Ervin Kuman "kopjon" Ari Han, në miqësore me lojtarë të rinj
Duket se trajnerët holandezë kanë si qëllim kryesor revolucionin e skuadrave që drejtojnë në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010. Ky fakt është konfirmuar dje pasi Ervin Kuman ka publikuar listën e lojtarëve të Hungarisë të grumbulluar për miqësoret e muajit maj kundër Greqisë dhe Kroacisë. Ish-mesfushori ka "kopjuar" trajnerin e Shqipërisë Ari Han, duke vendosur që të grumbullojë sa më shumë lojtarë të rinj, në mënyrë që të gjejë alternativa të vlefshme për titullarët e skuadrës hungareze. Mesfushori i Hertës së Berlinit, Pal Dardai, është kthyer në kombëtare pas dy viteve pushim, ndërsa është rigrumbulluar me Kombëtaren edhe sulmuesi i talentuar i ekipit të të rinjve të Liverpulit, Krisztian Nemeth. Kuman ka vendosur të thërrasë edhe një tjetër lojtar që aktivizohet në Angli, Tamash Kadar, i cili do të grumbullohet për herë të parë me përfaqësuesen hungareze, pavarësisht faktit se stërvitet prej kohësh me një ekip shumë të njohur si Njukasëll.