është takim, që ta shndërron jetën: takim me Njeriun e pashoq, që na bën të shijojmë gjithë mirësinë dhe vërtetësinë e Hyjit, na çliron nga e keqja, e jo cektësisht, përkohësisht, por na shpëton rrënjësisht, na shëron plotësisht e na rikthen dinjitetin tonë. Ja, Maria Magdalenë e thërret Jezusin: ‘shpresa ime’: sepse ai e rilindi, i dha ardhmëri të re, jetë të mirë, të çliruar nga e keqja, ‘Krishti, shpresa ime’, do të thotë se çdo dëshirë e mirë që kam në zemër, me ndihmë të Tij mund të realizohet. Me Të, shpresoj se jeta ime mund të jetë e mirë, e përkryer, e amshuar, sepse vetë Zoti erdhi ndër ne e hyri në natyrën tonë njerëzore. Por Marisë së Magdalës, ashtu si dishepujve të tjerë, iu desh ta shikonte Jezusin të poshtëruar nga krerët e popullit, të kapur, të rrahur me kamxhik, të dënuar me vdekje e të kryqëzuar. Duhet të ketë qenë diçka thellësisht e padurueshme ta shikoje vetë Mirësinë të fyer nga hakmarrja. Me vdekjen e Jezusit u duk sikur mori fund një herë e përgjithmonë çdo shpresë e atyre, që besonin në Të. Por pikërisht besimi nuk u shua kurrë: sidomos në zemrën e Virgjërës Mari, Nënës së Jezusit, flaka e besimit mbeti e ndezur edhe në errësirën e natës më të zezë. Shpresa, në këtë botë, nuk mund të mos e llogarisë forcën e së keqes. Nuk e pengon vetëm muri i vdekjes. Edhe më shumë se vdekja e pengojnë majat e mprehta të zilisë e të mendjemadhësisë, të mashtrimit e të dhunës. Jezusi kaloi përmes leqeve mortore, për të hapur shtegun kah Mbretëria e jetës. Erdhi një çast, kur u duk se Jezusi e kishte humbur betejën: errësira pushtoi mbarë tokën; heshtja e Hyjit ishte e plotë, shpresa tingëllonte si fjalë tanimë krejt e kotë”, u shpreh në fjalën e tij, Ati i Shenjtë.
Ai iu drejtua të gjithë popujve që sot kalojnë ditë të vështira, nga Siria, Lindja e Mesme, Sudani, Nigeria dhe Mali, duke bërë thirrje për paqe dhe solidaritet mes popujve. Papa Benedikti i XVI kërkoi t’i jepet fund dhunës, terrorizmit dhe gjakderdhjes.
“Në Siri, në veçanti, të ndaloje gjakderdhja dhe të merret pa hezitim rruga e respektit, dialogut dhe pajtimit, ashtu siç u kërkua edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Mijëra refugjatë që vijnë nga ai vend, të cilët kanë nevojë për ndihmë humanitare të gjejnë mikpritje dhe solidaritet që mund t’u lehtësojë brengat”, vijoi Ati i Shenjtë, Papa Benedikti i XVI.
Sa i takon Tokës së Shenjtë, Papa u kërkoi izraelitëve dhe palestinezëve të nisin me kurajë procesin e paqes. Të shtunën në mbrëmje, në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë foli për errësirën që ka mbuluar njerëzimin, tashmë i paaftë për të dalluar të mirën nga e keqja.
“Errësira që paraqet një kërcënim të vërtetë për njerëzimin, pas gjithçkaje, është fakti se njeriu mund të shohë dhe të hetojë gjërat e prekshme materiale, por pa kuptuar se ku po shkon bota, nga vjen ajo, ku po shkon jeta jonë, çfarë është e mirë ose e keqe. Errësira që mbështjell Zotin dhe që errëson vlerat është kërcënimi real i ekzistencës sonë dhe i botës në tërësi”, tha Ati i Shenjtë në meshën e mbajtur të shtunën në mbrëmje, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Mesha nisi në errësirë, një simbolikë e varrit ku u vendos trupi i Jezu Krishtit përpara se të vinte drita e ringjalljes, tre ditë pas kryqëzimit. Mbi 10 mijë besimtarë ndezën qirinj dhe më pas të gjitha dritat ndriçuan Bazilikën për të treguar se ajo vjen bashkë me ringjalljen e Krishtit.
Ati i Shenjtë, i cili mbush 85 vjeç më 16 prill, pagëzoi tetë persona nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Sllovakia, Turkmenistani, Shqipëria, Gjermania dhe Kameruni. Ringjallja e Krishtit është data më e rëndësishme në kalendarin liturgjik për 1.2 miliardë katolikë në të gjithë botën.
...