E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, Beqja: Berisha gënjeu, s'përfituan kompensim 130 mijë vetë

Nga Genc Kondi
 

TIRANE- Rritja e pensioneve është një proces i përvitshëm, por dhe një arenë debatesh të ashpra pozitë-opozitë. Qeveria deklaron se po mban premtimet e bëra tre vjet më parë, duke u afruar shumë me objektivin e dyfishimit të të ardhurave të pensionistëve në qytet e në fshat. Opozita, nga ana e saj, ve në dukje se rritja reale e mirëqenies së 550 mijë pensionistëve nuk është ajo që pretendohet, sidomos në kushtet e rritjes së ndjeshme të inflacionit, që redukton çdo rritje nominale. Ilir Beqja, kohët e fundit, ka dalë para opinionit si përfaqësues i PS, për të shprehur vërejtjet e tij lidhur me raportin midis premtimeve qeveritare dhe realitetit. Për faktin se ai kë mbajtur për një kohë të gjatë postin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Gazeta e intervistoi, me dëshirën për të hedhur sa më shumë dritë lidhur me këtë çështje, sqaruar nga një specialist i fushës.
Zoti Beqja, së fundmi jeni shprehur, në emër të PS, për rritjen e pensioneve nga qeveria, ndërsa kjo e fundit ju akuzon për mashtrime. Si qëndron e vërteta?
Po, është e vërtetë që jemi shprehur publikisht për situatën shqetësuese të pensionistëve shqiptarë. Po ashtu, kemi paraqitur para shqiptarëve se çfarë përbën në të vërtetë rritja e pensioneve, si në terma nominalë, ashtu edhe në terma realë. Të dielën, unë kam bërë një deklaratë për të krahasuar premtimet e qeverisë para tre vjetësh me çfarë ka bërë ajo deri tani, kur kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës. Jam shprehur me shifra konkrete, pasi mendoj se ato janë më kokëforta se çdo opinion tjetër.
Në replikimet e PD thuhet që këtë vit është realizuar rritja më e madhe e pensioneve në 8 vjet. A qendron kjo?
Le të flasim me logjikën e ftohtë të shifrave. Po përpiqem të paraqes rritjen nominale të pensioneve në 8 vitet e fundit. Në korrik 2008 pensionet e qytetit u rritën me 10%, ndërsa ato të fshatit u rritën me 15%. PD pretendon që kjo është rritja më e lartë në vite. Në të vërtetë, pensionet e qytetit janë rritur me 10% edhe në korrik 2002, edhe në korrik 2003. Ndërkohë që, në vitet 2006 dhe 2007, rritja e pensioneve të qytetit ka qënë vetëm 5%, rritje kjo, më e ulëta në 17 vjetët e fundit. Përsa u përket pensioneve të fshatit, rritjen më të lartë nën qeverinë aktuale të Berishës e kanë patur në vitin 2006 me 20%, ndërkohë që pensionet e fshatit janë rritur me 30% në vitin 2001 dhe 25% në vitin 2002.
Në se do të bëjmë një krahasim midis tre viteve të para të dy mandateve qeverisëse, shifrat zyrtare të rritjeve tregojnë që, në intervalin 2002-2004, pensionet e qytetit janë rritur gjithsej 31%, me një mesatare vjetore rritjeje prej 10.3 përqindësh, ndërsa pensionet e fshatit janë rritur gjithsej 73%, me një mesatare vjetore rritjeje prej 24,2%. Në intervalin 2006-2008 pensionet e qytetit janë rritur gjithsej me 21%, me një mesatare vjetore prej 7%, ndërsa pensionet e fshatit janë rritur gjithsej me 52%, me një mesatare vjetore rritjeje 17.3%. Në tri vitet e para të kësaj qeverisjeje, ritmet janë dukshëm më të ulëta.
Përveç rritjes së pensioneve, qeveria ka folur për rritje të të ardhurave mujore të pensionistëve, që nuk janë e njejta gjë me pensionet. Mos vallë rritja e tyre është më e madhe?
Qeveria luan me fjalë dhe, herë flet për pensione, e herë për të ardhura. Ne pranojmë të diskutojmë, qoftë për njërën apo për tjetrën, por duke insistuar që të jemi konsistentë brenda njërës apo tjetrës. Është e vërtetë që disa grupe pensionistësh kanë përfituar rritje më të madhe se ato që përshkrova më lart. Qeveria po aplikon prej dy vjetësh një kompensim të të ardhurave mujore, por kompensimet janë zbatuar vetëm për pensionistët me të ardhura të ulëta. Sipas standardeve të kësaj qeverie, një pensionist në qytet me pension mujor 12 mijë lekë quhet me të ardhura të larta. Po ashtu, një pensionist në fshat me pension mujor 6 mijë lekë quhet me të ardhura të larta.
Në se do të përsërisnim analizën që bëmë më lart, vetëm për pensionistët me të ardhura të ulëta (pensione + kompensime të ndryshme), situata paraqitet si vijon. Në intervalin 2002-2004 të ardhurat e pensionistit në qytet janë rritur gjithsej 28%, me një mesatare vjetore rritjeje prej 9.3 përqindësh, ndërsa pensionet e fshatit janë rritur gjithsej 65%, me një mesatare vjetore rritjeje prej 21.7%. Ritmet e rritjeve të pensioneve në periudhën 2005-2008 janë më të ulëta. Në intervalin 2006-2008, pensionet e qytetit janë rritur gjithsej me 35%, me një mesatare vjetore prej 11.7%, ndërsa pensionet e fshatit janë rritur gjithsej me 68%, me një mesatare vjetore rritjeje 22.6%. Në tri vitet e para të kësaj qeverisjeje, ritmet janë diçka më të larta.
Atëhere, qeveria ka të drejtë në atë çfarë thotë?
Qeveria ka të drejtë në atë çfarë thotë vetëm për gjysmën e pensionistëve, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Vetëm këta kanë përfituar nga këto rritje. Berisha, ashtu siç sillet në kulisat e politikës, ashtu sillet edhe me pensionistët. Përpiqet t'i ndërsejë midis tyre, duke i ndarë në të pasur e në të varfër. Këtë ka bërë edhe në vitet '92-'96, kur zbatonte rritjet e diferencuara.
Sot janë 100 mijë pensionistë në qytet, "të pasur" sipas Berishës, që nuk kanë përfituar nga kompensimet e viteve të fundit. Janë edhe 37 mijë pensionistë, me pensione të pjesshme, që kanë përfituar pjesërisht edhe nga kompensimet. Të ardhurat e tyre mujore janë sot më pak se 10 mijë lekë.
E njëjta gjë ndodh edhe në fshat, ku, në fakt, asnjë pensionist nuk merr as 7 mijë lekë në muaj. Janë sot 27 mijë pensionistë në fshat, "të pasur" sipas Berishës, që nuk kanë përfituar nga kompensimet e këtyre dy viteve. Janë edhe 48 mijë pensionistë (më shumë se 1/3 e pensionistëve të fshatit), me pensione të pjeshme, që kanë përfituar pjesërisht nga kompensimet. Të ardhurat e tyre mujore janë sot më pak se 5 mijë lekë.
Ky është, pra, realiteti i rritjes së pensioneve shqiptare në këta tre vjet, por edhe krahasuar nga viti 2001 e deri më sot. Çfarë thashë më lart, bazohet në të dhëna zyrtare. Kushdo është i lirë t'i lexojë si të dojë. Qeverisë i kërkojmë që të përdorë një standard. Jo, kur tregon arritjet e saj, të flasë me të ardhurat minimale dhe, kur sulmon, të përdorë pensionet. Nëse do të vazhdojë me këtë logjikë, duhet të ruhet nga "autogolat", pasi rritja e pensioneve në qytet këtë vit, nga 10% në tekstin e VKM, përkthehet në 8.3% në xhepin e pensionistit. Po ashtu, rritja me 15% e pensioneve të fshatit në tekstin e VKM, përkthehet në 12.6% në xhepin e pensionistit në fshat.
Çfarë do të ndodhte, në rast se rritja e kompensimeve do të ishte kryer tek të gjitha kategoritë e pensionistëve në të njejtën masë, pa bërë diferencime, midis "të pasurve" dhe "të varfërve" ndërmjet tyre?
Nëse do të shpërndanim në mënyrë të barabartë shumën e kompensimeve, tek secili pensionist, do të duhej që kujtdo t'i jepnim mesatarisht 690 lekë dhe jo si deri më sot, dikujt asnjë qindarka, dhe dikujt 1.260 lekë. Nga shpërndarja e barabartë e fondit të kompensimit tek çdo pensionist, do të kishim një ritëm mesatar vjetor të rritjes së të ardhurave të pensionistëve në qytet me 7,4%, ndërsa në fshat me 20.8%. Të dyja këto shifra janë më të ulëta se respektivet e periudhës së ngjajshme në mandatin e mëparshëm qeverisës.
Tani, kur ka mbetur më pak se një vit për përfundimin e mandatit qeverisës, sa i llogaritni shanset që të realizohen premtimet e Programit Qeveritar për pensionet?
Qeveria ka premtuar dyfishim të pensioneve në Programin e saj, të miratuar në Kuvend. Dokumenti është zyrtar dhe i konsultueshëm nga kushdo. Berisha ka mohuar publikisht të ketë bërë një premtim të tillë. Sidoqoftë, pensionisët me të ardhura të ulëta e kanë dëgjuar. Pa ardhur ai në pushtet, merrin 8.350 lekë në muaj. Dyfishimi do të thotë që, në qershor 2009, ata të mund të marrin 16.700 lekë në muaj ose 48% më shumë nga ajo ç'ka marrin në gusht 2008.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›